Prishtinë, 4 korrik 2025 – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) njoftoi se të premten e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërtkesën për sqarimin e normave kushtetuese dhe të rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës në lidhje me vazhdimin e seancës konstituive pas aktgjykimit të kësaj gjykate lidhur me procedurën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
“Lidhja Demokratike e Kosovës beson se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, e ka qartësuar se përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit i takon Grupit më të madh parlamentar dhe se votimi duhet të jetë në pajtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit si dhe të praktikave të mëhershme parlamentare, rrjedhimisht votim i hapur për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Prandaj, me qëllim të zhbllokimit të ngërçit politik dhe institucional si dhe formimin e institucioneve të Kosovës, LDK dorëzon këtë kërkesë dhe i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në një postim të LDK-së në Facebook.
“Ne besojmë se Gjykata Kushtetuese do të trajtojë me përgjegjësi këtë kërkesë dhe do të sjellë vendimin në përputhje me Kushtetutën dhe vlerat themelore të Republikës së Kosovës”, thuhet më tutje në postim.
LDK-ja thekson se është e vendosur “të përdorë të gjitha mjetet kushtetuese e ligjore, për të garantuar funksionimin e shtetit si dhe mbrojtjen e interesit qytetar”.
Shkëmb Manaj, anëtar i Kryesisë së LDK-së, ka thënë se kryesuesi i seancës konstitutive duhet ta drejtojë seancën në përputhje me rendin e ditës dhe të mos kërkojë votim të fshehtë për emërimin e kryetarit të Kuvendit.
“Nuk ka vullnet politik që mund ta ndryshojë rendin e ditës së seancës konstituive sepse kjo është e përcaktuar me rregulloren e punës së Kuvendit dhe Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se ky akt i nënshtrohet vlerësimit të kushtetutshmërisë”, ka thënë ai.
Kushtetuesja ka 60 ditë kohë për t’iu përgjigjur kërkesës së LDK-së, por Manaj ka thënë se shpreson se ajo do të kthejë përgjigje para 26 korrikut, afatit të fundit të caktuar nga kjo gjykatë për konstituimin e Kuvendit.
LDK-ja është partia e dytë që i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në lidhje me vazhdimet e seancës konstituive pas aktgjykimit të kësaj gjykate. Një ditë më parë, saj iu drejtua me të njëjtën kërkesë edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), e cila vlerëson gjithashtu se votimi i fshehtë për kryetar të Kuvendin është kundërkushtetues.
Edhe partia më e madhe në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje, ka paralajmëruar se Gjykatës Kushtetuese do t’i drejtohet me kërkesë që të sqarojë çështjen e votimit të fshehtë, duke qenë se në aktgjykimin e saj të 16 qershorit kjo gjykatë ka lënë të hapur edhe mundësinë e votimit t՞ fshehtë.
Përveç partive politike, të ndarë lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese janë edhe juristët dhe njohësit e Kushtetutës së Kosovës.
(r.m.)