
Në këtë 4 Korrik, mesazhi ynë është i qartë: miqësia me Amerikën është pasuri kombëtare dhe duhet të trajtohet si e tillë; politika shqiptare, në të gjitha nivelet, duhet të flasë me një zë kur bëhet fjalë për partneritetin me SHBA-të; integrimi euroatlantik i Kosovës dhe i të gjithë shqiptarëve është një mision që nuk mund të zvarritet dhe as të negociohet. E ardhmja jonë është me botën e lirë, me SHBA-në si aleatin tonë të parë dhe të pazëvendësueshëm.Le të jetë ky 4 Korrik jo vetëm një ditë urimi për miqtë tanë amerikanë, por edhe një ditë reflektimi për ne, për të kuptuar se liria nuk është dhuratë, por përgjegjësi. Dhe se miqësia nuk është për t’u shfrytëzuar, por për t’u ruajtur, kultivuar dhe nderuar.
4 Korriku nuk është vetëm një datë që shënon lindjen e një shteti të lirë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe momenti kur nisi të ndërtohet një filozofi politike dhe njerëzore, e cila u bë frymëzim për popuj të tërë që kërkonin të drejtën për ekzistencë, vetëvendosje dhe dinjitet. Për shqiptarët, kjo datë lidhet ngushtë me aktin historik të Presidentit Udrou Uillson, i cili në Konferencën e Paqes në Paris më 1919 kundërshtoi me vendosmëri ndarjen e trojeve shqiptare dhe i dha zë të drejtës së tyre për të pasur një shtet të vetin. Ndërsa bota e vjetër përpiqej të rikthehej në ekuilibra të konsumuar, Uillsoni hodhi themelet e një miqësie të re asaj shqiptaro-amerikane e cila për ne është shndërruar në një nga shtyllat më të qëndrueshme të sigurisë kombëtare dhe të orientimit tonë gjeopolitik.
Uillsoni nuk bëri thjesht një gjest diplomatik, por një akt madhor moral dhe politik, i cili ndryshoi rrjedhën e historisë për shqiptarët. Ai vendosi themelet e një aleance që jo vetëm ka mbijetuar nëpër kohë, por ka qëndruar e palëkundur edhe gjatë periudhave më të trazuara të Ballkanit. Kjo lidhje nuk i përket vetëm së kaluarës, por mbetet imperative që në të tashmen të rifreskohet, të forcohet dhe të institucionalizohet. Për këtë arsye, rikujtohet me respekt dhe vlerësim propozimi i Faik Konicës që në vitin 1924 qyteti i Shën Gjinit të merrte emrin e Presidentit Uillson një simbolikë e fuqishme që mbeti si testament i gjallë i respektit dhe mirënjohjes së ndërsjellë. Sot, është më tepër se domosdoshmëri që në Prishtinë dhe në Tiranë të ngrihen muze të miqësisë shqiptaro-amerikane, ku kjo aleancë strategjike të konservohet dhe të shndërrohet në trashëgimi kulturore, edukative dhe diplomatike për brezat që vijnë.
Ashtu siç Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Mesjetë mbrojti kufijtë e qytetërimit evropian, dhe siç Gonxhe Bojaxhiu Nënë Tereza në shekullin XX shëroi plagët e njerëzimit me dashuri dhe përulësi, sot është koha që bota e lirë, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të dalë sërish në mbrojtje të popullit të tyre popullit të Gjergjit dhe të Nënës Terezë në frymën dhe vizionin e Presidentit Uillson.
Në këtë epokë sfidash të reja dhe riformësimesh të vjetra gjeopolitike, shqiptarët të shpërndarë në më shumë se një shtet kanë ende një proces historik të papërmbyllur. Dhe ashtu siç Presidenti Uillson e nisi me guxim dhe vizion këtë kapitull një shekull më parë, sot shqiptarët presin që politika amerikane ta çojë përpara këtë ideal: përkrahjen e pakushtëzuar për konsolidimin e plotë të shtetit të Kosovës, për njohjen e saj të pakthyeshme ndërkombëtare dhe për integrimin e saj të plotë në strukturat euroatlantike.
