Teheran. 18 qershor 2025 – Ushtria izraelite njoftoi të mërkurën pasdite për sulme të reja ajrore ndaj Iranit.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) njoftuan se forcat e tyre ajrore po godisnin objektiva ushtarake në zonën e Teheranit. Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit konfirmoi se disa raketa izraelite i kishin goditur periferitë veriore dhe lindore të Teheranit.
Agjencia e lajmeve Fars raportoi se shpërthime u dëgjuan në qytetin Karaj, në perëndim të Teheranit. Ajo bëri të ditur se automjetet e zjarrfikësve dhe të ekipeve të shpëtimit ishin në vendngjarje, pranë Aeroportit Payam. Pamjet e sulmit po shpërndahen në mediat sociale.
Të mërkurën paradite agjencitë e huaja të lajmeve i përshkruan rrugët e kryeqytetit iranian, Teheran, si “pothuajse të shkreta”. Raportimet tjhonë se aty-këtu shihej ndonjë veturë ose ndonjë skuter duke kaluar rrugëve tëe zbrazëta, ndërsa dyqanet janë mbyllur.
Sipas raportimeve, Teherani pothuajse është boshatisur menjëherë pas thirrjeve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe të Izraelit për evakuim.
Të martën Trump u bëri thirrje banorëve të Teheranit që “të evakuohen menjëherë” nga qyteti, duke lënë të kuptohet se priteshin sulme më të ashpra ndaj objektivave të ushtrisë iraniane.
Edhe Izraeli u bëri thirrje banorëve të pjesës jug-perëndimore të Teheranit që të largohen nga shtëpitë e tyre, në mënyrë që të mund të qëllonte objektivat ushtarake të Iranit në atë zonë.
Media iraniane raporton për turma të mëdha të njerëzve në rrugët që çojnë në pjesën veriore të qytetit.
Raportohet se një numër i konsiderueshëm iranianësh janë larguar nga vendi dhe kanë mësyrë vendet e qeta. Një pjesë e tyre ka mbërritur në Armeni, në kërkim të një strehe jashtë rrezikut nga bombat dhe raketat e Izraelit,
(r.m.)