Zagreb, 2 maj 2025 – Parlamenti i Kroacisë e ka miratuar të enjten një ligj të ri për varrezat, i cili parasheh heqjen e përmendoreve të serbëve të ngritura pas 30 majit 1990, raporton Klix.ba.
Ky ligj parashikon që pronarët e varreve duhet t’i heqin gurët e varreve nëse mbishkrimet në to, siç thuhet në ligj, “i ofendojnë ndjenjat fetare, morale dhe kombëtare të kroatëve”.
Nisma për heqjen e përmendoreve të serbëve është iniciuar nga deputeti i PD-së, Stipo Mlinariq, i cili ka thënë se do të hiqet çdo përmendore apo pllakë që ka shprehjet si: “tokë serbe” për Kroacinë, “vdiq për Krajinën serbe” e të ngjashme.
Sipas ligjit, pronarët e vendvarrimeve janë të obliguar të largojnë përmendoret ose pllakat memroriale brenda 30 ditësh. Në të kundërtën ata do të gjobiten nga 1.000 deri në 5.000 euro.
Hirësia e tij Mitropoliti i Zvornik-Tuzlës, Fotije, e kritikoi miratimin e këtij ligji, duke e cilësuar atë si “Stuhinë” e fundit në Kroaci (duke iu referuar operacionit të forcave kroate “Stuhia” që kishte çuar në zhvendosjen masive të serbëve të Krainës nga Kroacia).
(r.m.)