Në këtë kontekst, dinamika aktuale ndërkombëtare po krijon një dritare strategjike të re për historinë politike dhe shtetformuese të shqiptarëve. Pas suksesit të shënuar në proceset e normalizimit në Lindjen e Mesme nga administrata e Presidentit Donald Trump, pritshmëritë janë që në mandatin e tij të dytë, një ndër prioritetet e hershme të jetë arritja e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të diplomacisë amerikane në Zyrën Ovale. Një marrëveshje e tillë do të përbënte një moment kyç, jo vetëm për konsolidimin e paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, por edhe për mbylljen e një kapitulli të gjatë të shtetformimit të vonuar të Kosovës në sistemin ndërkombëtar.
Në këtë rrethanë, kapacitetet institucionale dhe elitat politike të Kosovës, të shoqëruara me spektrin e gjerë shoqëror, duhet të jenë të përgatitura për të artikuluar dhe mbrojtur me pjekuri interesin kombëtar. Vetëm një mobilizim gjithëpërfshirës, me koordinim të qartë dhe qëndrime të unifikuara, mund të garantojë një epilog të drejtë dhe të qëndrueshëm për të ardhmen e shtetësisë së Kosovës.
Një prej zgjidhjeve racionale dhe në përputhje me standardet e së drejtës ndërkombëtare, që garanton ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, por që njëkohësisht adreson kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare lidhur me të drejtat e komunitetit serb, mbetet institucionalizimi i një forme të avancuar të bashkëpunimit strategjik me Republikën e Shqipërisë. Një model i tillë do të fuqizonte pozitën ndërkombëtare të shqiptarëve në rajon, duke respektuar plotësisht arkitekturën kushtetuese dhe parimet e funksionimit të shteteve përkatëse, pa cenuar sovranitetin e tyre, ashtu siç e kërkon edhe rendi ndërkombëtar bashkëkohor.
Në këtë konfigurim të ri gjeopolitik, vlen të theksohet se Presidenti Donald Trump, pas propozimit të tij që shtetet anëtare të NATO-s të rrisin kontributin e tyre në mbrojtje me 5 përqind, ka deklaruar në mënyrë të qartë dhe të paekuivokë se është i vendosur të parandalojë çdo përpjekje për një sulm ushtarak të Serbisë ndaj Kosovës, duke e konsideruar këtë si një vijë të kuqe të panegociueshme për paqen dhe stabilitetin e rajonit. Ky angazhim i drejtpërdrejtë i Shteteve të Bashkuara nën drejtimin e Presidentit Trump, në koordinim me sukseset e tij diplomatike në Lindjen e Mesme, krijon një momentum të ri dhe të favorshëm për avancimin e proceseve shtetformuese të Kosovës dhe për rikonfigurimin e raporteve rajonale në funksion të aritjes se paqes se qendrushme ne Ballkan.
Po në këtë frymë, e pashmangshme mbetet edhe ngritja e çështjes së Luginës së Preshevës si pjesë përbërëse e arkitekturës së re të stabilitetit rajonal. Kjo nuk duhet parë vetëm në prizmin e të drejtave kolektive të shqiptarëve që jetojnë në këto treva, por edhe si një domosdoshmëri e ndërtimit të një urë të qëndrueshme kulturore, ekonomike dhe institucionale ndërmjet Kosovës dhe kësaj hapësire shqiptare, duke mos cenuar sovranitetin e shteteve dhe duke respektuar standardet e njëjta që bashkësia ndërkombëtare kërkon për komunitetin serb në Kosovë. Një model i tillë i avancuar i vetëqeverisjes, i lidhur me zhvillimin ekonomik dhe garantimin e identitetit kombëtar, do të ishte jo vetëm kontribues në paqen e qëndrueshme, por edhe në integrimin më të lehtë euroatlantik të gjithë rajonit.
