Orhan Pamuk e shtyn për në vjeshtë vizitën në Kosovë

Prishtinë, 18 maj 2023 – Shkrimtari i famshëm turk, Orhan Pamuk, e ka shtyrë vizitën e tij në Kosovë për në vjeshtë, konfirmoi të enjten Ministria e Kulturës e Kosovës.

Në një njoftim në Facebook, ministria shkruan se nobelisti turk e ka shtyrë vizitën e paralajmëruar në Kosovë për arsye personale.

“Me keqardhje ju informojmë që vizita e planifikuar e shkrimtarit të njohur turk, Orhan Pamuk, është shtyrë për në vjeshtë. Edhe pse ardhja e tij ishte e konfirmuar, planifikuar dhe organizuar deri në detajet e fundit, për shkaqe të tij personale, Pamuk ka kërkuar që vizita të aranzhohet për një datë tjetër”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.

Ndërkohë, shkrimtari Pamuku ka kërkuar falje për shtyrjen e vizitës në Kosovë. Ai ka treguar se këtë duhet ta bënte për arsye që nuk varen nga ai.

“Të dashur lexues nga Kosova. Për arsye që nuk varen nga unë, më duhet të shtyj vizitën time të paraparë për këtë muaj, por definitivisht do të takohemi këtë vjeshtë. Ju lutem pranoni kërkimfaljen time dhe shihemi në vjeshtën e këtij viti”, ka thënë Pamuk, në një adresim të postuar nga Ministria e Kulturës.

Vizita e Orhan Pamukut në Kosovë ishte planifikuar të realizohej prej 24 deri më 26 maj.

 (r.m.)