Ish kryshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, mbetet në paraburgim

Prishtinë, 17 maj 2023 – Gjykata Supreme e Kosovë e ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për lirim nga paraburgimi të ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovë (KEK), Nagip Krasniqi, duke e vlerësuar si të pabazuar.

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë ndaj të pandehurit N.K., të paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës. Në çështjen penale ndaj të pandehurit N.K., për shkak të veprave penale: keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrimi i ndikimit, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, konflikti i interesit, duke vendosur përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësve të pandehurit, avokatët Virtyt Ibrahimaga dhe Taulant Ferizi, në seancën e mbajtur më datë 16.05.2023, kolegji i Gjykatës Supreme vendosi për refuzimin e kësaj kërkese”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

Krasniqi u arrestua më 19 prill. Ai dyshohet pët keqpërdorimitë pozitës zyrtare, për ushtrim të ndikimit dhe për konflikt të interesit.

“Gjatë bastisjes janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre (3) kompjuter, një (1) llap-top, një (1) celular, një (1) USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme”, thuhej në njoftimin e prokurorisë për arrestimin e tij.

Disa ditë më vonë, Bordi i Drejtorëve të KEK-ut mori vendim për pezullimin e Nagip Krasniqit nga detyra e punës së kryeshefit ekzekutiv, me efekt të menjëhershëm.

(r.m.)