Bruksel, 10 qershor 2025 – Emisari evropian për dialogun, Peter Sorensen, tha se po bën përgatitje për organizimin e një takimi të nivelit të lartë në dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se gjatë takimit në Bruksel me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, të zhvilluar më 10 qershor, ka diskutuar për normalizimin e raporteve mes dy vendeve dhe janë pajtuar që diskutimet të vazhdojnë së shpejti.
“Isha mikpritës i një takimi të gjatë në Bruksel mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë. Diskutuam lidhur me avancimin e normalizimit të raporteve të tyre në përgatitje të një takimi të nivelit të lartë të dialogut, për zbatimin e obligimeve dhe çështjet aktuale. U pajtuam që së shpejti të vazhdojmë diskutimin”, shkroi ai në X.
Që nga marrja e mandatit si ndërmjetës, Sorensen të martën ishte mikpritës i takimit të parë mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq.
Ndërkaq, Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar takim të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut, që nga shtatori i vitit 2023.
Bislimi: Sorensen ka vizion të qartë se si të ecet përpara
Pas rundit të dialogut në Bruksel, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ndërmjetësi i ri i dialogut, Sorensen, ka një vizion të qartë se si të ecet përpara në takimet e radhës.
“Në rezultate konkrete, është ende herët. Sorenseni e ka pak a shume një vizion të qartë se si të ecet në takimet e radhës. Javën tjetër do të dërgojë dy nga më të afërtit e tij në Kosovë e Serbi për të marrë informata shtesë dhe më pas në fillim të korrikut do të vendosë për hapin e radhës. Sorenseni do edhe një takim në korrik. Kjo tregon për mua që ai ka investim të madh në proces, ka dëshirë të shohë rezultat, por deri tash dihet se Serbia ka sabotuar procesin”, tha ai.
Bislimi tha se gjatë 10 qershorit në Bruksel janë zhvilluar një sërë takimesh. Ai tregoi se fillimisht është mbajtur një takim trepalësh. Më pas, kryenegociatori kosovar ka zhvilluar edhe takim dypalësh me emisarin evropian.
“Ideja ka qenë që të kemi tri tema të ndryshme në takimet e sotme. Në fillim, jemi dakorduar për principet se si do të udhëhiqen takime trepalëshe me Sorensenin. Jemi dakorduar me të gjitha propozimet e Sorensenit”, u shpreh Bislimi.
Ai tha se pjesa kryesore e takimit trepalësh u përqendrua në diskutimet se si të ecet përpara sa i përket zbatimit të Marrëveshjes Bazë, për të cilën Kosova dhe Serbia janë pajtuar më 2023.
Në këtë drejtim, Bislimi tha se janë paraqitur idetë e palëve dhe “nuk ka pasur dakordim të plotë” mes tyre.
“Na është thënë që në takimin e radhës t’i sjellim idetë në mënyrë të shkruar”, theksoi Bislimi.
Zëvendëskryeministri i Kosovës tha se gjatë takimit dypalësh me emisarin evropian ka diskutuar për disa tema.
“Personat e pagjetur për ne ka qenë tema më e rëndësishme, ku kemi treguar çfarë ka bërë Kosova këto muaj e çfarë nuk ka bërë Serbia. Kemi diskutuar edhe për transferet financiare te qytetarët e Luginës së Preshevës, dhe kemi garantuar se s’bëjmë shkelje. Diskutuam edhe për funksionalizimin e interkonjeksionit me Serbinë që po e rrit koston e transmisionit për energjinë jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin. Gjithashtu folëm edhe për menaxhimin e integruar të kufirit që ka ngecur faji i Serbisë dhe fushatën sistematike të dezinformatave nga ana e Serbisë”, deklaroi Bislimi.
Petkoviq insiston në formimin e Asociacionit
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se në rundin e ri të dialogut Serbia ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe uljen e tensioneve që tha se janë hapat e parë drejt normalizimit të raporteve.
“Sa i përket uljes së tensioneve edhe një herë kam folur shumë qartë dhe prerë për terrorin e [kryeministrit në detyrë të Kosovës] Albin Kurtit ndaj popullit serb në Kosovë, veçanërisht në veri. Për gjithçka që ndodh çdo ditë. Kemi dorëzuar sërish listën me veprimet më të fundit që çojnë në përshkallëzim”, tha Petkoviq.
Ai tha se statuti për themelimin e Asociacionit duhet të bazohet në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015, të arritura në kuadër të dialogut, duke shtuar se asociacioni duhet të duket në bazë të këtyre marrëveshjeve.
Një draft-statut i hartuar për këtë asociacion nga BE-ja nuk është dërguar ende në Gjykatën Kushtetuese për interpretim nga Qeveria në detyrë e Kosovës. Një veprim i tillë do të shënonte hapin e parë drejt krijimit të Asociacionit.
Krynegociatori serb foli edhe për rolin e Sorensenit si ndërmjetës i dialogut. Për dallim nga homologu kosovar që vlerësoi se emisari i ri ka vizion të qartë për dialogun, Petkoviq tha se nuk dëshiron ta gjykojë Sorensenin bazuar vetëm në takimin e parë trepalësh.
“Sorensen po përpiqet të ndihmojë, dhe kjo është edhe roli i tij në këto bisedime. Procesi është i yni dhe ne duhet të angazhohemi për të arritur përparim në dialog. Nga ana jonë ekziston një vullnet i qartë politik, por këtë po e presim prej kohësh nga ana e Prishtinës. Do të shohim, nuk do të doja të gjykoj Sorensenin bazuar vetëm në takimin e parë trepalësh. Le t’i japim një mundësi të tregojë veten dhe të shohim si do të duket rezultati nën ndërmjetësimin e tij”, theksoi ai.
Edhe Petkoviq tha se në Bruksel ka diskutuar për çështjen e personave të zhdukur, por edhe për tema të tjera, sikurse energjia.
“Nga ana jonë kemi konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Grupit Punues në Gjenevë më 26 qershor, duke treguar kështu gatishmërinë e plotë për ta zgjidhur këtë çështje humanitare, e cila është me rëndësi për familjet e të zhdukurve”, theksoi ai.
Ai po ashtu tha se është rënë dakord që bisedimet në nivel kryenegociatorësh të vazhdojnë në fillim të korrikut.
Rundi i ri i dialogut u zhvillua pas takimeve dypalëshe që zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe kryenegociatori Petkoviq, zhvilluan me Sorensenin më 2 qershor në Bruksel.
Bislimi deklaroi se në takimin e tij me Sorensenin javën e kaluar në Bruksel bisedoi për qasjen që do të ketë zyrtari evropian në fazat e ardhshme të bisedimeve në nivel të kryenegociatorëve, si dhe ato të nivelit të lartë, nën drejtimin e kryediplomates së BE-së, Kaja Kallas.