S’ka konsensus për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 28 qershor 2025 – Ka përfunduar pa asnjë rezultat takimi i përfaqësuesve të partive parlamentare të Kosovës.

Kështu u njoftua pas takimit dy orësh, i cili ishte ftuar nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, në përpjekje për të arritur një konsensus për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, në një deklaratë për media, i falënderoi përfaqësuesit e partive politike që iu përgjigjën pozitivisht ftesës së tij për takim, por shprehu keqardhje që në këtë takim nuk është arritur një marrëveshje politike për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

Sipas tij, LVV-ja ka ofruar konsensus dhe kompromis, siç kërkohet në aktgjyklmin e Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata Kushtetuese ka theksuar se nuk është ajo që i zgjidh mosmarrëveshjet politike mes grupeve parlamentare. Ajo ka kërkuar konsensus, kompromis dhe bashkëpunim në mirëbesim dhe ne i kemi bërë të gjitha”, tha Kurti.

Ai bëri të ditur se gjatë takimit i ka ofruar dy opsione për zgjidhjen e krizës institucionale, të cilat ai i cilësoi si kompromise, por ato janë refuzuar nga liderët në opozitë.

“Kompromisi i parë: nëse kandidati ynë Albulena Haxhiu nuk i merr votat, ai do të tërhiqet nga gara. Kjo është një tërheqje nga ana jonë. Por, kjo nuk u bëri përshtypje partive opozitare. Kompromisi i dytë: të bëjmë një marrëveshje në paketë për kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët”, tha Kurti.

Kurti theksoi se Lëvizjes Vetëvendosje, si parti e parë, i takon përgjegjësia për formimin e qeverisë, ndërsa konsituimi i Kuvendit është përgjegjësi e të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend.

Ai tha se është i hapur për bashkëpunim të mëtejshëm dhe u bëri thirrje të gjitha partive që të veprojnë me përgjegjësi, siç u shpreh, “në funksion të interesit të qytetarëve dhe zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”.Kurti: Ofrova dy opsione kompromisi, opozita s’u tregua e gatshme për marrëveshje

Por, liderët e partive më të vogla në Kuvend e akuzuan Kurtin për mungesë vullneti për konseksus politik.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, tha se takimi ishte një aktrim i Kurtit pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku kërkohet që kryesia e Kuvendit të zgjidhet brenda 30 ditësh, me konsensus dhe kompromis të partive politike.

“Takimi që u ftua nga Kurti për të aktruar përmbushjen e një obligimi që aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ia jep për konsultime në mirëbesim dhe përgjegjësinë për të gjetur kompromis, rezultoi i pasuksesshëm sepse situata s’është e njëjtë, por Kurti është i njëjtë”, tha Krasniqi.

Sipas tij, Kurti nuk ka lëvizur nga pozicioni i deritashëm – që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të bëhet me votim të fshehtë, gjë që kundërshtohet nga tri partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë.

Kryetari i PDK-së tha se Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se votimi i fshehtë për një pikë të rendit të ditës që nuk ka kaluarf me votim të hapur përbën shkelje të Kushtetutës.Krasniqi: Kurti s’e kërkon kompromisin, por vetëm aktron

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e cilësoi si “farsë publike” ftesën e Kurtit për diskutim mbi vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit. Ai tha se edhe në këtë takim Kurti ka mbajtur të njëjtin qëndrim.

“Qëndrimet e deputetit Kurti ishin të njëjta sikurse para takimit”, tha Abdixhiku, duke theksuar se Kosova “mbetet në krizë” për shkak të Kurtit.Përfundon takimi i liderëve – Abdixhiku: Një farsë publike, Kurti me qëndrime të pandryshuara

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, tha se LVV-ja nuk e ka pranuar asnjë ofertë për zgjidhjen e ngërçit politik.

“Erdhëm me shpresë në këtë takim, por po shohim që nuk ka shpresë, nuk ka konsensus. Partia në pushtet nuk e ka pranuar asnjë ofertë që e kemi ofruar”, tha ajo.

