Gjykata Kushtetuese e Kosovës: Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh

Prishtinë, 26 qershor 2025 – Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë, me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.

“Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] në ndërlidhje me nenin 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve], nenin 70 [Mandati i Deputetëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Aktgjykim duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë Seancën Konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili u publikua të enjten.

Gjykata Kushtetuese ka gjetur se seanca e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, e filluar më 15 prill 2025, nuk është zhvilluar në pajtim Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Seanca e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar dhe si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet dhe kërkesat e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në aktgjykim.

Në aktgjykim thuhet se kërkesa për masën e përkohshme është refuzuar njëzëri nga shtatë gjyqtarët që janë marrë me shqyrtimin e kërkesës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së rrjedhës së deritashme deritashme të seancës konsituive të Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese thekson se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është një akt kushtetues, i cili mund të quhet i përfunduar vetëm pas zgjedhjes së Kryesisë, përkatësisht të kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit.

Ajo e thekson gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në mirëbesim ndërmjet deputetëve dhe grupeve parlamentare për të siguruar funksionalitet institucional.

“E drejta për të propozuar Kryetarin, që i takon grupit më të madh parlamentar, vjen me detyrimin për të kërkuar konsensus dhe kompromis, dhe nuk mund të përdoret si instrument për bllokim institucional”, thuhet në aktgjykim.

Çështja e konstituimit të Kuvendit të Kosovës u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, dhe nga 10 deputetë të tjerë të partive që në mandatin e kaluar ishin në opozitë.

(r.m.)

Comment

*