Fejton nga (një zgjedhës diaspore)/Rafael Floqi

Në Republikën e Përjetshme të Batutave, ku demokracia ha byrek me tendera dhe zgjedhjet bëhen si në TikTok, zbriti nga Olimpi i Rilindjes urdhri i shekullit: “Asnjë debat me kënetën!”
Një shprehje e artë nga Kryeministri i Rrobave të Stilit të Papritur dhe Batutave si letra me vrimë, që vulosi heshtjen si strategji fushate për të gjithë kandidatët socialistë të 11 Majit.
Thënë ndryshe, i ftoi të tijtë të imitojnë atë në Instagram, dhe si rrjedhojë sheh zonja me çanta Guci të mbajtura, që flasin me të njëjtën gjuhë “allatesh në erë” si ai i z. Rama, kur iu mburret të rinjve për rininë e tij “gollomesh” plazheve të Evropës, ku do të na çojë pas 2030-tës.
Fushata nisi… po jo për të gjithë!
Teksa qytetarët prisnin përplasje idesh, llogaridhënie dhe, ndoshta, ndonjë blof në studio, u përballën me një spektakël më të thellë se çdo debat: emisione me një kandidat, një moderator dhe një kameraman që s’bënte as pyetje. Në ekran, socialistët ishin më të vetmuar se buzëqeshja e Fatmir Xhafajt në kongres. Opozita? Si i ftuar special në listën e të padukshmëve.
Televizionet? Në regji, nën regji dhe në heshtje. Sa herë i shihje panelet politike, të dukej sikur ishe në ndonjë sitcom të Netflix: një i ftuar që qesh me batutat e veta, një gazetar që gëlltit mikrofonin dhe një logo partie që ngjan me reklamë për plazhe të virgjëra me koncesion.
“S’ka kundërshtar, s’ka pyetje, s’ka problem!”
Rama, mjeshtër i zhvendosjes së vëmendjes, këtë herë vendosi të qeverisë edhe debatin publik. “S’ka kundërshtar, s’ka pyetje, s’ka problem!” është motoja e re. E vetmja garë është ajo e stilit – kush del me pantallonat më të gjëra, shallin më artistik dhe metaforën më absurde urbane për arritjet që nuk ndodhën kurrë.
Ndërsa Saliu? Ai vazhdon me ftesat për debat si një ish i dashur i refuzuar që telefonon natën vonë. “E ftoj për hir të transparencës” thotë, por ne e dimë që është për hir të dramës. Fatkeqësisht, askush nuk e ngre telefonin – as për debat, as për hall.
Por qytetari?
Ai e ka gjetur rrugën: shikon reality show-n, ‘fentanilin e shqiptarisë’. A e mashtroi Gjesti- Eglin apo anasjelltas, si dhe fushata tallava me këngëtarë rap-i me emër “zhurme” si Noizy garnitura në garë për vota, ndërsa në zgjedhje ka politikanë që s’duan të garojnë.
Debati është bërë mall i luksi – njëlloj si ushqimi bio apo uji i pijshëm në disa zona. Dhe media, e cila dikur duhej të ishte roje e lirisë së fjalës, tani është roje parkingu për opinionet që s’duhen shfaqur.
OSBE ka folur. ODIHR ka shkruar. Por Rama ka urdhëruar.
Dhe kur ai flet, fushata nuk bëhet betejë idesh, por cirk me klounë të heshtur dhe spektakël të koreografuar me saktësi skenike. Një reality-show politik ku votuesi duhet të zgjedhë mes profilit në Instagram të një kandidati dhe reklamës së fundit me drone në Devoll.
Psikodrama kundër burrave të opozitës
Dhe si të mos mjaftonin batutat dhe bojkoti total i debatit, Rama nuk hoqi dorë nga sporti i tij i preferuar: psikodrama kundër burrave të opozitës.
