Bruksel, 6 qershor 2025 – Ministrat dhe ministret e Mbrojtjes të NATO-s, në takimin e tyre në Bruksel, ranë dakord për programin më të madh të armatimit prrej disa dekadash që parashikon një zgjerim të konsiderueshëm të aftësive parandaluese dhe mbrojtëse në vitet e ardhshme.
Programi përmban objektiva të reja për aftësitë ushtarake. Ato specifikojnë saktësisht se me çfarë duhet të kontribuojë në të ardhmen secili prej vendeve aleate për parandalimin dhe mbrojtjen e përbashkët.
Prioriteti më i lartë u jepet aftësive të tilla si sistemet e armëve me rreze të gjatë veprimi, mbrojtjes ajrore dhe forcave tokësore të lëvizshme.
Megjithatë NATO i klasifikoi si tepër secrete të dhënat konkrete për planet, në mënyrë që aleanca të bëhet për Rusinë një kundërshtare sa më pak e paparashikueshme që të jetë e mundur.
Sipas informacioneve të agjencisë gjermane të lajmeve dpa, kërkesat e deritanishme për kapacitetet ushtarake janë rritur me 30 përqind.
Sipas ministrit Federal të Mbrojtjes, Boris Pistorius, vetëm ushtria gjermane Bundeswehr do të ketë nevojë për deri në 60,000 ushtarë aktivë shtesë për të përmbushur kërkesat e reja të NATO-s.
Politikani sociademokrat e quajti këtë një veprim të fuqishëm dhe tha se vitet e ardhshme Gjermania do të formojë dhe “do të pajisë plotësisht” njësi të reja ushtarake.
Në takimin e tyre në Bruksel, ministrat dhe ministret e Mbrojtjes diskutuan edhe për përgatitjet për samitin e NATO-s që do të zhvillohet në fund të muajit në Hagë. Fokusi i samitit do të jetë rritja e shpenzimeve të shteteve anëtare për mbrojtjen.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka propozuar që deri në vitin 2032 vendet e NATO-s të shpenzojnë të paktën 3.5 përqind të prodhimit të tyre të brendshëm bruto (PBB) për mbrojtjen dhe 1.5 përqind të PBB-së për infrastrukturën që lidhet me mbrojtjen, si p.sh. për rrugë dhe ura. Gjermania dhe Franca kanë rënë tashmë dakord me këtë propozim, ndërsa vende si Spanja dhe Italia konsiderohen si kundërshtare të qëllimeve të tilla ambicioze.