Vatikani njoftoi për ceremoninë e mbyllur të varrimit të Papa Françeskut

Vatikan, 26 prill 2025 – Papa Françesku, i njohur për thjeshtësinë e tij dhe për përpjekjet e tij për të shmangur madhështinë dhe privilegjet tradicionale të papatit, u përcoll për në banesën e fundit në kishën e shenjtë Santa Maria Maggiore në Romë, në një ceremoni private, me pjesëmarrje të një numri të kufizuar të autoriteteve.

Ndryshe nga paraardhësit e tij, të cilët zakonisht prehen në Bazilikën e Shën Pjetrit brenda Vatikanit, Papa Françesku zgjodhi një vend më modest, duke qëndruar besnik ndaj frymës së përulësisë që e karakterizoi gjithë jetën e tij.

Ky vendim shënoi një moment historik, pasi ishte hera e parë pas më shumë se një shekulli që një papë varrosej jashtë territorit të Vatikanit, duke theksuar edhe një herë natyrën e veçantë dhe qasjen e tij ndryshe ndaj rolit papnor, shkruan skynews.

Pas përfundimimit të ceremonies së varrimit të Papës, Vatikani publikoi një njoftim të shkurtër për ritualin e varrimit dhe aktin e vërtetimit të varrimit.

Njoftimi u shoqërua edhe me një videoregjistrim të shkurtër nga ceremonia e varrimit.

Njoftimi i plotë i Vatikanit:

Papa Françesku u varros në njërin nga korridoret anësore të Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, midis Kapelës Pauline, ku ndodhet ikona e tij e dashur ajo e Zojës “Shpëtimtare të popullitromak” dhe Kapelës “Sforza”, thuhet në njoftimin e Vatikanit.

Ritualit të varrimit të Papës i parapriu këndimi i katër psalmeve të shoqëruara me pesë lutje, e pastaj u këndua “Ati ynë”. Pas lutjes së fundit, në arkivol u gravoan siglat e Kardinalit Camerlengo të Kishës së Shenjtë Romake, Kevin Joseph Farrell, të Prefekturës së Shtëpisë Papnore, të Zyrës së Festimeve Liturgjike të Potifikatit Romak dhe të Rendit Liberian.

Më pas, arkivoli u vendos në varr dhe u spërkat me ujë të shenjtë, ndërsa këndohej Regina Caeli. Pastaj u zhvillua formaliteti përfundimtar: noteri i Rendit Liberian e lexoi para të pranishmëve aktin e vërtetimit të varrimit. Ky akt u nënshkrua pastaj nga Kardinali Camerlengo, Regjenti i Familjes Papnore, Imzot Leonardo Sapienza dhe Mjeshtri i Festimeve Liturgjike Papnore, Kryepeshkopi Diego Ravelli.

 

(r.m.)

Comment

*