Përgatiti Rafaela Prifti
Njëqind vjet më parë në verën e vitit 1925 qyteti i vogël Dayton, në shtetin juglindor të Amerikës, Tenesi, mbante të mbërthyer sytë e mbarë botës. Aty kishte nisur gjykimi mbase më i famshëm i shekullit 20. I etiketuar “gjyqi i majmunëve”, ai ishte vetëm në dukje për mësimdhënien e evolucionit në shkollë. Faktikisht, lidhej me debatin midis shkencës dhe fesë, dhe më tej, me lirinë e fjalës, shkruan Smithsonian Magazine. Duke dëgjuar shumë të flitet për projektligje që miratohen ose hidhen poshtë të referuara në klauzolën e Amandamentit të Parë të Kushtetutës (the Establishment Clause) që është në thelb, ndarja e shtetit nga feja, gjeta të dhëna me interes të përmbledhura këtu.
Mësuesi i diturisë së natyrës, 24 vjeçari, John Scopes (Xhon Skoups) akuzohej se kishte shkelur ligjin shtetëror që ndalonte mësimin e evolucionit në shkollën publike. Si avokati i prokurorisë Uilliam Xhenings Brian, edhe ai i mbrojtjes Clarence Darrow ishin figura shumë të respektuara dhe të njohura të kohës. Banorë e vizitorë nga të tëra anët ishin dyndur në sallën e gjyqit bashkë me 200 gazetarë të ardhur nga jugu dhe verilindja deri tek agjencitë e lajmeve evropiane, ruse, kineze dhe japoneze. Ndonëse nga ana e jashtme diskutohej nëse mësuesi e shkeli ligjin (Batler Act 1925) në thelb ishin ndryshimet e kohës dhe reagimet e shoqërisë ndaj tyre. Ishin vitet kur gratë sapo e kishin fituar të drejtën e votës, zezakët kishin ardhur nga jugu në shtetet e veriut, punëtorët ishin hedhur në greva për rritjen e pagesës, radioja, telefoni dhe filmat kishin ndikuar në mënyrën e jetesës së njerëzve të thjeshtë dhe një luftë brutale në rang botëror sapo kishte përfunduar. Natyrisht, teoria e Darvinit (1859) nuk kishte të bënte fare me asnjë nga këto, por ajo u bë “emblema” e të gjitha ndryshimeve që tanimë ishin të pranishme në shoqëri. Sindikata amerikane e Lirive Civile (ACLU) që e kishte ngritur zërin për shkak se ligji nuk respektonte Amendamentin e Parë të Kushtetutës Amerikane, me këtë rast gjeti njeriun e përshtatshëm për t’i dhënë jehonë çështjes, dhe ashtu ndodhi.
Feja dhe Shkenca – Gjykimi i çështjes nuk vinte fenë përballë shkencës, sepse ky do ishte thjeshtëzim i tejkaluar. Një grupim i Kristianizmit e merr Biblën si të mirëqenë jo vetëm nga ana morale dhe etike, por edhe nga ana historike e natyrore. Megjithëse Origjina e Specieve kishte ngjallur debate të forta për krijimin e gjallesave, për disa mendimtarë teologë, teoria darviniane nuk e eliminonte Krijuesin, aty vetëm se tregohej sesi ImadhiZot arriti synimet e tij nëpërmjet evolucionit si proces natyror.
Për tradicionalistët, evolucioni ishte “i fëlliqur” madje i rrezikshëm. Në fjalorin e tyre kishte përshkrime të zjarrta si “duel për jetë a vdekje midis evolucionit dhe Kristianizmit” si edhe mallkime për Darvinin si “infidel”. Edhe për konservatorët që nuk ishin kaq ekstremistë, ishte megjithatë e papranueshme ideja se njerëzit kanë ardhur nga paraardhës si majmuni, duke qenë se teoria është keqinterpretuar atëherë ashtu si edhe sot. Njeriu nuk ka ardhur “nga majmuni” por ka rrjedhur nga një lloj i mëparshëm i përbashkët me ta. Në të vërtetë gjyqi nuk u mor fare me teorinë e Darvinit. Çështja nuk ishte çfarë u mësoi mësuesi Scopes nxënësve, por a kishte të drejtë tu jepte mësim për këtë dhe rrjedhimisht nëse nxënësit kanë lirinë të mësojnë apo lexojnë diçka që nuk diktohet nga shteti.
