Në Kosovë regjistrohet rekord i ri i rasteve të reja me COVID-19

Prishtinë, 1 prill 2021 – Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi të enjten se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 12 vdekje nga pasojat e COVID-19.

Në Prishtinë janë regjistruar 2 raste të vdekjes (90 e 81 vjeç), kurse nga 1 rast janë regjistruar në Ferizaj (92 vjeç), në Fushë-Kosovë (71 vjeç), në Kamenicë (62 vjeç), në Kaçanik (60 vjeç), në Mitrovicë (81 vjeç), në Pejë (82 vjeç), në Prizren (72 vjeç), në Rahovec (81 vjeç), në Suharekë (70 vjeç) dhe në Vushtrri (76 vjeç).

Në të njëjtën periudhë kohore, në Kosovë janë regjistruar 975 raste të reja pozitive me COVID-19. Kjo është shifra më e lartë e rasteve të konfirmuara ditore në Kosovë që prej paraqitjes së rasteve të para me COVID-19, në mars të vitit të kaluar.

Numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në komunën e Prishtinës, 328 sish.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë një takimi me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, nuk e përjashtoi mundësinë e vendosjes së masave të reja kufizuese, për shkak të rëndimit të situatës epidemiologjike,.

Prej marsit të vitit të kaluar, e deri më sot, 1 prill, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 91.405 raste pozitive me COVID-19. Prej tyre, 1.884 të infektuar kanë vdekur, ndërsa 75.647 janë shëruar.

Aktualisht në Kosovë janë aktive 13.874 raste.

(r.m.)