Dronët janë sot arma vendimtare e luftës moderne

Për kuriozitet – gjithshka nisi 30 vjet më parë, nga Aerodromi i Gjadrit në Shqipëri

 

Nga Ruben Avxhiu

Ka vite që shumica e fluturuesve ushtarakë që përdoren në ushtritë moderne janë të telekomanduara.
Gjithnjë e më pak pilotët vendosen në situata rreziku, madje dronët po bëhen gjithnjë e më të vegjël e më pak të kushtueshëm. Përdorimi i tyre në konfliktet e kohës sonë, si për shembull në Ukrainë, po bëhet gjithmonë e më vendimtar për fatin e betejave.
Ideja e këtyre fluturuesve pa pilot ka qenë e hershme dhe disa prototipa kanë konkurruar në vite, por prodhimi që revolucionizoi teknologjinë ushtarake të dronëve u përdor për herë të parë në Shqipëri, plot 30 vjet më parë, nga baza ushtarake e Gjadrit.
Bëhet fjalë për “Predatorin RQ-1”, një dron që telekomandohej nga toka dhe që mund të qendronte deri në 40 orë në ajër.


Për kuriozitet, plot 30 vjet më parë, në fund të qershorit 1995, një avion ushtarak amerikan C-130 solli pjesët përbërëse të katër dronëve Predator. Forcat ajrore amerikane dhe CIA sollën pastaj një personel prej rreth 70 vetësh që u mor me montimin e tyre dhe funksionimin e tyre. Shqipëria e kishte vënë Gjadrin në dispozicion të SHBA-së që një vit më parë.
Dronët u përdorën për të kryer operacione zbulimi në Bosnje. Këto fluturime u paraprinë bombardimeve nga avionët e SHBA-së dhe NATO-s të pozicioneve të serbëve të Bosnjes.
Bombardimet thyen moralin e forcave serbe pas masakrave si ajo e Srebrenicës dhe energjizuan forcat boshnjake e kroate duke krijuar rrethanat e nevojshme për bisedimet e paqes në Dejton, SHBA. Këto bisedime i dhanë fund luftës katërvjeare në Bosnje dhe konfliktit mes Jugosllavisë së mbetur dhe Kroacisë që kishte nisur nga viti 1991.
Predatori RQ-1 përfaqëson një kthesë të madhe në mënyrën se si përdoret teknologjia në luftë. Këto dronë fillimisht kishin vetëm aftësi zbuluese, filmonin, përcaktonin pozicione, mblidhnin dhe transmetonin informacione. Ato u përdorën më vonë akoma më shumë në Luftën e Kosovës, kur NATO ndërhyri për të shmangur katastrofën humanitare që po shkaktonte brutaliteti i forcave serbe ndaj popullsisë civile shqiptare si hakmarrje për qëndresën e UÇK-së.
Më vonë, Predatorët u pajisën edhe me aftësi për të hapur zjarr ndaj armikut dhe janë përdorur në mijëvjeçarin e ri, sidomos në Afganistan dhe Pakistan në kërkim të terroristëve të Al-Kaidës etj.

Ashtu si me internetin e zhvillime të tjera teknollogjike amerikane, dronët hynë edhe në përdorimin civil. Përdorimi më i bujshëm civil në Ballkan nga një shqiptar ka qenë gjatë ndeshjes së futbollit Serbi-Shqipëri në Beograd, në 14 tetor 2014. Ndeshja që luhej për kualifikimet në kampionatin evropian Francë 2016 u ndërpre kur një dron me flamurin që tregonte hartën e trojeve etnike shqiptare dhe me portretet e Ismail Qemalit e të Isa Boletinit si dhe mbishkrimin “AUTOCHTHONOUS”. Ndeshja u ndërpre më vonë nga dhuna e tifozëve serbë dhe u anullua për shkak të kushteve të pamjaftueshme të sigurisë për futbollistët shqiptarë dhe u caktua në tavolinë nga UEFA si një fitore 3-0 për Shqipërinë.

Sot, teknologjia po përparon me shpejtësi të madhe saë që është vështirë të imagjinohet se si do të luftojnë njerëzit vetëm disa vite më vonë. Dronët bëhen gjithnjë e më të vegjël, gjithnjë e më efektivë, gjithnjë e më vrastarë. Nga një anë, gjithnjë e më shumë zvogëlohet roli i njeriut në luftime, duke i besuar gjithnjë e më shumë automatizimit, kompjuterizimit, dhe mjeteve teknologjike.
Nga ana tjetër, mungesa e ushtarit në fushëbetejë e ka bërë luftën më pak të përgjakshme, por më të rrezikshme për popullatat civile, të cilat nuk janë të përgatitura për t’u mbrojtur nga teknologji të tilla. Më tej, ky zhvillim teknollogjik e kalon aftësinë luftarake nga ushtritë e mëdha te një grup i vogël specialistësh. Një decentralizim i kësaj teknollogjie rrit automatikisht rrezikun e terrorizmit dhe aktorëve joshtetërorë.
30 vjet më parë, kjo teknologji e re u përdor për t’i dhënë fund ciklit të luftrave në Ballkan dhe solli vendosjen e paqes dhe stabilitetit. Në kushtet e krijuara u mundësua pavarësimi i Kosovës dhe një numër anëtarësisht e kandidimesh në NATO dhe BE. Sido që të jetë e ardhmja, Gjadri dhe Shqipëria do të mbeten gjithmonë një shënim në fund të faqes së historisë botërore, për rolin e tyre të vogël si bujtës të provës së parë të këtij inovacioni.

Comment

*