“Liria e një njeriu nuk mbrohet pa mbrojtur lirinë e të gjithë njerëzve…Amerika është krijuar mbi konceptin e lirisë, dhe jo mbi paragjykime të ngurta, jotoleruese dhe të palogjikshme të maniakëve të fesë,” tha prokurori Darrow gjatë gjykimit.
Pasojat – Teoria e Darvinit për paraardhës të përbashkët sugjeron se ndarjet racore janë në të vërtetë fiktive, dhe superioriteti i “Nordikëve’ të bardhë ishte thjesht fantazi. Veç kësaj, gjyqi vinte në pah edhe dasitë midis qytetit dhe fshatit dhe çka është më me rëndësi mendësitë përkatëse. Gjatë seancës së marrjes në pyetje në gjyq u shpalosën njohuritë dhe përgatitja e dy avokatëve të famshëm në një duel intelektual që la gjurmë në jurisprudencë, frymëzoi vepra artistike dhe madje ridimensionoi gazetarinë shkencore, (si për shembull mund të klasifikohet ky shkrim.) Trupit gjykues iu deshën vetëm 10 minuta që të shpallte fajësinë dhe gjykatësi e dënoi mësuesin me 100 dollarë gjobë. Gjykata supreme e Tenesisë e quajti të mirëqenë dënimin, por duke u kapur pas një detaji teknik nuk lejoi që çështja të apelohej më tej. Megjithatë ligji në fjalë u eliminua në 1967 duke e bërë të ligjshëm mësimin e evolucionit në shkollat publike.
Gjyqi ishte ngjarja më e popullarizuar e anti-evolucionistëve kundra teorisë së Darvinit, por nuk ishte e fundit. Gjatë viteve 1970 ithtarët e “kreacionit” tentuan të ofronin origjinën biblike në shkolla krahas me evolucionin. Përballja vajti deri në gjyq në Arkansa në fillim të viteve 1980. Gjykatësi deklaroi se ideja e krijimit i takon fesë dhe jo shkencës dhe se nuk mund të hynte në programin shkollor ngaqë kjo cënonte klauzolën e Amandamentit të Parë të Kushtetutës, sipas së cilës shtetit nuk i lejohet të krijojë ose favorizojë një besim të caktuar, pra në thelb, klauzola e ndarjes së shtetit nga feja. Në vitet 1990 dhe fillim të 2000 kundërshtarët e evolucionit u përpoqën të sillnin në shkolla “dezajnin inteligjent” që çoi në një gjyq tjetër në Pensilvani. Gjykatësi edhe aty tha se kjo qasje nuk kishte baza shkencore dhe Kushtetuta nuk e lejonte që mësuesit të detyrohen ta japin atë si alternativë të teorisë së Darvinit në klasë. Të tilla tentativa në formën e projekt-ligjeve për “pikat e forta dhe dobësitë” e teorive shkencore janë shumë të përhapura sot.
Rezistenca ndaj evolucionit nuk është dukuri që ndodh vetëm në Amerikë, por ndërlidhja e fesë, shtetit dhe shkollës, që shpesh nxjerrin në dritë teorinë e Darvinit, konsiderohet një fenomen tipik amerikan. Një pjesë e popullsisë e perceptojnë Biblën në formë mekanike, pra fjalë për fjalë, dhe një në tre amerikanë nuk e pranojnë idenë se njeriu ka rrjedhur nga qenie paranjerëzore. Në kohën e sotme kundërvënia ndaj evolucionit është më e fortë në Amerikë sesa në Evropë dhe Japoni. Gjithsesi duhet pranuar se evolucioni ka bërë përparime edhe në Amerikë. Përpara njëqind vjetëve gjyqi ishte tregues i ndasive të thella shoqërore dhe politike. Edhe pas një shekulli, ai ilustron kontrastet e forta shoqërore dhe politike, të cilat i përjetojmë sot.
Në artin e dramës dhe në kinematografi, kjo ngjarje i dha shkas dramës dhe më pas filmit “Inherit the Wind” (Trashëgimtari i Erës) – shprehje nga Bibla – ku jepet ideja se ai që shkakton trazira apo prish konakun e vet nuk trashëgon asgjë.
*Proverbs 11:29. The verse states, “He that troubles his own house shall inherit the wind.”