Salla koncertale në Kimel Center, shtëpia e Orkestrës së Philadelphias riemërohet Marion Anderson Hall
Nga dr. Sadik Elshani
Philadelphias në radhë të parë është e njohur anembanë botës si vendlindja e ShBA-ve, ku më 4 korrik të vitit 1776 është shpallur pavarësia nga Anglia. Si kryeqytet i parë i Amerikës, Philadelphia është e njohur edhe si qytet ku janë themeluar institucionet e para të shtetit amerikan. Por, Philadelphia është e njohur edhe si “qytet i arteve”, me një numër të madh të muzeumeve të pasura me vepra arti, teatrove, galerive, akademive e shkollave të artit, si dhe orkestrës simfonike me famë botërore, Philadelphia Orchestra, e njohur për cilësinë karakteristike të zërit të saj. Emrin e Orkestrës së Philadelphias e kam dëgjuar qysh në rininë time, ende pa ardhur në Amerikë. Në rininë time në Kosovë e Zagreb kam patur një kolekcion të pasur të pllakave të muzikës klasike, në të cilat kishte mjaft pjesë të luajtura nga Orkestra e Philadelphias nën udhëheqjen e dirigjentit të saj legjendar, Eugene Ormandy (1899 – 1985). Fati i jetës deshi që të vendosem në Philadelphia në vitin 1999 dhe t’i përcjell drejtpërdrejt koncertet e kësaj orkestre të mrekullueshme. Nga themelimi i saj në vitin 1900 e deri në vitin 2001 ajo ka qenë e vendosur në Academy of Music, ndërsa nga viti 2001 ajo është vendosur në Kimel Center.
Verizon Hall riemërohet Marian Anderson Hall
Kimel Center, hapur më 15 dhjetor 2001, është një qendër e madhe e mjaft moderne për artet e luajtura (performing arts), Wshtë një qendër koncertale e teatrore me një sallë të madhe me 2500 ulëse dhe një sallë më të vogël me 650 vende (Perelman Theater), e cila kryesisht shërben për recitale e shfaqje teatrore. Duhet cekur se salla e madhe, që tani është shtëpia e Orkestrës së Philadelphias ka formën e një violonçeloje. Familja Kimel ka qenë donatorja kryesore për ndërtimin e kësaj qendre. Salla kryesore deri në vitin e kaluar (2024) është quajtur Verizon Hall, ndërsa nga 8 qershori i vitit 2024 është riemëruar Marion Anderson Hall, në nderim të këngëtares, kontraltos Marian Anderson, njërës prej këngëtareve më ikonike të muzikës amerikane dhe pioniere e të drejtave qytetare (civil rights), përndryshe edhe vendëse e Philadelphias. Kjo u bë e mundur fal bujarisë së ciftit Richard Uoley dhe Leslie Miller të cilët kanë bërë një donacion prej 25 milionë dollarësh për Orkestrën e Philadelphias. Të pakta janë sallat koncertale në botë të cilat e mbajnë emrin e një artisti – ato kryesisht i mbajnë emrat e donatorëve apo korporatave të mëdha. Çifti i lartpërmendur me plot të drejtë kanë mundur t’ia vënë emrin e tyre, por ata me këtë gjest fisnik kanë bërë diçka më shumë se vetja e tyre. Ky veprim bëmirësie sjell edhe një porosi të madhe e simbolike – është një akt që të shtynë të reflektosh pak, sepse të sjell ndërmend një ngjarje që i ka ndodhur zonjës Anderson në vitin 1939. Ajo ngjarje e atij viti dhe riemërimi i sallës koncertale me emrin e Marion Anderson më nxiti edhe mua të reflektoj kur këto ditë isha në një koncert të Orkestrës së Philadelphias: Në vitin 1939 zonja Anderson nuk ishte lejuar të këndonte në një sallë të njohur të kryeqytetit amerikan, ndërsa tani njëra nga sallat më madhështore të Amerikës e mbanë emrin e saj. Kjo ishte edhe njëra nga arsyet që më shtynë për t’i shkruar këto radhë.