Në mënyrë paralele, edhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në këto momente historike, duhet të flasin me një zë të vetëm për shtetformësinë e tyre, e cila në vitin e fundit është vënë seriozisht në rrezik nga qasja përjashtuese e establishmentit shtetëror maqedonas. Nevojitet një sensibilizim i thelluar i opinionit ndërkombëtar, sepse shqiptarët atje kanë dëshmuar me konstruktivitetin dhe racionalitetin e tyre se janë shtylla e kohezionit të brendshëm dhe garancia më e fuqishme e orientimit euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Në këtë kontekst, është e domosdoshme të theksohet se Marrëveshja e Ohrit dhe avancimi i pandalshëm në frymën e saj përbëjnë jo vetëm themelin e rendit demokratik dhe shumëetnik të këtij shteti, por edhe procesin e të ardhmes evropiane të tij. Çdo tentativë për të minuar, relativizuar apo devijuar këtë marrëveshje nga qarqe të caktuara politike është, në fakt, një akt që jo vetëm cenon të drejtat e shqiptarëve, por njëherësh e vë në pikëpyetje stabilitetin e brendshëm dhe perspektivën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Çdo qasje që synon t’i margjinalizojë shqiptarët është një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj arkitekturës demokratike, ndaj paqes së qëndrueshme dhe ndaj procesit të integrimit evropian të këtij shteti, sepse shqiptarët janë dhe mbeten faktor kyç jo vetëm për kohezionin e brendshëm, por edhe për garantimin e rrugës së pakthyeshme drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Shqiptarët janë thellësisht mirënjohës për ndihmën amerikane historike dhe bashkëkohore. Kjo miqësi nuk është produkt i rastësisë, por është ndërtuar mbi vlera të përbashkëta: liri, drejtësi dhe dinjitet njerëzor. Pikërisht për këtë, elitat politike dhe shtetërore shqiptare kanë detyrimin që në mënyrë permanente ta kultivojnë këtë miqësi të natyrshme dhe strategjike, duke mos lejuar që viruse të ndryshme ideologjike, ekonomike apo propagandistike ta zbehin ose relativizojnë këtë lidhje të çmuar që na dallon në rajon.
Në këtë 4 Korrik, mesazhi ynë është i qartë: miqësia me Amerikën është pasuri kombëtare dhe duhet të trajtohet si e tillë; politika shqiptare, në të gjitha nivelet, duhet të flasë me një zë kur bëhet fjalë për partneritetin me SHBA-të; integrimi euroatlantik i Kosovës dhe i të gjithë shqiptarëve është një mision që nuk mund të zvarritet dhe as të negociohet. E ardhmja jonë është me botën e lirë, me SHBA-në si aleatin tonë të parë dhe të pazëvendësueshëm.
Le të jetë ky 4 Korrik jo vetëm një ditë urimi për miqtë tanë amerikanë, por edhe një ditë reflektimi për ne, për të kuptuar se liria nuk është dhuratë, por përgjegjësi. Dhe se miqësia nuk është për t’u shfrytëzuar, por për t’u ruajtur, kultivuar dhe nderuar.
Urime 4 Korrikun, Amerikë! Populli shqiptar është krenar që ka një mik si ti.
Si studiues i historisë dhe si pjesë e një kombi që përmes shekujve është përballur me mohim, copëtim dhe përpjekje të pareshtura për njohje, e ndjej si detyrim të theksoj se aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ne shqiptarët është shumë më tepër sesa një partneritet politik. Ajo është një besëlidhje historike që na ka shpëtuar si komb dhe na ka orientuar drejt vlerave të qytetërimit perëndimor. Për këtë arsye, çdo 4 Korrik është edhe dita jonë – dita kur rikujtojmë se liria është dhuratë që nuk merret si e mirëqenë, por mbrohet, nderohet dhe kultivohet çdo ditë.
Shkup, 30 qershor 2025