Doha / Uashington, 23 qershor 2025 – Agjencitë e lajmeve raportuan se Irani ka sulmuar me raketa bazën ushtarake amerikane në Katar.
Autoritetet e Katarit kanë thënë se Irani ka lëshuar raketa balistike në bazën ajrore amerikane Al Udeid, por raketat janë rrëzuar nga mbrojtja kundërajrore.
Edhe Pentagoni ka konfirmuar se baza amerikane Al Udeid në Katar është sulmuar nga raketa balistike me rreze të shkurtër dhe mesme, të nisura nga Irani.
Një zyrtar i mbrojtjes ka thënë se deri më tani nuk ka raportime për viktima amerikane. Ai ka thënë se autoritetet janë duke vëzhguar situatën dhe do të ofrojnë më shumë informacione “kur të jenë të qasshme”.
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se gjenerali amerikan Dan Caine dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, janë aktualisht në Dhomën e Situatave të Shtëpisë së Bardhë.
Dhoma e Situatave është një kompleks inteligjence në katin përdhes të Shtëpisë së Bardhë.
Caine dhe Hegseth janë dy zyrtarët me pozitat më të larta në Departamentin amerikan të Mbrojtjes që i raportojnë presidentit amerikan, Donald Trump, si komandant i përgjithshëm i ushtrisë.
Edhe Irani ka konfirmuar se ka sulmuar bazën ushtarake amerikane në Katar. Në një deklaratë publike të Garda Revolucionare të Iranit thuhet se kjo bazë është shënjestruar pas “agresionit të hapur ushtarak të regjimit kriminal të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Në deklaratë thuhet se Irani “nuk do të lërë pa përgjigje asnjë sulm ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe sigurisë kombëtare në asnjë rrethanë”.
Katari e ka dënuar ashpër sulmin e Gardës Revolucionare të Iranit kundër bazës ajrore amerikane Al-Udeid. Ministria e Jashtme e këtij vendi e ka cilësuar sulmin si aggression ndaj Katarit dhe ka paralajmëruar se do të kundërpëgjigjet në mënyrë të barabartë për këtë sulm.
“Ne e konsiderojmë këtë shkelje flagrante të sovranitetit të shtetit të Katarit, hapësirës së tij ajrore, ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara. Ne theksojmë se Katari rezervon të drejtën për t’u përgjigjur drejtpërdrejt dhe në mënyrë të barabartë me natyrën dhe shkallën e këtij agresioni”, ka thënë Majed al-Ansari, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Katarit, përmes një postimi në X.
Edhe Arabia Saudite e ka dënuar me terme më të ashpra sulmin e Iranit ndaj bazave amerikane në Katar, duke e cilësuar si aggression ndaj këtij shteti.
Në reagim thuhet se ky sulm “është i papranueshëm dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë”.
Al Udeid gjendet afër kryeqytetit të Katarit, Doha, dhe shërben si seli për operacionet ajrore të Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara për rajonin e Lindjes së Mesme.
Në të janë të stacionuar 8.000 ushtarë amerikanë.
Aty shërbejnë edhe forcat britanike, me rotacion.
Kjo bazë, e cila shërben si bazë logjistike për operacionet amerikane në Irak, e ka pistën me të gjatë të uljes ajrore në rajonin e Gjirit.
Katari i ka dhënë qasje SHBA-së në bazën Al Udeid në vitin 2000.
Pasi amerikanët e kanë marrë bazën nën menaxhim më 2001, Doha dhe Uashingtoni kanë nënshkruar marrëveshje në dhjetor të vitit 2002 për të njohur edhe zyrtarisht prezencën e ushtrisë amerikane në bazën Al Udeid.
Më 2024, rrjeti televiziv amerikan CNN ka raportuar se SHBA-ja ka arritur marrëveshje për të zgjatur prezencën ushtarake në Katar edhe për 10 vjet.
(r.m.)