Përzgjedhësi i këngës serbe “Oj Kosovo, Kosovo” kërkon falje. Thotë se nuk e dinte përmbajtjen e këngës

Prishtinë, 17 nëntor 2026 – Muzikanti dhe fizarmonicisti i njohur slloven, Marko Hatlak, ka kërkuar falje për përzgjedhjen dhe interpretimin e këngës “Oj Kosovo, Kosovo” qw shpreh pretendimet territoriale tw Serbisw ndaj Kosovës, e cila u ekzekutua në ceremonin e hapjes së Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian 2026 në Bruksel të dielën, më 15 nëntor.

Hatlak, i cili ishte përgjegjës për përgatitjen e programit muzikor, ka thënë se përzgjedhja e kësaj kënge ishte e paqëllimshme dhe se ai nuk ishte në dijeni të kontekstit historik dhe politik të saj.

“Ky ishte një gabim krejtësisht i paqëllimshëm, pasi nuk isha në dijeni për historikun dhe kuptimin e kësaj kënge. Dua të theksoj se, nëse do ta kisha ditur historikun dhe kuptimin e kësaj kënge, me siguri nuk do ta kisha interpretuar atë”, ka thënë ai në një deklaratë publike.

Hatlak ka treguar se ai ishte angazhuar për përzgjedhjen e dhjetë këngëve, nga një këngë për secilin vend pjesëmarrës në forum, dhe t’ia dorëzonte për miratim te organizatorët. Ai ka shpjeguar se këngën “Oj Kosovo, Kosovo” e kishte gjetur në Google, ku ajo ishte përshkruar si “këngë patriotike”.

Ai ka thënë se nuk kishte asnjë informacion për kontekstin historik dhe politik të këngës dhe as  nuk ishte paralajmëroi për përmbajtjen e saj,

“Fatkeqësisht, unë nuk kam hasur në ndonjë informacion për kontekstin historik dhe politik të këngës. Po ashtu, askush nuk më ka paralajmëruar për përmbajtjen problematike të kësaj përzgjedhjeje gjatë shqyrtimit të programit nga organizatori i eventit”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se nuk kishte pasur qëllim të ofendonte askënd dhe se nuk do ta kishte interpretuar këngën po ta kishte ditur kontekstin dhe kuptimin e saj.

“Dua të theksoj se, po ta kisha ditur kontekstin dhe domethënien e saj, sigurisht që nuk do ta kisha interpretuar. Gjatë gjithë karrierës sime, jam përpjekur që përmes muzikës t’u sjell njerëzve vetëm gëzim dhe paqe të brendshme. Nuk ka qenë kurrë qëllimi im të fyej askënd”, ka shkruar ai.

“U kërkoj sinqerisht falje të gjithë atyre që janë prekur nga kjo ngjarje”, ka deklaruar Hatlak.

Ai ka bërë të ditur se kërkimfaljen ndaj të gjithë atyre që janë prekur u ka kërkuar edhe nëpërmjet ambasadorit të Kosovës në Slloveni, Valdet Sadiku, ambasadorit të Kosovës në Belgjikë, Agron Bajrami, kryenegociatorit për Integrimin Evropian, Jeton Zulfaj, dhe Komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos.

Interpretimi i këngës “Oj Kosovo, Kosovo” në hapjen e Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel ka nxitur reagime të forta në Kosovë dhe në mbarë botën shqiptare, si edhe në qarqe politike e diplomatike të vendeve mike të Kosovës.

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, ka shprehur keqardhje për përzgjedhjen e këngës nga muzikantët, duke theksuar se ajo nuk pasqyron në asnjë mënyrë as qëndrimin e Komisionit Evropian, as qëndrimin e saj personal ndaj Kosovës dhe historisë së saj.

Edhe Komisioni Evropian është distancuar nga përmbajtja e këngës serbe.

“Kënga në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimin e Komisionit Evropian apo të komisioneres Kos lidhur me Kosovën dhe historinë e saj”, ka thënë Komisioni Evropian për Telegrafin.

(r.m.)

Comment

*