Tiranë, 28 qershor 2025 – John Bolton, ish-këshilltar për sigurinë i presidentit amerikan Donald Trump në mandatin e parë, ka deklaruar se marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë nuk mund të imponohet nga jashtë. Ai ka thënë se marrëveshja do të arrihet kur dy palët do ta kuptojnë se marrëveshja është në interesin e tyre.
“Nuk do të ketë zgjidhje derisa palët të arrijnë në një pikë që të kuptojnë që nuk është në interesin e tyre për të vijuar konfliktin”, ka thënë ai në një intervistë për televizionin A2 CNN.
“Ne kishim këshilltarin e sigurisë dhe për të patur mundësinë e një marrëveshje, por gjithçka është në tavolinë tashmë dhe nuk ka për të qenë e lehtë. Por, e dimë që edhe konfliktet që duken të papajtueshme edhe për çështje që janë të vështira për t’i kuptuar për dikë nga jashtë, p.sh në rastin e Maqedonisë, gjetëm zgjidhje duke këmbëngulur. Nuk shoh pse kjo nuk mund të funksionojë për Kosovën dhe Serbinë”, ka shtuar ai.
Bolton, duke folur për zhvillimet në Ballkan, ka thënë se ende ka rrezik nga shpërthimi I konflikteve.
“Ka arsye për t’u shqetësuar. Ne i dimë të gjitha ngjarjet historike. Tani Ballkani është më i qëndrueshëm se 35 vite më parë, kur u shpërbënë ish-Jugosllavia dhe ish Bashkimi Sovjetik, por shumë çështje janë ende pezull dhe të paqarta. Mendoj se duhet të shikoni përpjekjet për të prekur zgjedhjet ruse në Rumani dhe politikën ruse në rajon, që është me të vërtetë diçka e rrezikshme”, ka thënë ai.
Bolton ka theksuar se SHBA-ja duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje Ballkanit, edhe për shkak të ndikimit rus.
“Mendoj se SHBA-ja duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje gadishullit të Ballkanit, pavarësisht miqve tanë të Evropës Perëndimore të cilëve ne ua lamë në dorë disa çështje. Në Ballkan nuk kemi parë shumë progress, për shkak të faktorëve historikë dhe përpjekjeve ruse për të patur influencën e vet, si në hapësirë e ish-Repuplikës Sovjetike ashtu edhe në Evropën Lindore e Qendrore. Mendoj se Ballkani do të jetë skenë e rëndësishme, andaj përfaqësuesit e qeverive në Ballkan do të jenë në interesin e SHBA-së”, ka thënë ai.
(r.m.)