Tel Aviv / Teheran, 14 qershor 2025 – Teherani e ka kryer një valë të re sulmesh raketore në Tel Aviv dhe qytete të tjera të Izraelit gjatë natës dhe mëngjesit të së shtunës. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua se ushtria e tij do të ndërmarrë sulme të mëtejshme kundër Iranit, raportoi Radio Evropa e Lirë.
Raketat iraniane dhe kundërajrorët nga sistemi i mbrojtës izraelite “Kupola e Hekurt” e ndriçuan qiellin mbi Tel Aviv pas mesnatës. Disa raketa ranë dhe shpërthyen në ndërtesa. Haifa dhe Jerusalemi u sulmuan gjithashtu, thanë zyrtarët ushtarakë.
Sipas zyrtarëve të emergjencës, të paktën tre njerëz u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmet iraniane.
Të shtunën në mëngjes ushtria izraelite njoftoi se po godiste dhjetëra raketahedhës në Iran, pasi paraprakisht e kishte shënjestruar mbrojtjen ajrore iraniane në rajonin e Teheranit.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit e paralajmëroi ashpër udhëheqësin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.
“Nëse Khamenei vazhdon të hedhë raketa ndaj territoreve izraelite, Teherani do të digjet”, tha Israel Katz, pas një takimi me shefin e shtabit të ushtrisë.
Përfaqësuesi i Iranit në OKB deklaroi se 78 njerëz u vranë dhe mbi 320 të tjerë u plagosën nga sulmet izraelite.
Televizioni shtetëror Iranian raportoi të shtunën se rreth 60 njerëz, përfshirë 20 fëmijë, u vranë nga një sulm izraelit mbi një kompleks banimi në Teheran.
Kjo është dita e dytë radhazi që Irani kryen sulme ajrore në Izraeli, si përgjigje hakmarrëse për një sulm shkatërrues që Izraeli i kreu një ditë më herët kundër objekteve të lidhura me programin bërthamor të Teheranit.
Ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve të kthehen në strehimoret kundërajrore, ashtu siç kishin bërë një ditë më parë.
Kjo valë e fundit bombardimesh erdhi pas një dite të vështirë me sulme ajrore nga të dyja palët. Forcat izraelite kanë vazhduar goditjet ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake në Iran, duke vrarë një gjeneral të lartë, zyrtarë të tjerë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë.
Më herët, gjeneral izraelit Effie Defrin deklaroi se të dyja valët e raketave të premten përbëheshin nga rreth 100 raketa secila, “shumica e të cilave” u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore.
Një nga objektivat në Iran që u godit ishte komanda e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në Teheran, sipas televizionit shtetëror iranian. Sulmi vrau komandantin e Gardës, gjeneralmajor Hossein Salami, sipas zyrtarëve iranianë.
Në mes të sulmeve, Netanyahu deklaroi se lufta e tij nuk është me qytetarët iranianë dhe u bëri thirrje atyre të rrëzojnë “diktaturën brutale që ju ka shtypur për 46 vjet”.
Ushtria izraelite tha se rreth 200 avionë ishin përfshirë në sulmet masive mbi Iranin, dhe televizionet izraelite raportuan se agjencia e inteligjencës Mossad mund të ketë ngritur një bazë të fshehtë brenda Iranit.
Khamenei tha se Izraeli do të përballet me pasoja të rënda për shkak të këtyre sulmeve.
“Me këtë krim, regjimi sionist i ka përgatitur vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm dhe do ta marrë atë pa dyshim”, tha Khamenei në një deklaratë.
SHBA-ja, aleati më i ngushtë i Izraelit, mbrojti veprimet izraelite, por deklaroi se Uashingtoni nuk u përfshiri në sulme.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e paralajmëroi Iranin të bëjë marrëveshje bërthamore “para se të jetë tepër vonë”, dhe Shtëpia e Bardhë tha se forcat tokësore amerikane kanë ndihmuar Izraelin për t’i rrëzuar raketat iraniane gjatë dy valëve të para.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Izraeli ndërmori “veprim të njëanshëm kundër Iranit” dhe se Shtetet e Bashkuara nuk janë përfshirë.
Liderët ndërkombëtarë kanë dënuar dhunën, por gjithashtu kanë bërë thirrje për përmbajtje.
(r.m.)