Donald Trump dyshon se Vladimir Putini dëshiron paqe

Berlin, 28 prill 2025 – Presidenti i SHBA-së, Trump, ka dyshime nëse udhëheqësi i Kremlinit, Putin, vërtet ka vullnet për përfundimin e luftës në Ukrainë. Tani ai paralajmëron edhe sanksione ndaj Rusisë.

Pas takimit me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski, në Romë, Presidenti i SHBA-së Donald Trump nisi të përdorë papritmas një ton më të ashpër ndaj Presidentit rus Vladimir Putin. Në platformën e tij online Truth Social, ai madje e kërcënoi Rusinë me sanksione.

Sulmet e fundit ruse me raketa në zonat civile në Ukrainë e bënë atë të besonte se shefi i Kremlinit nuk është i interesuar t’i japë fund luftës. “Kjo më bën të mendoj se ndoshta ai nuk dëshiron fare ta përfundojë luftën, por thjesht dëshiron të më mbajë zvarrë mua. Po ashtu ndaj tij duhet vepruar ndryshe p.sh. në ‘sektorin bankar’ apo me ‘sanksione dytësore’?”, shkroi Trump.

Trump dhe Zelenski u takuan në Romë gjatë ceremonive mortore për Papa Françeskun. Shtëpia e Bardhë e quajti takimin si “shumë produktiv”, ndërsa Zelenski e quajti takimin “simbolik” dhe u shpreh pozitivisht pas tij.

“Ne patëm mundësi të diskutonim kokë më kokë. Shpresojmë për një rezultat nga gjërat që diskutuam”, tha ai.

Zelensky bëri të ditur se këto përfshinin mbrojtjen e jetës së popullsisë ukrainase, “një armëpushim të plotë dhe pa kushte” dhe “një paqe të besueshme dhe të qëndrueshme”.

Biseda thuhet se ka zgjatur rreth 15 minuta. Më parë, në një videomesazh, Presidenti ukrainas kishte njoftuar se në Romë do të zhvillonte edhe disa takime të tjera me qëllim që të arrihet një armëpushim.

(DW)