Hagë, 25 qershor 2025 – Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka konfirmuar rrjedhjen e një raporti qeveritar që vlerëson dëmet e shkaktuara në tri objekte bërthamore iraniane nga sulmet ajrore të SHBA-së, duke e cilësuar atë si “paraprak” dhe me “besueshmëri të ulët”, pasi disa media raportuan se dokumenti sugjeron që operacioni ndoshta vetëm e ka vonuar programin bërthamor të Iranit për disa muaj.
Ky raport u kritikua ashpër nga presidenti amerikan, Donald Trump, i cili bashkë me Hegseth, foli për këtë vlerësim para gazetarëve në Hagë, më 25 qershor, ku po merrnin pjesë në një samit të NATO-s.
Hegseth tha se do të hapet një hetim nga FBI për të zbuluar se si detajet e këtij vlerësimi, të hartuar nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) – krahu i inteligjencës së Pentagonit – përfunduan në disa media, përfshirë CNN, The New York Times, The Washington Post dhe Reuters.
Vlerësimi konstaton se sulmet nuk i shkatërruan komponentët thelbësorë të programit bërthamor të Iranit, duke qenë kështu në kundërshtim me deklaratën e Trumpit se sulmet “e shkatërruan plotësisht dhe përfundimisht” kapacitetin e pasurimit bërthamor të Iranit.
Ndërsa Trump u tha gazetarëve në Hagë se “inteligjenca ishte shumë e paqartë”, ai beson se dëmet janë “shumë të mëdha”.
Ai ka këmbëngulur se bombardimet amerikane shkatërruan objektet bërthamore në Isfahan, Natanz dhe Fordo.
“Kjo ishte një shkatërrim total”, tha ai, duke shtuar se sulmet e kanë kthyer programin bërthamor të Iranit “dekada pas”.
“Ata nuk do të mund të ndërtojnë bomba për një kohë të gjatë”, shtoi Trump.
Trump i ka kritikuar ashpër mediat amerikane për raportimet e tyre se bombardimet amerikane nuk kanë arritur t’i shkatërrojnë objektet bërthamore të Iranit, siç kishte pretenduar ai.
Raporti i DIA-s tha se vetëm hyrjet e objektit thellësisht nëntokësor në Fordo u shkatërruan, ndërsa strukturat nën tokë mbetën të paprekura, sipas mediave amerikane.
Raporti pesëfaqësh gjithashtu tregon se Irani kishte zhvendosur tashmë rezervat e uraniumit të pasuruar në vende të tjera para sulmeve, sipas mediave amerikane.
Raportet gjithashtu vlerëson se bombardimet amerikane e kanë kthyer vetëm disa muaj mbrapa programin bërthamor të Iranit.
Më herët, zëdhënësja e Trumpit, Karoline Leavitt, e dënoi publikimin e raportit, për të cilin tha se ishte rrjedhur në CNN, që e raportoi i pari, nga një “humbës i ulët në komunitetin e inteligjencës”.
Ajo e quajti vlerësimin “plotësisht të gabuar”.
“Të gjithë e dinë çfarë ndodh kur hidhen 14 bomba me nga 13.000 kilogramë secila saktësisht mbi cak: shkatërrim total”, shtoi ajo.
Rafael Grossi, kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), tha se sulmet ajrore ka gjasë të kenë shkaktuar “dëme shumë të mëdha” në Fordo, por se “në këtë moment, askush, përfshirë edhe IAEA-në, nuk është në gjendje të vlerësojë plotësisht dëmet nën tokë në Fordo”.
IAEA-ja nuk ka qenë në gjendje të kryejë inspektime në Iran për shkak të konfliktit.
“Duke marrë parasysh ngarkesën eksplozive të përdorur dhe faktin që centrifugat janë jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj vibrimeve, pritet që dëmet të jenë shumë të mëdha”, tha Grossi në një deklaratë gjatë një takimi urgjent të Bordit të Guvernatorëve të IAEA-s, më 23 qershor.
Ai gjithashtu theksoi se agjencia nuk e di se ku ndodhen mbi 400 kilogramë uranium të pasuruar në nivel të lartë.
“Ne po bëjmë një supozim, i cili nuk është spekulim… sepse Irani më ka informuar zyrtarisht se do të ndërmarrin masa mbrojtëse. Këto masa mund të përfshijnë ose jo zhvendosjen e këtij materiali”, tha ai.
“Prandaj, lind një pyetje: Ku është ky material? Mënyra për ta zbuluar këtë është që inspektimet të rinisin sa më parë. Kjo do të ishte në të mirë të të gjithëve”, theksoi Grossi.
Ai gjithashtu tha se nuk do të kundërshtonte komentin e nënpresidentit amerikan JD Vance, i cili deklaroi se “nëse Irani ka uranium të pasuruar deri në 60 për qind, por nuk ka aftësinë ta pasurojë atë deri në 90 për qind dhe as kapacitetin për ta shndërruar atë në një armë bërthamore, atëherë kjo është një ‘sukses i misionit’ dhe ‘shkatërrim i programit të tyre bërthamor”.
Grossi tha për Fox News se kjo vlerësim i Vance mund të konsiderohet i saktë nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara.
“Ai po flet për operacionin ushtarak dhe për kriteret e suksesit”. tha Grossi.
“E respektoj këtë, por puna ime është ndryshe. Puna ime është të shoh ku është materiali, sepse Irani ka detyrimin të raportojë dhe të japë llogari për të gjithë materialin që posedon”, tha ai.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon, gjithashtu tha se ende është herët për të vlerësuar plotësisht efektin e sulmeve, por shtoi: “E dimë që kemi arritur ta zmbrapsim programin [bërthamor]”.
“Ne kemi arritur ta heqim kërcënimin e menjëhershëm që kishim”, tha ai.