Prishtinë, 3 maj 2025 – Deputetët e Kuvendit të Kosovës e refuzuan për herë të dytë formimin w një komision për votim të fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, në përpjekjen e dhjetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të organit më të lartë ligjvënës.
Seanca konstituive do të vazhdojë të hënën, më 5 maj, në orën 10:00.
Në vazhdimin e dhjetë të seancës konstituive, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe kanë refuzuar sërish që të propozojnë një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, i akuzoi për bllokim të procesit partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Sipas Gërvallës, partia fituese, së bashku me partnerët e saj, ku bën pjesë edhe partia e saj, Guxo, ka ofruar alternativa për zhbllokimin e procesit, por nuk është e gatshme të bëjë pazare për \hbllokimin e procesit.
“Kemi ofruar alternativa në vazhdimësi, ajo çfarë nuk kemi ofruar kanë qenë pazaret. Nëse përvoja e së kaluarës është që pazaret çojnë në zhbllokim, atëherë duhet të llogarisim që nuk jemi zhbllokim sepse ky koalicion nuk është i gatshëm të bëjë pazare në kurriz të funksionimit të institucioneve”, tha ajo.
Gërvalla tha se votimi i fshehtë është mënyrë e mirë për tejkalimin e procesit, por argumentoi se me mosvotimin e komisionit për këtë mënyrë votimi, partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë po blejnë kohë për një koalicion të mundshëm.
“A është diçka kjo për të krijuar një qeveri mes partive opozitare me Listën Serbe, apo që pazaret ende nuk kanë sjell rezultat, apo që duan ta çojnë vendin në zgjedhje të reja”, tha ajo, duke shtuar se janë të gatshëm për zgjedhje të reja, por nuk i synojnë, tha ajo.
Gërvalla tha se “beteja politike” është ajo për formimin e Qeverisë së re dhe jo për konsitutimin e Kuvendit. Kosovës, Ajo theksoi se qeverinë e re e bën “ose pushteti (I deritashëm) ose opozita (e deritashme) me Listën Serbe2”.
Ndërkaq, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, e cilësoi si jokushtetuese mënyrën se si Lëvizja Vetëvendosje po tenton që kryeparlamentari të zgjidhet përmes votimit të fshehtë. Sipas tij, partia fituese e zgjedhjeve po tenton që të “mbajë pushtetin me çdo kusht”.
“[Kreu i LVV-së, Albin] Kurti nuk ka vota për t’u bërë kryeministër dhe kjo është arsyeja kryesore që po e mban peng shtetin, po e mban peng Kuvendin”, tha ai.
Krasniqi i bëri thirrjen Lëvizjes Vetëvendosje që ta propozojë ndonjë deoutet tjetër për kryetar të Kuvendit, duke theksuar se kandidatura e Albulena Haxhiut “nuk do të kalojë as në votimin e 100-të”.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, përsëriti se ndryshimi i mënyrës së votimit gjatë procesit është jokushtetues. Edhe ajo theksoi se LDK nuk do ta votojë Albulena Haxhiun.
“Ne nuk kemi votë për Albulena Haxhiu. Kryetari i Parlamentit duhet të zgjidhet me marrëveshje politike dhe kështu do të vazhdojmë derisa ata nuk reflektojnë”, tha ajo.
Edhe Time Kadrijaj nga AAK-ja tha se ndryshimi i mënyrës së votimit është joligjor. Ajo sërish kërkoi që partia fituese e zgjedhjeve të paraqesë një kandidat tjetër për kryeparlamentar.
Para përpjekjes paraprake, më 1 maj, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ftoi në takim për kionsultime kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e pranoi ftesën dhe shkoi në takim, por aty nuk u arrit asnjë marrëveshje për tekalimin e ngërçit.
Po atë ditë, në përpjekjen e nëntë, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi të krijohet një komision për votim të fshehtë për kryeparlamentarin e ri. Por, PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe refuzuan të propozonin përfaqësuesit e tyre në këtë komision, kështu që seanca u ndërpre.
Seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill. Konstotiumi përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve. Propozimi i kandidatit për kryetar është e drejtë ekskluzive e partisë që fiton numrin më të madh të deputetëve, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje. Në gjashtë votimet e deritashme, kandidatja e kësaj partie, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i marrë votat e nevojshme, së paku 61 sosh. PDK-ja dhe AAK-ja e konsiderojnë Haxhiun si figurë përçarëse që nuk mund të ketë rol unifikues në organinin më të lartë ligjvënës.
(r.m.)