Nga Lazar SEMINI, AP
Tiranë (Shqipëri) – Ulërimat e turmës ose emocionet e ndeshjes janë shenja dalluese të futbollit ndërkombëtar. Por, të shtunën, kur Shqipëria dhe Serbia do të luajnë një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2026, do të domijojë një atmosferë ndryshe.
Ndeshja në Tiranë nuk është vetëm një përballje për tri pikë, pasi jehona e përballjeve të kaluara është e pamundur të injorohen. Kjo është një përballje që i ka thellë në rrënjë në identitetet kombëtare, por organizatorët po përpiqen fort për t’i lënë jashtë fushës së futbollit.
Kjo ndeshje është një nga rivalitetet më të ngarkuara politikisht dhe emocionalisht në futbollin evropian, i rrënjosur në tensionet e thella historike dhe etnike, veçanërisht në lidhje me konfliktin e Kosovës dhe me historinë në gjithë rajonin e Ballkanit
Serbia dhe Shqipëria janë në të njëjtin grup kualifikues për Kampionatin Botëror, së bashku me Anglinë, Letoninë dhe Andorën.
Herën e fundit ato u takuan në tokën shqiptare në vitin 2015, kur Serbia fitoi 2:0 , ndonëse tifozëve serbë u ishte ndaluar pjesëmarrja në stadium.
Kujtimet e dhunës së vitit 2014 në Beograd janë ende të freskëta
Ndeshja e vitit 2014 midis këtyre dy ekipieve në Beograd ishte ndërprerë, pas dhunës së përmasave të mëdha që kishte shpërthyer në stadium për shkak të një droni me flamurin kombëtar shqiptar. Shqipërisë i ishte dhënë fitore 3:0 me një vendim ku thuhej se ndeshja nuk mund të vazhdonte për shkak të mjedisit armiqësor në stadium. Kjo ia kishte siguruar Shqipërisë kualifikimin për Kampionatin Evropian 2016. Kjo ishte hera e parë që ky ekip merrte pjesë në këtë kampionat.
Ajo ndeshje ishte vlerësuar me rrezik të lartë. Kosova, e banuar me shumicë shqiptare, e shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, akt ky që nuk pranohet nga Serbia. Në futboll, ku shpesh manifestohen politika dhe nacionalizmi, është manifestuar kjo përçarje të thellë.
Derisa Tirana përgatitet për përballjen e fundit, kujtimet e asaj nate – dhe zjarri nacionalist që e ndezi ajo - gëlojnë pak nën sipërfaqe.
Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës
Serbia dhe Shqipëria kanë mosmarrëveshje midis tyre për statusin e Kosovës tani të pavarur, ndërsa rivaliteti mes tifozëve të tyre është ende shumë i fortë.
Pothuajse gjysma e skuadrës së Shqipërisë janë futbollistë shqiptarë nga Kosova, nga Maqedonia e Veriut ose nga Serbia jugore. Për lojtarët, kjo është një ndeshje që mbetet në hije të historisë, politikës dhe krenarisë kombëtare – dëshmi se ndonjëherë sporti është gjithçka tjetër përveçse lojë.
Mbrojtësi i Shqipërisë, Elseid Hysaj, i cili ka qenë pjesë e ekipit në ndeshjen e vitit 2014, tha se kaosi i Beogradit “nuk duhet të përsëritet”.
“Duhet të jemi të qetë dhe të vetëdijshëm se jemi lojtarë futbolli”, tha ai.
“Ne jemi këtu për t’i kënaqur tifozët dhe për të dhënë më të mirën tonë për fitore”, shtoi Hysaj.
Organizatorët ua kujtojnë tifozëve se kjo është vetëm një ndeshje futbolli
Armand Duka, president i Federatës Shqiptare të Futbollit, u bëri thirrje shqiptarëve që ndeshjen me Serbinë ta shohin vetëm si një ngjarje sportive ku “ekipi merr mbështetje dhe energji pozitive nga tifozët për ta arritur qëllimin”.
“Ne duam të japim mesazhin: le ta përjetojmë si një festë sportive”, tha Duka për Associated Press.
Në Tiranë do të ketë një prani të madhe të policisë, mbyllje rrugësh dhe kontrolle të tifozëve që do të hyjnë në stadium. Tifozëve serbë u ësht ndaluar hyrja, gjë që “do të kontribuojë për një mjedis më të qetë në staium”, tha Duka.
Shqipëria dhe Serbia kanë ndërmarrë hapa për të krijuar marrëdhënie më të mira midis tyre. Ato do të organizojnë bashkërisht Kampionatin Evropian të meshkujve nën 21 vjeç të vitit 2027, një projekt ky që ka synim uljen e tensioneve politike.
“Lojtarët nuk e mbajnë barrën e historisë apo të tensioneve politike”, tha Duka.
“Ata garojnë në fushë për të fituar, për të dhënë më të mirën për fanellën që e përfaqësojnë dhe, mbi të gjitha, për të ndërtuar urën e respektit përmes lojës”, tha ai.
Konflikti mes nacionalistëve dhe tifozëve të futbollit
Edhe pse tensionet politike janë ulur disi vitet e fundit, nacionalistët dhe tifozët e futbollit e të dyja palëve janë në konflikt të ashpër. Si Shqipëria ashtu edhe Serbia janë përballur me sanksione nga organi drejtues i futbollit evropian për shkak të incidenteve me motive politike në të cilat janë përfshirë tifozët.
Megjithatë, presidenti populist i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pak ditë më parë, i ngriti më shumë tensionet, Në një tubim të mbështetësve të tij, ai i tha trajnerit të Serbisë, Dragan Stojkoviq, se Serbia duhet ta fitojë.
“Shko atje dhe mundi”, tha ai duke iu drejtuar Stojkoviqit, i cili ishte në mesin e turmës.
Stojkoviq dhe disa lojtarë [të Serbië] janë përpjekur t’i ulin tensionet, duke thënë se kjo është thjesht një ndeshje tjetër.
“Të gjithë thonë se ndeshja e parë është shumë e rëndësishme,” tha Stojkoviq për ndeshjen e parë të Serbisë në Grupin K.
“Ne jemi shumë të përqendruar që të fillojmë ashtu siç dëshirojmë dhe do të përgatitemi të luajmë sa më mirë që mundemi në këtë kuptim, me gjithë respektin e duhur për Shqipërinë”, tha ai
(r.m.)