Në Shqipëri, 7 procedime penale për krime zgjedhore regjistrohen në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm

Tiranë, 28 prill 2025 – Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të hënën më 28 prill se janë regjistruar 14 kallëzime penale për krime zgjedhore në gjashtë prokurori të juridiksionit të përgjithshëm, ku në shtatë raste është vendosur regjistrimi i procedimit penal. Kallëzimet që kanë të bëjnë me paligjshmëri që lidhen me zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, janë regjistruar në prokuroritë e Tiranës, Fierit, Sarandës, Durrësit, Elbasanit e Gjirokasytrës, për veprat penale “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Në njoftim thuhet se shtatë kallëzime janë depozituar nga Policia Gjyqësore, tre nga SPAK, 2 nga subjekte politike, një nga një qytetar dhe një kallëzim është regjistruar kryesisht.

Prokuroria e Fierit ka regjistruar procedime penale për te pesë kallëzimet e depozituara. Po ashtu, janë regjistruar procedime penale dhe për dy kallëzime në Prokurorinë e Gjirokastrës.

Prokuroria e Fierit dhe ajo e Durrësit, kanë transferuar për kompetencë pranë SPAK nga një kallëzim penal.

Shumica e kallëzimeve dhe referime për krimet zgjedhore i janë drejtuar SPAK. Sipas të dhënave që SPAK, deri më 23 prill janë depozituar 26 kallëzime penale për krime të dyshuara zgjedhore, ndërkohë që në 23 raste janë regjistruar procedime penale.

Prokuroria e Posaçme publikoi më 20 shkurt strategjinë e hetimit dhe parandalimit të krimeve zgjedhore në zgjedhjet e 11 majit. Strategjia tregon synimin e SPAK për të hetuar në kohë reale problemet që lidhen me shit-blerjen e votës, përdorimin e burimeve shtetërore, si dhe përfshirjen e krimit të organizuar në procesin zgjedhor.

SPAK, Prokuroria e Përgjithshme dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë njoftuar më parë se janë duke bashkëpunuar për evidentimin dhe hetimin e krimeve zgjedhore.

Sipas hulumtimeve të kryera nga BIRN, edhe gjatë këtyre zgjedhjeve vazhdojnë problemet me keqpërdorimin e institucioneve dhe administratës publike nga qeveria “Rama”, në shkelje të Kodit Zgjedhor.

(Reporter.al)

Comment

*