Pasi u përpoq ta zbuste Vrenozin, influencerin e vetshpallur të PD-së me të njëjtin ritual që dikur ia bëri Lul Bashës, dhe kur Vrenozi i përmendi kafen e munguar dhe pesë gratë si shkop magjik që do t’i lëmonte egon –ai dështoi keq.
Vrenozi jo vetëm që nuk u lëkund, por doli më i ashpër se kurrë, krahas Berishës, gjë që e detyroi Ramën t’i kthehej planit B: mallkimit emocional, pasi ai as Vrenozin s’e mundi. E quajti të paaftë për dashuri politike, të pandjeshëm ndaj “mirësive të qeverisë”-dhe, si çdo artist që i refuzohet skena, e përshëndeti me një mallkim poetik për “besnikëri të verbër ndaj një kauze të humbur”.
Fushata, që dikur ishte duel idesh, tani është maratonë monologësh, ku çdo kandidat flet vetëm me veten dhe votuesit janë të ftuar special në rolin e mikrofonit të heshtur.
Në vend të përballjeve të zjarrta, kemi tani vetëm selfie elektorale dhe lavde të recituara si reklama qumështi.
Por pse kaq shumë frikë nga debati?
Sepse Rama, mjeshtër i retorikës pop-kitsch, e ka kuptuar se sa herë përballet me realitetin, ky i fundit i jep goditje nën brez. Duket se bllokimi i tik-tokut po tregon tani një objektiv vetëm prej 71 deputetësh të mundshëm , ku dhe “haremi” i femrave që falen vetëm “Skënderbeut- guru” të presupozuara të mos dinë të vjedhin dardha pas shpine, po edhe ai po e kupton që dhe ato kanë mësuar huqet e burrave që janë aty “brenda”, që edhe Balluku ka “kollofitur biftekë disa milionëshe”, pas ose para shpinës së tij, siç llomotit ai “bufi i kënetës”, megjithatë s’dihet, dhe se ç’kanë bërë ato tani Xhaçkës nuk i zihet më besë për atë aferën e Gjipesë…
Prandaj tani ai ka zgjedhur një taktikë më efikase: të ofendojë opozitën dhe zgjedhësit e saj për të shmangur përballjen. Po a është e re kjo lloj propagande. Le ta shohim. Shumë analistë mendojnë që Edi Rama përdor teknikash të ngjashme me propagandën si të marrë nga manuali alla Goebbels, sidomos në mënyrën se si manipulon perceptimet publike. Ja disa mënyra konkrete si e përdor:
Në diskursin e tij, Rama gjithmonë ndërton një “armik” për publikun: opozita, gjyqtarët “të korruptuar”, mediat “kazan”, madje edhe qytetarë kritikë. Çdokush që nuk pajtohet, etiketohet si “i keq”, “i korruptuar”, “armik i progresit” madje dhe “autik”. Dhe harron se njeriu më i pasur dhe më gjenial në botë Musk ka qenë autik.
Ashtu si Goebbels, Rama nuk mbështetet te argumentimi racional, por tek emocioni: shpesh flet me ironi, sarkazëm, tallje, fjalë popullore për t’u dukur “i thjeshtë” dhe “i dashur”, duke manipuluar ndjenjat më shumë se mendimet, si fjalët siç quan Sali Berishën “bufi” dhe PD-në “bataku”. Në çdo krizë, Rama paraqet veten si i vetmi që “po përpiqet për popullin”, ndërsa të tjerët paraqiten si sabotatorë të ëndrrës evropiane.
Dhe debatet? Oh, a thua i mençuri George Orwell kot shkruante “Nëse debati është i pamundur, zgjedhjet janë vetëm një teatër.”
Në fund, kështu Rama po e kthen politikën shqiptare në një reality-show, ku audienca nuk ka të drejtë vote, por vetëm të drejtë për “klikime”.
Dhe ky nuk është novacion, pasi një qind e ca vet më parë i madhi Abraham Lincoln do të paralajmëronte:
“Asnjëherë mos beso në vendime që merren pa debat; aty ku mungon debati, fshihet tirania.”