Dështon edhe përpjekja e 38-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 29 qershor 2025 – Ka dështuar për herë të 38-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës, pasi deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së e kanë bojkotuar votimin për formimin e komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.

Para hedhjes në votim të çështjes së komisionit, përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së e kanë paralajmëruar kryesuesin e seancës, deputetin e LVV-së Avni Dehari, se po vazhdonte me shkeljen e Kushtetutës.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, e ka akuzuar Deharin për abuzim me detyrën, kurse deputetja e LDK-së, Hymete Bajrami, e ka akuzuar edhe për ndryshim të rendit të ditës. Njëjtë ka bërë edhe deputetja e AAK-së, Time Kadriaj. Dehari ua ka ndërprerë fjalën të triave, me arsyetim se me rregullore nuk lejohet debat gjatë procesit të votimit.

Megjithatë, ai e ka hedhur në votim propozimin për formimin e komisionit, për të konstatuar se votimi ka dështuar edhe këtë herë.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur më 15 prill, por ka ngecur te pika e dytë e rendit të ditës, zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve. Në të vërtetë, procesi është bllokuar te zgjedhja e kryetarit. Kandidatja e LVV-së, Albulena Haxhiu, nuk e ka fituar numrin e nevojshëm të votave në gjashtë votime të hapura, prandaj LVV-ja ka provuar vazhdimisht të shtyjë përpara propozimin që votimi për kryetarin e Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë.

PDK-ja dhe AAK-ja po provojnë ta bindin VV-në ta propozojë një kandidat tjetër që do të ishte më përfaqësues për reliefin politik të Kosovës, ndërsa LDK-ja thotë se nuk do të votojë për asnjë kandidat të propozuar nga LVV-ja. Por, LVV-ja e mbron me këmbëngulje kandidaten e saj, e cila ishte gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Përfaqësuesit e të gjitha partive politike parlamentare u takuan të shtunën, me ftesë të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për të diskutuar për rrëgëdalje nga kjo situatë. Por, ata nuk bënë asnjë hap përpara për zhbllokimin e procesit. Të dyja palët mbetën në qëndrimet e tyre dhe vazhduan me akuzat ndaj njëra-tjetrës, siç ka ndodhur çdo 48 orë, qysh prej fillimit të seancës konstituive.

Bllokimi i procesit të konstituimit të Kuvendit e mban peng edhe formimin e qeverisë së re. Ç’është e vërteta, duket se është e kundërta – konstituimi i Kuvendit është peng i formimit të qeverisë. Sipas raportit të forcave, LVV-ja dhe partnerët e saj që kanë qeverisur deri më tash nuk i kanë votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë së re, por votat e nevojshme për formimin e qeverisë nuk i kanë as partitë që kanë qenë në opozitë në mandatin e kaluar, përjashto Listën Serbe, e cila deri më sot nuk është përfshirë në ekuacionet paszgjedhore. Nëntë deputetët e kësaj partie, e cilakontrollohet nga Beogradi zyrtar, nuk kanë marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, madje, në shumicën e rasteve, as nuk kanë marrë pjesë në seancë.

Disa organizata të shoqërisë civile po i kritikojnë të gjithë deputetët për bllokadën e procesit të formimit të institucioneve. Në disa manifestime publike ata u kanë bërë thirrje subjekteve politike që t’i vënë interesin e përgjithshëm shtetëror para intereasave të partive dhe të liderëve të tyre.

Disa analistët i bëjnë thirrje Presidentes së Kosovës. Vjosa Osmani, që të angazhohet për zhbllokimin e situatës, ndonëse ajo nuk ka fuqi as politike dhe as juridike t’i detyrojë subjektet politike të arrijnë konsensus. Formalisht Presidenti është gardiani i Kushtetutës së vendit, por bllokada aktuale është puro politike, gjë që e bën presidentin të pafuqishëm për të bërë më shumë, përveçse nëse ndërhyrja e tij pranohet si akt i vullnetit të mirë.

(r.m.)

Comment

*