Miami, 2 maj 2025 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka hedhur poshtë kritikat e BE-së për praninë e tij të paralajmëruar në paradën e Ditës së Fitores më 9 maj në Moskë, duke akuzuar Brukselin se është i fiksuar pas lëvizjeve të tij, shkruan sot portali i Brukselit EUalive (EUalive.net).
Më 1 maj, në Miami, ku po merr pjesë në një tubim të Partisë Republikane në pushtet në SHBA, Vuçiq ka thënë se fushata mediatike kundër presidentit amerikan Donald Trump “përdor të njëjtat taktika, narrativa dhe substancë” sikurse fushata kundër tij në Serbi, shkruan Eualive.
Portali vlerëson se krahasimi i Vuçiqit me Trump e nxjerr në pah përpjekjen e tij që të pozicionohet si lider i guximshëm përballë presioneve dhe kritikave, brenda dhe jashtë vendit.
EUalive e transmeton vlerësimin e Vuçiqit se protestat e studentëve në Serbi janë “një imazh i trishtuar i një epoke të shkuar”.
Duke tërhequr paralele me politikën amerikane, Vuçiq ka pranuar se ai megjithatë ka më pak peshë se presidenti amerikan, shkruan EUAlive.
Portali raporton gjithashtu se Vuçiq, në një deklaratë për mediat serbe nga Miami, ka thënë se ai do të diskutojë me autoritetet amerikane për bashkëpunimin në fushën e tregtisë, taksave dhe doganave, por ka shtuar se nuk pret “përparime të menjëhershme”.
“Ne synojmë të bëjmë përparim në muajt e ardhshëm, siç ishte rasti me lehtësimin e sanksioneve ndaj NIS (Industrisë së Naftës së Serbisë) dhe me marrëveshjet strategjike të energjisë dhe tëmbrojtjes”, ka thënë ai.
EULive sjell deklaratën e Vuçiqit lidhur me pjesëmarrjen e paralajmëruar të tij në Paradën e “Ditës së Fitores” në Moskë më 9 maj.
“Në Bruksel dhjetë ditët e fundit, pyetje e vetme është si të ndëshkohen Vuçiqi dhe Serbia, ndërsa injorohen krizat globale si tensionet midis Indisë e Pakistanit ose mungesat e energjisë. Prania ime në Moskë është fiksimi i tyre i vetëm”, citohet Vuçiqi.
Portali kujton se Komisionerja për Zgjerim e BE-së Marta Kos paralajmëroi më 30 prill në Beograd se prania e Vuçiqit në Paradën e Fitores në Moskë mund të rrezikojë rrugën e Serbisë drejt BE-së.
Por, Vuçiq demonstroi guxim, duke deklaruar se ai do të largohej nga politika me kushtet e tij dhe jo nën presionin e jashtëm.
Ai bëri të ditur se ka në plan që më 8 maj t’ia dorëzojë një mirënjohje të lartë Patriarkut rus Kirill dhe se është e mundur që gjatë vizitës në Moskë të zhvillojë një takim të shkurtër dypalësh edhe me presidentin kinez Xi Jinping.
(r.m.)