Kadrijaj bëri të ditur se partitë që në mandatin e kaluar kanë qenë në opozitë kanë kërkuar që votimi për kryetar të bëhet në mënytrë të hapir, ndërsa LVV-ja ka kërkuar që për zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të  Kuvendit të votohet në pako.

“Kërkuam të mos vazhdohet me votimin e komisionit. Të kthehet te votimi i hapur e më pas është e drejta e LVV-së ta kandidojë secilin që do. Këta po duan që të votohet në pako, kryetari bashkë me nënkryetarët, por kjo nuk është praktikë e mirë, është antiligjore, shkelet Rregullorja e Kuvendit”, tha ajo.

Sipas saj, LVV-ja po bën interpretim selektiv të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 dhe aktgjykimit të fundit.

“Është e çuditshme se aty ku ju konvenon që me një aktgjykim të vitit 2014 që i jepet e drejta partisë së parë për ta zgjedhur kryeparlamentarin, po e shfrytëzojnë të drejtën e tyre për atë kandidat. Por me interpretimin tjetër të Kushtetueses, janë munduar me shtrembëru plot pika të këtij aktgjykimi, mos me pranu asgjë – as afatin 30 ditor, as shkeljen për ndryshimin e mënyrës së votimit”, tha ajo.Time Kadrijaj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se gjatë takimit është diskutuar më shumë për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese se sa për zgjidhjen e situatës. Ai theksoi se nga  krizat politike dilet me marrëveshje politike.

“Në takim është folur më pak për atë që unë besoj se është tema kryesore, për krizën politike. Krizat sikur kjo zgjidhen me marrëveshje politike. Edhe aktgjykimi [I Gjykatës Kushtetuese] e ka dhënë këtë udhëzim”, u shpreh Limaj.

Ai tha se LVV-ja, si partia më e madhe, duhet të sigurojë shumicën duke bërë compromise, por edhe liderëve e partive tjera u bëri thirrje që të lënë interesat partiake.Fatmir Limaj

Ndryshe nga liderët e partive që në mandatin e kaluar  kanë qenë në opozitë, përfaqësuesit e partive që ishin pjesë e pushtetit, megjithatë e vlerësuan pozitivisht takimin.

Bashëkryetari i Listës GUXO, Faton Peci, tha se në takim ka pasur diskutime konstruktive dhe u shpreh optimist se në javët në vazhdim do të ketë marrëveshje për konstituimin e Kuvendit.

“Duhet të vazhdojmë me tentativa të radhës në mënyrë që në javët e vazhdim të kemi Kuvend të konstituar.  Ka pasur diskutime pozitive nga disa akterë. Nga natyra jam optimist se do të gjendet një zgjidhje”, tha ai.

Peci tha se ai ka propozuar që subjektet politike të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit.

“Kam pasur propozim të ketë marrëveshje politike për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve. Të kemi pako të marrëveshjes dhe jo pako të votimit të kryetarit dhe nënkryetarëve”, tha ai.

Peci tha se partitë politike duhet të kuptojnë se LVV-ja është forca më e madhe politike.

“Rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk mund të tjetërsohet. Kryeministri në detyrë e ka legjitimitetin më të madh. Në funksion të kësaj, të gjitha partitë duhet t’i thirrin arsyes”, theksoi ai.

Ndërkaq, udhëheqësja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, tha se pretendimi i opozitës se votimi i fshehtë shkel Kushtetutën është i pasaktë.

“Në asnjërin nga paragrafët nuk është e specifikuar se mbarëvajtja e seancës konstituive ka shënuar shkelje kushtetuese”, tha ajo.Faton Peci

Gjykata Kushtetuese ka thënë se Kuvendi duhet të konstituohet më së largu brenda 30 ditësh, përmes një procesi që kërkon konsensus, kompromos dhe mirëbesim midis partive politike.

(r.m.)

Comment

*