Dështon sërish konstituimi i Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 23 qershor 2025 – Ka dështuar edhe përpjekja e 36-të për konstituim të Kuvendit të Kosovës.

PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja e pamundësuan për herë të 27-të votimin për zgjedhjen e komisionit për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit

Në sallë kanë qenë 99 deputetë. Për formimin e komisionit kanë votuar 53 deputetë, kundër ka votuar një deputet, kurse të tjerët nuk kanë votuar fare. As këtë herë, Lista Serbe nuk ka marrë fare pjesë në seancë.

Kryesuesi e caktoi seancën e radhës për të mërkurën në orën 11:00.

Pas votimit, përfaqësuesit e grupit më të madh parlamentar, Lëvizjes Vetëvendosje, i akuzuan tri partitë opozitare për bllokim të procesit, ndërsa këta të fundit e akuzuan LVV-në dhe liderin e saj, kryeministrin në detyrë Albin Kurti, për pengim të qëllimshëm të procesit të konstituimit të Kuvendit dhe të formimit të qeverisë së re.

Sipas raportit të forcave në Kuvend, asnjëra palë nuk i ka votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë së re, prandaj është e pashmangshme një marrëveshje politike, për të cilën nuk duken të gatshme asnjëra palë. Së paku tash për tash.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka filluar më 15 prill. Prej atëherë, deputetët janë mbledhur çdo 48 orë në përpjekje për të përmbyllur konstituimin e organit ligjvënës, siç parashihet në Kushtetutën e Kosovës.

(r.m.)

Comment

*