Kurti fton liderët e partive politike në konsultime për procesin e konstituimit të Kuvendit

Prishtinë, 27 qershor 2025 – Kryeministri i Kosovës në detyrë, Albin Kurti, ka ftuar liderët e subjekteve politike parlamentare në një takim të përbashkët konsultativ lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Kurti e ka bërë ftesën në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), forces më të madhe politike në Kuvendin e Kosovës.

Takimi do të mbahet të shtunën në orën 16:00.

Kurti, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se këtë takim e ka ftuar, siç ka thënë, “në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”.

Ai ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që u publikua të enjten pasdite, “thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë”.

“Aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese thekson qartë se obligimi për ta konstituuar Kuvendin është obligim i të gjithë deputetëve dhe jo vetëm i subjektit të parë. Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, ka shkruar Kurti.

Përfaqësues të Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) paralajmëruan se liderët e tyre do të marrin pjesë në takimin konsultativ me Kurtin.

Të premten, në Kuvendin e Kosovës nuk u hodh fare në votim formimi i komisionit për mbikëqyrjen e procesit të votimit të fshehtë për kryetar të Kuvendit, pasi përfaqësuesit e grupeve parlamentare u morën vesh që liderët e partive të arrijnë një konsensus politik lidhur me procesimin e mëtejmë të çështjes së zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e saj, tha se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet sa më shpejt e më së largu brenda 30 ditësh, por nuk tha se si duhet të veprohet në rast se Kuvendi nuk konstituohet as pas këtij afati.

 Gjykata theksoi se votimi është obligim kushtetues i deputetëve. Ajo tha se deputetët janë të obliguar të marrin pjesë në seancën konstituive dhe të votojnë “për”, “kundër” ose “abstenim”, në bazë të vullnetit të tyre të lirë. Por, në aktgjykim, nuk tha shprehimisht nëse votimi duhet të bëhet në mënyrë të hapur apo në mënyrë të fshehtë. Lidhur me këtë çështje, Kushtetuesja iu referua praktikës së deritashme të zgjedhjes së kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës, votimi për të cilët është bërë gjithnjë në mënyrë të hapur.

Për këtë arsye, LVV, në njërën anë, dhe tri partitë tjera shqiptare (PDK, LDK dhe AAK) në anën tjetër, e interpretuan në mënyra të ndryshme aktgjykimin e Kushtetueses. Sipas LVV-së, Gjykata Kushtetuese nuk e ka vlerësuar si jokushtetues votimin e fshehtë në Kuvend, ndërsa sipas tri partive të tjera, Kushtetuesja e ka kualifikuar si jokushtetues votimin e fshehtë.

(r.m.)

Comment

*