Përgjigjet Avokati Kieran Both

Urime!
Po, mund ta sillni familjen në SHBA, por ka një skemë të ndërlikuar prioritetesh që duhet të ndiqen përpara se të lëshohet një vizë. Duhet të tregoni durim. Niveli më i lartë i listës së prioriteteve njihet si “anëtarët e familjes së ngushtë”. Këtu hyjnë bashkëshorti/ja e nënshtetases/it amerikan; fëmijët (e pamartuar dhe nën 21 vjeç) e nënshtetasve amerikanë; dhe prindërit e nënshtetasve amerikanë. Ka gjithnjë viza në dispozicion të anëtarëve të familjes së ngushtë të nënshtetasve amerikanë. Kjo do të thotë që anëtarët e familjes së ngushtë nuk ka nevojë të presin në radhë për vizë. Ata anëtarë të familjes së ngushtë që janë në Shtetet e Bashkuara mund të paraqesin kërkesën për green card (Formulari I-485, Application to Register Permanent Residence or Adjust Status) në të njëjtën kohë me peticionin për bashkim familjar (Formularin I-130, Petition for Alien Relative). Në këtë formular tregohet marrëdhënia familjare që ekziston midis jush dhe të afërmit tuaj.
Anëtarë të tjerë të familjes
Për ata persona që nuk janë “anëtarë të familjes së ngushtë” janë krijuar disa kategori preferenciale. Për vizat që “vihen mënjanë” për këto kategori, ka një tavan numerik vjetor. Një vizë bëhet e disponueshme për një kategori të caktuar preferenciale në bazë të datës prioritare, pra të datës kur është paraqitur kërkesa per bashkim familjar (formulari I-130). Kategoritë preferenciale grupohen si më poshtë:
Kategoria e parë preferenciale: Djemtë dhe vajzat e rritur dhe të pamartuar të nënshtetasve amerikanë (i rritur do të thotë 21 vjeç e lart); Kategoria e dytë preferenciale (2A): Bashkëshortët e personave që kanë green card, fëmijët e pamartuar (nën moshën 21 vjeç) të personave me green card; Kategoria e dytë preferenciale (2B): Djemtë dhe vajzat e rritura dhe të pamartuara të personave me green card; Kategoria e tretë preferenciale: Djemtë dhe vajzat e martuar (të çdo moshe) të nënshtetasve amerikanë; Kategoria e katërt preferenciale: Vëllezërit dhe motrat e nënshtetasve të rritur amerikanë.
Për t’u informuar lidhur me periudhën aktuale të pritjes për kategoritë përkatëse, shihni faqen në internet “USCIS Processing Time Information” në adresën https://egov.uscis.gov/processing-times/ dhe faqen e Buletinit të Vizave në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së. Nëse nuk është dhënë ndonjë udhëzim ndryshe nga USCIS-i, personat që kërkojnë t’i paraqesin USCIS-it një aplikim për green card duhet të bazohen në tabelat “Datat e Veprimeve Përfundimtare” si më poshtë për të vendosur se kur mund të paraqesin aplikimin në fjalë. Kur USCIS-i konkludon se numri vizave emigruese në dispozicion për vitin fiskal është më i madh se numri i aplikantëve që dihet se kanë aplikuar për këto viza, USCIS-i deklaron në faqen e e tij internetit që aplikantët mund të bazohen në grafikun Dates for Filing Visa Applications (Datat për paraqitjen e aplikimeve për vizë).
Datat “aktuale” për kategoritë e përmendura më lart janë si vijon:
FINAL ACTION DATES (Datat e veprimeve përfundimtare)
F1 15 mars, 2016
F2A 1 janar, 2022
F2B 22 korrik, 2022
F3 1 prill, 2011
F4 1 janar, 2008
Për të gjitha kategoritë preferenciale të sponsorizuara nga familja, USCIS ka njoftuar se duhet të përdorin tabelën e Dates for Filing, (data e dorëzimit të aplikimeve) në Buletinin e Vizave të Departamentit të Shtetit për muajin Maj 2025. Këto data, që nga 1 Maji 2025, janë:
F1 1 shtator, 2017
F2A 1 shkurt, 2025
F2B 1 janar, 2017
F3 22 korrik, 2012
F4 1 qershor, 2008
Datat për paraqitjen e aplikimeve mund të ndryshojnë, prandaj u sugjerojmë lexuesve tanë të kontrollojnë vazhdimisht Buletinin e Vizave.
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: [email protected]