Rinumërimi i votave në Fier zbulon trafikim votash brenda listave të hapura të PS dhe PD

Tiranë, 2 korrik 2025 – Rihapja e kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në qarkun Fier ka zbuluar tjetërsim të votave brenda listave të hapura të subjekteve zgjedhore, duke kaluar me qindra vota në favor të kandidatëve të caktuar të Partisë Socialiste dhe koalicionit të drejtuar nga Partia Demokratike.

Përfituesi kryesor i kësaj skeme rezulton të jetë kandidati socialist, Ceno Klosi, i cili ka marrë mbi 900 vota më shumë se sa ndodhen në kuti – ku pothuajse gjysma e tyre është devijuar nga kandidati tjetër socialist, Klevis Jahjaj. Edhe kandidatë të tjerë socialistë në listën e hapur rezultojnë me vota minus ose plus nga procesi në shifra më të ulta.

Nga krahur tjetër, kandidatja demokrate Silvana Hasaj ka rezultuar se ka marrë afro 700 vota plus në mënyrë të padrejtë, ndërsa kandidatët e tjerë në listën e përbashkët të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” po rikuperojnë dhjetra vota që nuk u janë njohur gjatë procesit të numërimit.

Edhe pse procesi i rinumërimit nuk duket se do të ndryshojë rezultatin paraprak të zgjedhjeve në këtë qark dhe as renditjen e kandidatëve në listë të hapur për PS-në dhe PD-në, numri i madh i votave të tjetërsuara ngre pikëpyetje serioze mbi vetë procesin zgjedhor.

Partia Socialiste fitoi më 11 maj në një rezultat të thellë këtë qark, i dyti më i madhi në vend me 400 mijë votues, duke marrë 12 deputetë, ndërsa koalicioni opozitar mori 4 mandate.

Kandidati socialist, Ceno Klosi, i cili pavarësisht zbritjes së këtyre votave vijon të jetë fitues i mandatit të deputetit në këtë qark, nuk dha një qëndrim për atë që ka ndodhur. I pyetur nga BIRN nëse e dënonte veprimin e numëruesve apo nëse do të kërkonte hetim për këtë, ai tha se nuk i takonte atij, por KQZ-së apo Prokurorisë.

Edhe kandidati Klevis Jahaj, i cili rezulton të jetë i penalizuari më i madh nga numërimi i votave, tha se nuk donte të komentonte për tjetërsimin e votave të tij.

Po ashtu, drejtuesja politike e PS-së në Fier, Belinda Balluku dhe drejtuesi politik i PD-së, Gazment Bardhi, nuk u përgjigjën kërkesave për koment për deformimin e votave brenda listës së hapur të subjekteve zgjedhore deri në publikimin e këtij shkrimi.

Rinumërimi i votave për disa qarqe të vendit, mes të cilave edhe Fier, u vendos nga Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve pas ankimimeve të partive opozitare për kontestim të rezultateve. E ndërsa procesi ekspozoi përgjithësisht gabime njerëzore në qarqet e tjera, në qarkun e Fierit vihet re një tendencë e qëllimtë e manipulimit të votës në tryezat e numërimit.

Anëtari i KAS-it, Ledio Braho, tha se në këtë rast nuk bëhet fjalë për “gabim njerëzor” në numërim, por për një tjetërsim të qëllimishëm dhe ky organ do të diskutojë dhe do të marrë një vendim për pasojat ligjore të kësaj që ka ndodhur.

“Ose do ia çojmë për verifikim të mëtejshëm komisionerit që të nxjerrë dhe emrat e numëruesve për secilën nga QV, ose do i çojmë me shkresë vendimin prokurorisë së Fierit,” tha Braho për BIRN.

Sipas Brahos, në ndryshim nga Tirana, në Fier është konstatuar që ka lëvizje të konsiderueshme votash mes kandidatëve brenda subjekteve, sidomos te kandidatët e Partisë Socialiste. “Lëvizje të tilla shërbejnë si indicie që nga GNV janë favorizuar kandidatë të caktuar në dëm të kandidatëve të tjerë,” komentoi ai.

Numëruesit dhe komisionerët që shërbejnë në procesin zgjedhor janë njerëz të zgjedhur nga vetë subjektet zgjedhore sipas një formule balancimi politike mes palëve.

Organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë procesin zgjedhor i konsiderojnë rezultatet e rinumërimit në Fier si shtrembërim të vullnetit të votuesve me urdhër politik të partive dhe kërkojnë hetim penal.

“Rinumërimi i Fierit duhet të shoqërohet me një hetim penal për KZAZ-të problematike, për të vendosur përpara ligjit trafikuesit partiakë të votave, të cilët në thelb kanë shtrembëruar vullnetin e qytetarëve, pasi në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një gabim njerëzor, por me një urdhër politik,” tha Rigels Xhemollari, drejtues i “Qendresa Qytetare”.

Sipas tij, ajo që ndodhi në Fier përforcon nevojën e depolitizimit të administratës zgjedhore.

“Në duart e numëruesve partiakë nuk ka siguri, transparencë dhe integritet,” sugjeron Xhemollari, duke shtuar se “prekja e votës, qoftë edhe brenda partisë minon në tërësi procesin zgjedhor”.

(Reporter.al)

Comment

*