Beograd, 1 qershor 2025 – Në Serbi janë shtuar kërkesa për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa Presidenti Aleksandar Vuçiq përpiqet që t’i shtyjë sa më shumë ato.
Kjo kërkesë është theksuar më shumë të dielën në mbrëmje, në 34 qytete të Serbisë, ku janë mbajtur protesta me moton “Vostani Serbije“ (Ngritja e Serbisë), të organizuara nga studentët e revoltuar nga qeverisja e vendit.
“Duam drejtësi, duam të vërtetën, duam zgjedhje”, kanë brohoritur protestuesit në Beograd, Novi Sad, Nish e qytete të tjera.
Një studente e Fakultetit të Elektroteknikës të niversitetit në Beogradit ka thënë se pushteti në Serbi përpiqet të shtyjë sa më shumë shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme sepse i ftrikësohet humbjes.
Kërkesën për zgjedhje të parakohshme e kanë shprehur edhe protestuesit në Novi Sad.
“Është koha t’u kujtojmë se i shohim dhe duam zgjedhje të parakohshme. Koha është që të organizohemi dhe t’ua bëjmë të qartë se nuk do të tolerojmë parregullsitë zgjedhore dhe se Kushtetuta do të respektohet”, ka thënë një student i Fakultetit Juridik.
Ai ka theksuar se “një shoqëri demokratike nënkupton mbikëqyrjen e pushtetit dhe kërkimin e llogaridhënies”.
Protestës së thirrur nga studentët u janë bashkuar edhe shumë qytetarë të zhgënjyer me mënyrën e qeverisjes. Një protetsues në Beograd, i cili tha se në protest ka dalë bashkë me miqt e tij, ka thënë se e mbështet plotësisht kërkesën e studentëve për zgjedhje të parakohshme.
“Kjo është një ide që edhe unë e mbështes, por ata [studentët] kanë energjinë. Ata po e udhëheqin këtë, ne jemi këtu për t’i përkrahur. Ky protestë është vetëm një hap në këtë proces”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.
Njëjtë është shprehur edhe një përfaqësuese e pushtetit lokal në protestën e Novi Sadit. Ajo ka thënë se zgjedhjet duhet të shpallen menjëherë.
“Këtë po e themi nga Novi Sadi, por edhe nga qytetet tjera ku po protestohet në të njëjtën kohë. Nuk ka më asnjë ditë për të pritur. Ju mbetet vetëm t’i shpallni zgjedhjet”, është shprehur ajo.
Protestuesit e kanë bllokuar trafikun në pikat kryesore pothuaj në të gjitha qytetet.
Në Beograd protestuesit i kanë bllokuar dy nga urat më të frekuentuara, Gazelën dhe Urën e Brankos. Në Novi Sad protestuesit e kanë bllokuar njërën nga nyjet kryesore në qendër të qytetit.
Studentët e universiteteve publike në Serbi i kanë bllokuar prej më shumë se gjashtë muajsh dhe po organizojnë protesta anembanë Serbisë po fitojnë mbështetje gjithnjë e më të madhe të të gjitha shtresat e shoqërisë. Në fillim ata kërkuan luftimin e korrupsionit dhe keqqeverisjes, kurse në muajin maj dolën më kërkesë eksplicite për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili i akuzon, sith thotë, “shërbimet e huaja” për bllokimin e universiteteve dhe për protestat, tha se nuk do t’I nënshtrohej presioneve për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Më 16 maj, ai tha se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen pas një viti e gjysmë, siç u shpreh, “kur të marrin vendim institucionet përkatëse”.
(r.m.)