Shqipëri: Seanca e parë e Kuvendit ndërpritet nga mazhoranca, për të penguar diskutimet e deputetëve të opozitës

Tiranë, 29 maj 2025 – Seanca e parë e Kuvendit të Shqipërisë, e cila nisi të enjten, më 29 maj, zgjati vetëm 15 minuta.

Mazhoranca nuk e pranoi kërkesën e opozitës për diskutime të deputetëve jashtë rendit të ditës së seancës, në të cilën ishin përfshirë vetëm njoftimet dhe miratimi i kalendarin 3-javor të punimeve të Kuvendit.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, propozoi ndryshimin e rendit të ditës dhe futjen në rend të ditës edhe diskutimet e deputetëve. Duke iu referuar Rregullores së Kuvendit, ku thuhet se çdo deputet është i lirë të diskutojë për çështje të ndryshme në bazë të një kohe të përcaktuar, ai kërkoi që diskutimet të zgjasnin 60 minuta.

Por mazhoranca e rrëzoi propozimin me forcën e kartonave, ndërsa opozita protestoi kundër votimit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se zgjedhjet ishin një farsë dhe u ndikuan nga krimi i organizuar dhe përdorimi i burimeve publike në fushatë. Ai tha se 28 deputetë të mazhorancës kanë hyrë në Kuvend nga grupet kriminale.

“Ju mblidheni këtu pasi klanet e vrasësve, drogës, kartelet e drogës, sjellin në këtë parlament 28 deputetë në lista të mbyllura dhe të hapura,” tha ai.

Pas ndërprerjes së seancës, Berisha e cilësoi si “të turpshme” seancën e parë të përbërjes së re të Kuvendit. Ai e akuzoi mazhorancën se po përpiqet t’i shmanget debatit dhe transparencës.

“Kësaj i thonë kur Parlamenti shndërrohet në një bodrum të mafies. Nuk respektohet as Kushtetuta, as ligjet. Parlamenti përdoret si një dyqan privat i partisë së krimit dhe kjo ishte një ndër seancat më të turpshme. Kur pas një farse elektorale të paprecedentë, në vend që qytetarët të dëgjonin të gjithë faktet dhe argumentet e opozitës dhe të deputetëve se çfarë ndodhi më 11 maj, këta ja mbathin për disa minuta,” tha Berisha.

Ai theksoi se do të vazhdojë të mbrojë votën e lirë të qytetarëve.

“Ajo që dua t’u garantoj shqiptarëve është se do ta mbroj kauzën e drejtë të tyre për votën e lirë”, u shpreh Berisha.

Kuvendi i Shqipërisë pritet t’i vazhdojë punimet në fillim të korrikut, ndërsa konstituoimi i legjislaturë së re të dalë nga zgjedhjet e 11 majit pritet të bëhet në muajin shtator.

(r.m.)

Comment

*