Prishtinë, 26 maj 2025 – Qeveria në detyrë e Kosovës ka shprehur gatishmëri për të diskutuar me Mbretërinë e Bashkuar lidhur me propozimin që në Kosovë rë ngritjen “qendra të kthimit” të azilkërkuesve të refuzuar nga ishulli britanik.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se vendimi për këtë çështje do të merret pas diskutimeve me të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës.
“Besojmë se është e drejtë të themi se mund të fillojmë diskutimet mbi këtë temë, por të gjitha institucionet tona shtetërore duhet të përfshihen dhe më pas vendimi do të varet nga rekomandimet e tyre. Shumë pyetje do të kenë nevojë për përgjigje paraprakisht”, ka thënë Kryeziu për Radion Evropa e Lirë.
Kjo deklaratë vjen pas raportimeve se Mbretëria e Bashkuar po e konsideron Kosovën si një nga vendet e mundshme për strehimin e migrantëve që e kanë përfunduar procesin e apelimit për azil në Mbretërinë e Bashkuar.
Propozimi për ngritjen e qendrave të kthimit është pjesë e një strategjie më të gjerë të Mbretërisë së Bashkuar për të adresuar numrit në rritje të migrantëve që mbërrijnë në ishullin anglez përmes rrugëve të paligjshme.
Sipas raportimeve nga gazeta britanike The Times, këto qendra do të shërbenin për të strehuar azilkërkuesit që kanë përfunduar procesin e apelimit dhe janë në pritje të deportimit.
Qeveria britanike ka zbuluar së fundmi një pako investimesh prej gjashtë miliardë eurosh për strehimin e migrantëve në Maqedoninë e Veriut.
Në Shqipëri tashmë është ngritur një qendër e strehimit të migrantëve që kthehen nga Italia.
Në muajin mars, BE-ja hapi rrugë që vendet anëtare të përpunojnë kërkesat e migrantëve jashtë kufijve të bllokut.
Organizata ndërkombëtare Human Rights Watch ka shprehur shqetësimin se përdorimi i vendeve të Ballkanit si vende pritëse për migrantët mund të shkelë të drejtat e tyre dhe të krijojë sfida të reja për vendet pritëse.
Kjo organizatë u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar që të heqin dorë nga ideja që Ballkani të përdoret si “magazinë për migrantët”.
Në vitin 2022, Kosova dhe Danimarka nënshkruan marrëveshje për dhënien me qira të 300 qelive të burgut në Gjilan për vebndosjen e të burgosurve të huaj që pritet të dëbohen nga Danimarka, pas përfundimit të dënimit. Në këmbim, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro, të cilat do të investohen në Shërbimin Korrektues dhe në projekte të energjisë së ripërtëritshme.
Kjo marrëveshje kishte ngjallur reagime nga organizatat ndërkombëtare dhe shoqëria civile, të cilat kanë shprehur shqetësime për mundësinë e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe për sfidat që mund të sjellë menaxhimi i të burgosurve të huaj në Kosovë.
Më parë, Kosova kishte strehuar rreth 1.900 shtetas afganë që ishin evakuuar nga Afganistani pas rikthimit të talibanëve në pushtet në vitin 2021.
Sipas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, afganët do të qëndronin në Kosovë derisa do të kalonin procesin e verifikimit për t’u zhvendosur në SHBA ose në ndonjë vend tjetër perëndimor.
Kampi “Liya” në bazën ushtarake amerikane Bondsteel në Ferizaj, ku ishin trehuar afganët, tashmë është mbyllur. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, pjesa më e madhe e afganëve ishin transferuar tashmë në vendet pritëse, ndërsa një numër i vogël mbetet ende në Kosovë.
(Sipas Radios Evropa e Lirë)