Biden në Kiev: “Amerika është me ju, bota është me ju”

Kiev, 20 shkurt 2023 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, qëndroi në një vizitë të paparalajmëruar në Ukrainë të hënën, në një shfaqje të fuqishme mbështetjeje në prag të përvjetorit të agresionit rus.

“Ndërsa i afrohemi përvjetorit të agresionit brutal të Rusisë në Ukrainë, unë jam sot në Kiev për t’u takuar me presidentin Zelenskyy dhe për të riafirmuar angazhimin tonë të palëkundur ndaj demokracisë, sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Ukrainës”, shkroi në Twitter, presidenti Biden.

Presidenti Biden shpalli një ndihmë prej gjysmë miliardi dollarësh, duke përfshirë municione artilerie dhe armë antitank. Ai tha gjithashtu se do të ketë sanksione të reja amerikane kundër Rusisë këtë javë.

“Një vit më vonë, Kievi qëndron në këmbë. Dhe Ukraina qëndron. Demokracia qëndron”, tha presidenti Biden. “Amerikanët qëndrojnë me ju dhe bota qëndron me ju”.

Presidenti Biden foli për bashkimin e një koalicioni prej më shumë se 50 vendesh për të ndihmuar ushtrinë e Ukrainës dhe bashkimin e ekonomive kryesore për të imponuar “kosto të pashembullt” në ekonominë e Rusisë.

“(Vladimir) Putini mendonte se Ukraina ishte e dobët dhe perëndimi ishte i ndarë”, tha presidenti Biden.

“Nuk ma merr mendja po e mendon këtë tani”, shtoi ai.

Presidenti ukrainas Volodymir Zelenskyy falënderoi presidentin Biden për viiztën në një moment të madh për Ukrainën dhe tha se mezi priste të diskutonte situatën në fushën e betejës me udhëheqësin amerikan.

Presidenti Biden dhe presidenti Zelenskyy gjithashtu vendosën kurorë lulesh në një mur përkujtimor kushtuar heronjve të rënë në konflikt.

Presidenti Biden kishte ishte planifikuar tashmë të udhëtonte në rajon, por orari zyrtar i Shtëpisë së Bardhë thoshte se ai nuk do të largohej nga Uashingtoni deri të hënën vonë kur pritej të nisej drejt Polonisë.

Presidenti Biden arriti në kryeqytetin ukrainas një ditë përpara se presidenti rus Vladimir Putin të mbajë një fjalim që sipas vëzhguesve pritet të përcaktojë synimet e Rusisë për vitin e dytë të agresionit që ai filloi më 24 shkurt të vitit të kaluar.

(Zëri i Amerikës)