Ministrat e Jashtëm të 20 shteteve arabe dhe muslimane, nëpërmjet një deklarate të përbashkët, i kanë dënuar sulmet izraelite ndaj Iranit dhe kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve.
CNN raportoi të martën se ministrat e Egjiptit, Jordanisë, Pakistanit, Bahreinit, Bruneit, Turqisë, Çadit, Algjerisë, Komoreve, Emirateve të Bashkuara Arabe, Djibouti, Arabisë Saudite, Sudanit, Somalisë, Irakut, Omanit, Katarit, Kuvajtit, Libisë dhe Mauritanisë kanë shprehur “shqetësimin e tyre të thellë për përshkallëzimin e rrezikshëm në rajon”.
Diplomatët e këtyre vendeve theksuan edhe nevojën për respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve si edhe parimet e fqinjësisë së mirë. Ata i kanë nxitur palët që mosmarrëveshjet midis tyre “t’i zgjidhin me mjete paqësore”. Ata kanë theksuar se konflikti mes Izraelit dhe Iranit “duhet të zgjidhet vetëm nëpërmjet diplomacisë”.
Ministrat e Jashtëm të 20 shteteve arabe dhe muslimane kanë theksuar gjithashtu rëndësinë e krijimit të një rajoni pa armë bërthamore dhe po armë të tjera të shkatërrimit në masë në Lindjen e Mesme.
Izraeli ka nisur sulmet ndaj Iranit me arsyetim se ky shtet ka bërë përparim në programin bërthamor dhe së shpejti mund të prodhojë bomba atomike, gjë që përbën rrezik për Izraelin.
(r.m.)