Koncert madhështor në shkallët e Lincoln Memorial
Në vitin 1939 Shoqata Kombëtare e Bijave të Revolucionit Amerikan (The National Society Daughters of the American Revolution) e kanë refuzuar kërkesën që zonja Anderson të mbajë një koncert në sallën e kësaj organizate në Uoshington, D. C., më 9 prill. Zonja Anderson ka qenë afrikano – amerikane, ndërsa në atë kohë ka qenë periudha e ndarjes racore (racial segregation). Ky ishte një vendim kundërthënës që u kundërshtua fuqishëm nga forcat më përparimtare të vendit, gazetat e figurat e njohura publike. përfshirë edhe Zonjën e Parë të ShBA-ve në atë kohë, Eleanor Roosevelt. Me ndërhyrjen e zonjës dhe presidentit Roosevelt dhe disa të tjerëve, ata e bindën Sekretarin e Brendshëm (Secretary of the Interior), Harold L. Ickes, që të bëjë të mundur organizimin e një koncerti në mjedis të hapur, në shkallët e Lincojn Memorial. Edhe një simbolikë tjeter kjo, koncerti mbahej në Memorialin që nderon presidentin i cili u kishte dhënë lirinë skllevërve. Ky koncert madhështor u organizua të Dielen e Pshkëve, me 9 prill, dhe u ndoq nga 75.000 pjesëmarrës entuziastë e miliona të tjerë që e ndoqën përmes valëve të radios.
Disa të dhëna të shkurtëra jetëshkrimore e arritje artistike të zonjës Anderson
Marian Anderson ka lindur në Philadelphia më 27 shkurt 1897, ku edhe është shkolluar. Ka qenë kontralto afrikano – amerikane e shquar për repertorin e saj të gjërë muzikor, nga operat e deri te këngët spirituale. Ka kënduar në sallat koncertale prestigjioze, e shoqëruar nga orkestrat më të njohura të botës dhe ka bashkëpunuar me personalitetet më të njohura muzikore të kohës. Më 7 janar të vitit 1957 ajo u bë këngëtarja e parë afrikano – amerikane që ka kënduar në Metropolitan Opera. Për të arriturat e saj artistike është nderuar me shumë shpërblime të rëndësishme. Ajo është personi i parë që është nderuar me Medaljen Presidenciale të Lirisë më 1963. Wshtë nderuar edhe me: Medaljen e Artë të Kongresit, Nderimet e Qendrës Kennedy, Medaljen Kombëtare të Arteve, Çmimin e Kombeve të Bashkuara për Paqe, Çmimin Grammy për të Arritura Jetësore e shumë shpërblime e nderime të tjera.
Ka dhënë koncerte anembanë Amerikës dhe ka patur disa turne të suksesshme në disa vende europiane, ku është pritur me shumë entuziazëm. Ndonëse ishte një këngëtare e shkëlqyer, e njohur në tërë vendin dhe e adhuruar nga publiku artdashës, ajo nuk ishte imune ndaj diskriminimit racor. Disa herë ka qenë e refuzuar nga hotelet e restorantet. Kur në vitin 1937 ajo ka dhënë një Koncert në Universitetin e Princetonit, hotelet e kanë refuzuar, duke mos i dhënë dhomë për të fjetur. Atëherë, Albert Ajnshtajni e ka marrë në shtëpinë e tij. Në atë kohë Ajnshtajni ka qenë profesor në Universitetin e Princetonit. Marian Anderson ka vdekur më 8 prill 1993 në qytetin Portland të shtetit Oregon.
Ja, si është fati i jetës: dikur e rfuzuar të këndojë në një sallë koncertale, sot njëra nga sallat më prestigjioze koncertale e mban emrin e saj. Një vërtetim jetësor se e mira gjithmonë ngadhënjen mbi të keqen, e bukura mbi të shëmtuarën.



