Hagë, 25 qershor 2025 – Presidenti amerikan, Donald Trump, ka konfirmuar angazhimin e SHBA-së në zbatim të nenit 5 të traktatit të NATO-s.
“Ne jemi me ta gjatë gjithë kohës”, ka deklaruar presidenti amerikan.
Neni 5 pohon parimin e mbrojtjes kolektive dhe të ndërsjellë, që do të thotë se një sulm kundër një aleati të NATO-s konsiderohet një sulm kundër të gjithë anëtarëve të tij.
Një ditë më parë u raportua se Presidenti Trump, duke u përgjigjur në një pyetje në lidhje me nenin 5, nuk e kishte konfirmuar angazhimin e SHBA-së për zbatimin e këtij neni.
I pyetur nga gazetarët në Air Force One, nëse Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj klauzolës së nenit 5 të traktatit të NATO-s, Trump kishte thënë:
“Varet nga përkufizimi juaj. Ka përkufizime të shumta të Nenit 5. E dini këtë, apo jo? Jam i përkushtuar për të shpëtuar jetë. Jam i përkushtuar për jetën dhe sigurinë. Dhe do t’ju jap një përkufizim të saktë kur të shkoj atje. Thjesht, nuk dua ta bëj këtë në pjesën e pasme të një aeroplani”, kishte deklaruar Trump.
Shpërfillja e parimit thelbësor të NATO-s për mbrojtje kolektive ka shkaktuar pasiguri ndër pjesëmarrësit e samitit, i cili ka synim të mbajë SHBA-të të angazhuara për sigurinë evropiane.
(r.m.)