Ish-negociatori iranian e paralajmëron Trumpin: Tri arsye që SHBA të mos ndërhyjë ushtarakisht në Iran

Sacramento (California), 20 qershor 2025 – Ish-negociatori iranian në bisedimet me fuqitë botërore për programin bërthamor të Iranit, Seyed Hossein Mousavian, e ka këshilluar Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Dpnald Trump, që të mos vendos për ndërhyrjen ushtarake të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara kundër Iranit, me qëllim shkatërrimin e centralit bërthamor Fordow.

Në një letër publike drejtuar Presidentit Trump përmes plaftormës X, Mousavian ka theksuar tri arsye që e bëjnë të padobishme, madje edhe shumë të dëmshme, ndërhyrjen ushtarake të SHBA-së kundër Iranit.

Mousavian ka vlerësuar se sulmi ndaj centralit bërthamor Fordow tani është i vonuar, me që iranianët tashmë do të kenë zhvendosur një pjesë të centrifugave të tyre në vende të sigurta.

Ai ka thënë se ndërhyrja direkte ushtarake të SHBA-së vetëm mund ta shtyjë Iranin drejt ndërtimit të bombës bërthamore, ndërsa Shtetet e Bashkuara mund të tërhiqen “në një luftë me pasoja dhe dëme shumë më të mëdha për Amerikën sesa luftërat në Afganistan dhe në Irak”.

Ish-negociatori iranian në bisedimet për programin bërthamor të Iranit ka paralajmëruar gjithashtu se ndërhyrja ushtarake e Shteteve të Bashkuara në Iran do ta bënte pothuajse të pamundur ose plotësisht të pamundur verifikimin e programit bërthamor të Iranit nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Energjinë Bërthamore.

Mousavian ua ka përcjellë këtë letër edhe emisarit të Presidentit Trump në negociatat për programin bërthamor të Iranit, Steve Witkoff, dhe Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio.

 

Letra e plotë:

  1. President Trump,

Sipas raporteve të medias, Shtëpia e Bardhë po e shqyrton një ndërhyrje ushtarake kundër Iranit me qëllim shkatërrimin e centralit bërthamor Fordow.

Duke supozuar se këto raporte janë të sakta, do të doja t’jua tërhiqja vëmendjen në tri pika që mund t’ju ndihmojnë në vendimmarrje:

  1. Është tepër vonë për të sulmuar centralin bërthamor Fordow, pasi ka shumë të ngjarë që pas agresionit ushtarak të Izraelit, iranianët do të kenë zhvendosur tashmë një pjesë të centrifugave të tyre të përparuara në vende të sigurta. Prandaj, çdo sulm ushtarak amerikan do të ishte joefektiv.
  2. Mos harroni: Pas Luftës së Dytë Botërore, Mbretëria e Bashkuar e zhvilloi bombën e saj të parë bërthamore duke i përdorur vetëm 16 centrifuga – centrifuga që ishin shumë më të ngadalshme se ato të përparuara aktuale të Iranit. Edhe Kina e ndërtoi bombën e saj të parë bërthamore vetëm me një numër të vogël centrifugash.

Pra, me një vendim të gabuar, ju jo vetëmsa mund ta shtyni Iranin drejt vendimit politik për të ndërtuar bombë bërthamore, por edhe mund t’i tërhiqni Shtetet e Bashkuara në një luftë me pasoja dhe dëme shumë më të mëdha për Amerikën sesa luftërat në Afganistan dhe në Irak.

  1. Një nga pasojat e shumta negative të agresionit ushtarak të Izraelit kundër Iranit është se pas luftës, do të bëhet pothuajse e pamundur – nëse jo tërësisht e pamundur – që IAEA të verifikojë programin bërthamor të Iranit. Askush nuk do të jetë në gjendje të përcaktojë se sa centrifuga ose sa rezerva bërthamore janë shkatërruar gjatë sulmeve.

Ky problem, meqë ra fjala, është pjesërisht rezultat i gabimit të vetë IAEA-s që miratoi rezolutën e saj të fundit kundër Iranit e cila ishte e motivuar politikisht.

  1. President!

Ju keni mundësinë të jeni president i paqes. Ju mund të arrini marrëveshje bërthamore me Iranin që i përfshin të gjitha mekanizmat dhe garancitë e nevojshme për të siguruar “pasurimin paqësor” në kuadrin e Traktatit të Mospërhapjes (NPT). Ideja e “eliminimit të pasurimit të Iranit” nuk është vetëm shkelje e NPT-së, por është një lëvozhgë bananeje nën këmbët tuaja dhe të Shteteve të Bashkuara.

@RealPresidentT

@SteveWitkoff

@SecRubio

 

Seyed Hossein Mousavian jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prej vitit 1981. Ai është prpfesor në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë, në Sacramento.

(r.m.)