Kabul,27 gusht 2023 – Kur talibanët e morën pushtetin në vitin 2021, u ngritën shqetësime se disa pakica të vogla jomyslimane në Afganistan mund të zhduken.
Dy vjet më vonë, ato druajtje po bëhen të vërteta. Hebreu i fundit i njohur në Afganistan iku nga vendi pak pasi talibanët u kthyen në pushtet. Ndërkohë, komunitetet hindu dhe sik, besohet se janë tkurrur në vetëm një numër të vogël familjesh.
Nën sundimin taliban, sikët dhe hindusët janë përballur me kufizime të rënda, përfshirë edhe në dukjen e tyre, si dhe u është ndaluar kremtimi apo shënimi i festave të tyre fetare në publik, duke mos u lënë zgjidhje tjetër pos ta braktisin atdheun e vet.
“Nuk mund të shkoj askund lirshëm”, tha për Radion Evropa e Lirë, Fari Kaur, njëra nga siket e fundit të mbetura në kryeqytetin, Kabul.
“Kur dal jashtë, detyrohem të vishem si një myslimane, në mënyrë që të mos identifikohem si sike”, tha ajo, duke folur për urdhrin taliban, i cili detyron të gjitha gratë të bartin patjetër burka apo hixhab.
Babai i Kaurit u vra në një sulm vetëvrasës ndaj sikëve dhe hindusve në qytetin lindor, Xhalalabad në vitin 2018. Ky sulm i detyroi hiç më pak se 1.500 sikë të largoheshin nga vendi, përfshirë edhe nënën dhe motrat e Kaurit.
Por, Kauri nuk kishte pranuar të largohej dhe kishte qëndruar në Kabul për ta përmbushur ëndrrën e babait që ajo ta përfundojë shkollën. Në mars të vitit 2020, 25 besimtarë u vranë kur militantët e Shtetit Islamik (IS) e sulmuan një tempull sik në Kabul. Pas sulmit, shumica e anëtarëve të mbetur të kësaj pakice, u larguan nga Afganistani.
Përsëri, Kauri nuk pranoi të largohej. Por tani, pas më shumë së dy vjetëve nga kthimi i talibanëve në pushtet, ajo tha se mungesa e lirisë fetare, nën sundimin militant, nuk i lë asaj zgjidhje tjetër pos të ikë si refugjate jashtë vendit.
“Ne nuk i kemi kremtuar festivalet tona kryesore qëkur talibanët u kthyen në pushtet. Shumë pak anëtarë të komunitetit tonë kanë mbetur në Afganistan. Ne nuk mund as të kujdesemi për tempujt tanë”, theksoi ajo.
Një histori përndjekjeje
Rreth 100.000 hindusë dhe sikë ishin në Afganistan në vitet e ’80. Por, shpërthimi i luftës në vitin 1979, dhe përndjekja e vazhdueshme, i detyroi shumë prej tyre të largoheshin.
Gjatë luftës civile të viteve ’90, talibanët dhe grupet rivale islamike, u zotuan se do t’i mbronin pakicat. Por, shumë sikë dhe hindusë i humbën shtëpitë dhe bizneset e veta dhe ikën në Indi.
Gjatë periudhës së parë në pushtet, nga viti 1996 deri më 2001, talibanët shkaktuan zemërim ndërkombëtar, pasi njoftuan për një plan që u kërkonte të gjithë sikëve dhe hindusëve në vend të bartnin distinktivë të verdhë.
Talibanët ua ndaluan sikëve dhe hindusëve ndërtimin e tempujve të rinj. Ata detyroheshin, po ashtu, ta paguanin një taksë shtesë, e quajtur jizya, e cila është vendosur historikisht nga sunduesit myslimanë ndaj subjekteve të tyre jomyslimane.
Pas pushtimit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, më 2001, sikëve dhe hindusëve i fituan të njëjtat të drejtat si afganët e tjerë, si dhe morën edhe ulëse në Parlament.
Kur talibanët u kthyen në pushtet, në gusht të vitit 2021, tentuan t’i zbusnin druajtjet e afganëve jomyslimanë. Militantët i vizituan tempujt sikë dhe hindusë në përpjekje për t’i siguruar anëtarët e mbetur të këtyre pakicave se ishin të përkushtuar për sigurinë dhe mirëqenien e tyre.
Por, kufizimet drakonike të talibanëve ndaj sikëve dhe hindusëve i kanë detyruar shumë prej tyre ta gjejnë një rrugëdalje për ta braktisur atdheun e vet.
“Depresion i skajshëm”
Shumë sikë dhe hindusë të Afganistanit, të cilët kanë ikur nga vendi i tyre, janë zhvendosur në Indi, ku shumica përballen me një jetë të varfër.
“Ne e braktisëm vendin tonë nga depresioni i skajshëm”, tha Chabul Singh, një burrë 57-vjeçar, i cili bashkë me bashkëshorten dhe dy djemtë, ikën nga Afganistani disa vite më parë.
Kjo familje tani jeton jashtë kryeqytetit të Indisë, Nju Delhi, ku Singh dhe djemtë e tij të rinj, punojnë si shërbëtorë për ta siguruar jetesën.
“Në Afganistan, çallmat tona dalluese na zbuluan, dhe neve na vranë edhe talibanët edhe Shteti Islamik (IS)”, tha ai për Radio Azadi.
Sikët shpesh i mbulojnë flokët, të cilat nuk supozohet t’i shkurtojnë, me çallma. Me gjithë vuajtjet e familjes së tij në Indi, Singh tha se kthimi në Afganistan nuk është opsion.
“Në Afganistan, vëllezërit tanë myslimanë na pyesin shpesh, ‘pse keni ardhur nga India?’”, tha ai. “Por, këtu në Indi, ata na pyesin, ‘pse nuk po ktheheni në Afganistan?’”
Niala Mohammad, drejtoreshë për Politika dhe Strategji në Këshillin jo fitimprurës për Çështje Publike Myslimane në Uashington, tha se gjendja e pakicave fetare në Afganistan, përfshirë e hindusëve, sikëve, bahaive, të krishterëve, ahmadisve dhe myslimanëve shiitë, është përkeqësuar dukshëm nën sundimin taliban.
“Gjendja po vazhdon të përkeqësohet, pasi fraksionet ekstremiste politike, të cilat pretendojnë se e përfaqësojnë Islamin, sikurse talibanët, po vijnë në pushtet në rajon”, tha Mohammad.
(REL)