Romë, 8 maj 2025 – Papa i 267 i Kishës Katolike, Papa Leo XIV, është amerikani i parë i zgjedhur papë. Zgjedhja e tij u bë në votimin e tretë, të enjten, në ditën e dytë konklavës.
Njoftimi për zgjedhjen e tij u bë nga një kardinal nga ballkoni në Bazilikën e Shën Pjetrit, i cili shqiptoi fjalët latine “habemus papam” (kemi papën e ri).
Papa Leo XIV iu drejtua për herë të parë turmës së mbledhur në Vatikan.
“Paqja qoftë me ju” ishin fjalët e para, në prezantimin si papë.
“Do të doja të ofroja një përshëndetje paqeje për familjet tuaja, të gjithë ju, kudo që jeni. Paqja qoftë me ju”, tha ai.
Papa Leo XIV bëri thirrje që Kisha Katolike të “ndërtojë ura” dhe të angazhohet në dialog.
Duke nderuar paraardhësin e tij, Papa Françeskun, ai u bëri thirrje besimtarëve të ecin përpara, “pa frikë, të bashkuar, dorë për dore me Zotin dhe njëri-tjetrin”.
Ai i falënderoi kardinalët që e zgjodhën që të udhëheqë Kishën Katolike.
Papa Leo XIV, vjen nga Çikago dhe është 69 vjeç. Ai konsiderohet një figurë e Kishës Katolike me bindje të afërta me Papa Françeskun. Ai ishte prej kohësh njëri nga bashkëpunëtorët e tij të afërt, i zgjedhur në poste të rëndësishme që i dhanë ndikim të madh brenda Kishës Katolike.
Më parë ai ka qenë drejtues i rendit fetar të Augustinianëve dhe është emëruar në një nga zyrat më të fuqishme të Vatikanit, atë që e mbikëqyr përzgjedhjen e ipeshkvijve në gjithë botën.
Origjina e tij nga SHBA-të që për shumë kohë shihej si pengesë për zgjedhjen e tij Papë, për shkak të fuqisë gjeopolitike të vendit, nuk e pengoi për ta marrë këtë post.
Megjithatë, ajo që e zbuti këtë “disavantazh” të tij ishte angazhimi i tij i gjatë në Peru, ku jetoi për vite me radhë si misionar dhe më pas si kryeipeshkv. Ai e ka edhe shtetësinë peruane.
Prevost është zgjedhur dy herë si udhëheqës suprem i rendit fetar të Augustinianëve, një rend i themeluar në shekullin XIII nga Shën Augustini. Në vitin 2014, Papa Françesku e transferoi nga udhëheqja e rendit në Peru për të shërbyer fillimisht si administrator dhe më pas si kryeipeshkv i Çiklayo-s.
Ai qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 2023, kur Papa Françesku e thirri në Vatikan për t’ia besuar një post që i siguronte kontakte të vazhdueshme me hierarkinë katolike në Amerikën Latine, rajonin me numrin më të madh të katolikëve në botë.
Në fillim të vitit 2025, Papa Françesku e emëroi Prevostin në krye të dikasterit që e mbikëqyr emërimin e ipeshkvijve dhe të kardinalëve në mbarë botën, një nga zyrat më të rëndësishme në strukturën e Kishës Katolike.
Kjo pozitë i dha atij një rol të rëndësishëm në konklavën papnore, një privilegj që e gëzojnë shumë pak kardinalë.
(r.m.)