Është edhe festa jonë!

Nga Ruben Avxhiu

Sot është ditëlindja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendit që duke filluar nga fundi i shekullit të 19, është bërë atdheu i dytë gati një milion shqiptarëve.
Shpallja e pavarësisë nga Shtetet e Bashkuara ishte rasti i parë në epokën moderne i lirisë nga kolonializimi, i vetëvendosjes së një kombi, i fitores së një populli të vogël kundër një fuqie botërore.
Për shqiptarët ashtu si për shumë popuj të botës pavarësia amerikane u kthye në një shembull frymëzimi në kërkim të lirisë dhe sovranitetit të tyre.
Por më shumë se kaq, Amerika do të luante në mënyrë të drejpërdrejtë rol në fatin e shqiptarëve duke filluar që nga momenti kur hyri si faktor i ri politik në teatrin e Evropës.
Duke filluar që nga Presidenti Woodrow Wilson që kundërshtoi planet e vendeve fqinje për ta ndarë Shqipërinë mes tyre, që siguroi ekzistencën e Shqipërisë në hartën e botës. Duke vazhduar me Presidentin Bill Clinton me nismën e të cilit u sigurua ndërhyrja ushtarake e NATO-s kundër Jugosllavisë që solli çlirimin e Kosovës. Te Presidenti George W Bush që ishte instrumental në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe sidomos në njohjen dhe përkrahjen e pavarësisë së Kosovës.
Vendet e vogla i kanë miqtë e rrallë, por miqtë e Shqipërisë më së shumti kanë qenë amerikanë. Që nga organizatat humanitare, te profesionistë të njohur, ekspertë, e politikanë, shqiptarët kanë qenë të bekuar me figura amerikane që kanë ndihmuar në jetën tonë, në faza të ndryshme të historisë.
SHBA është bërë strehë për shqiptarët që kërkonin një jetë më të mirë në fund të shekullit të 19 dhe në fillim të atij të 20. Në SHBA u vendosën ata që i shpëtuan diktaturës komuniste apo shumë prej atyre që ikën nga Jugosllavia kur u hapën mundësitë.
Në SHBA nuk gjetën vetëm një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre, por gjetën edhe një hapësirë ku mund të gëzonin liritë që u ishin mohuar në atdhe. Si në pak vendet të tjera, emigrantët shqiptarë në Amerikë jo vetëm që nuk janë penguar e persekutuar, por janë inkurajuar të valëvisin flamurin e tyre kombëtar, të ruajnë traditat e të shpalosin simbolet e tyre.
Mjafton të kujtojmë Paradën Vjetore që filloi një kapitull të ri muajin e kaluar me organizatën Rrënjët Shqiptare në New York.
Kur shqiptarëve ortodoksë në atdhe nuk u lejohej të kryenin meshat në gjuhën e tyre kombëtare, në SHBA themeluan Kishën e tyre Autoqefale dhe nisën fushatën që ajo të realizohej edhe në Shqipëri.
Kur shqiptarët më në fund, shpallën pavarësinë e tyre, nga shqiptarët e Amerikës erdhën mjetet financiare, erdhën vullnetarët për të mbrojtur atdheun me armë, erdhi ndihma diplomatike për t’u mbrojtur në konferencat ndërkombëtare.
Kur Shqipërisë i mungonin liritë nën regjimin komunist, kur shqiptarët trajtoheshin si qytetarë të klasës së dytë në Jugosllavi, bashkatdhetarët e tyre në SHBA ishin të lirë të themelonin organizata e shoqata që shërbyen si zëri i kombit e shfrytëzuan demokracinë dhe fuqinë amerikane për të sjellë lirinë dhe demokracinë në atdheun nga kishin ikur.
Shqiptarët nuk janë vetëm përfitues nga ardhja në këtë vend të jashtëzakonshëm. Ata kanë kontribuar në mënyrë të padiskutueshme për të krijuar Amerikën që njeh bota sot. Mijëra vetë kanë shërbyer në forcat e saj të armatosura, duke filluar që nga Lufta e Parë Botërore, e shumë prej tyre kanë dhënë jetën në fushën e betejës.
Shqiptarët kanë krijuar komunitete të fuqishme, kanë ngritur biznese, kanë shkëlqyer në shumë profesione e fusha të jetës, kanë transformuar lagje e hapësira të rëndësishme urbane me punën dhe jetën e tyre. Shqiptarët kanë qenë inxhinierë të NASA-s, astronautë, shkencëtarë, arkitektë, etj. Kanë bërë emër në Wall Street e kanë qenë filantropistë me emër.
4 Korriku është ditëlindja e Amerikës, por është edhe ditëlindja e një kllithme për liri që nuk ka pushuar së bëri jehonë për gati 250 në mbarë botën, duke oshëtirë edhe brenda vetë Amerikës, e duke frymëzuar kauza e lëvizje që ndryshuan e vazhdojnë të ndryshojnë vetë Shtetet e Bashkuara dhe gjithë botën. Është festë e amerikanëve, por është edhe festa jonë. Gëzuar!

Comment

*