MONOGRAFIA: NJERIU I NJERËZVE – PROF. DR. ILIA MAZNIKU
Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
(Ribotuar nga gazeta “NACIONAL “Nr.770 5-12 KORRIK 2025: www.gazeta-nacional.com)
Dy vjet pas ndarjes nga jeta të prof. dr. Ilia Mazniku, gazetari i mirënjohur Ruben Avxhiu –editor i gazetës më të madhe të diasporës shqiptare në SHBA “Illyria”, sjell për lexuesin historinë e kirurgut të ortopedisë dhe të traumës, kampionit e rekordmenit kombëtar të atletikës, profesorit e autorit të dhjetra librave, humanistit të palodhur deri në fund të jetës. Është kjo një vepër enciklopedike e shkruar me kompetencë e profesionalizëm, por edhe me dashuri të pamatë, që e njeh lexuesin me një figure poliedrike të cilit natyra i kishte falur shumë virtyte, ku padyshim, më kryesori, ishte humanizmi i spikatur.
Jo pa qëllim, në fillim të librit volumunoz me njëmbëdhjetë kapituj në 500 faqe, autori vendos si parathënie, shkrimin e bashkëshortes së ikonës së mjekësisë shqiptare Ilia Mazniku, Znj. Luljeta Mazniku, e cila mbart në kujtesë një libër kujtimesh për të, që nuk do të mbarojë kurrë…
“E shoh gjatë ditës në të gjitha fotot me familjen që kam renditur te bibloteka e sikur nuk ngopem kurrë. Sikur bisedoj më të me zërin tim të brendshëm; nuk më përgjigjet në këtë formë që kam zgjedhur por e ndjej vështrimin e tij nga fotoja e madhe, e gjej qënien e tij të simbolizuar në përmendore, ku qëndron e sikur vështron këndej larg nga shtëpia. Trishtohem shumë, por mendoj se kam shumë nga Iloja, për të parë e për të menduar, aq sa të më mjaftojnë nëpër gjithë jetën time”.
Ka të drejtë Znj. Luljeta, sepse gjithkush do të mësonte nga jeta dhe vepra e këtij dishepulli të dijes e veprimit që gjithë jetën ishte dhe mbeti “njeriu i njerëzve”.
PËRKATËSIA SHQIPTARE E MAZNIKËVE
Nëse si gjini letrare ky libër është monografi, për nga lënda tejet të pasur përmbajtësore, referencat nga personalitete të shquara të mjekësisë dhe burimet arkivore, është një enciklopedi e mirëfilltë. Dhe ajo që tërheq që në fillim janë titujt intrigues si “Bullgari’, i vogël, shqiptari më i shquar”. Për ta sjellë me sa më me orgjinalitet origjinën e tij, në një vështrim retrospektiv, autori ndër të tjera shkruan se Iloja, djali i Kozmait dhe Efterpi Maznikut u lind në kohë lufte më 15 gusht 1943, në shtëpinë e re të familjes afër rrugës “Myslim Shyri”, me ndihmën e një mamie. Babai i tij, Kozma Mazniku u lind e u rrit në fshatin Vërnicë të Gollobordës (një fshat i vogël shumë afër kufirit me Maqedoninë e Veriut) në një familje të shquar, plot virtyte e fisnikëri.
Ilia, 7-vjeçaren e kreu me rezultate të shkëlqyera te shkolla “Luigj Gurakuqi”. Më pas ai do të ishte një nga 20 maturantët e parë të gjimnazit “50-Vjetori” në zonën e ish-Kombinatit të Tekstileve e në vitet në vijim kreu po me rezultate të shkëlqyera studimet universitare e pasauniversitare në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës.
Që në fëmijëri “Ilia e quajti vehten shqiptar, dhe nuk vuajti ndonjëherë nga kjo mëdyshje. Nuk kishte komplekse, madje e pranonte në mënyrën më njerëzore dhe me kërshëri këtë pozitë të brezave përpara tij në kufij të identiteteve, por ndihej krenar për përkatësinë e tij shqiptare”.(fq.26-27).
Këtë bindje ja përforconte edhe shoku i tij i fëmijërisë, Lluka Heqimi, i cili i thoshte Ilias se rrënjët e familjes vetëm në dukje sikur vinin nga Maqedonia apo Bullgaria, sepse ishte e qartë, që ai vetë ishte një ilir i lashtë klasik, kurse Maznikët (e Vërnicës) ilirë përkohësisht të sllavizuar që janë rikthyer në origjinë.

TITUJT INTRIGUES
Gjithkush në leximin e një vepre madhore si kjo, parasëgjithash orientohet nga titujt dhe mestitujt e saj. Autori Avxhiu këtë e ka bërë me artin e tij të fjalës, duke iu qasur etapave të jetës së njërit prej ikonave e themeluesve të mjekësisë shqiptare, siç e konsideron ai me të drejtë Prof. Ilia Maznikun. Dhe këtë e bën fare qartë, qoftë edhe me titujt intrigues që përdor në përshkrimin e etapave jetësore të tij.
Dhe nëse shoku i tij i fëmijërisë, që nga mosha 4 vjeçare, Lluka Heqimi i ka kushtuar Ilia Maznikut, një kapitull, në një nga vëllimet e librit “Visaret e Sportit Shqiptar”, vetë Ilia ja dedikon prof. Bashkim Kukelit frymëzimin për tu marrë me sport.
Kështu, për ta njohur Ilia Maznikun si kampion të sportit lexuesit të kësaj vepre shumëpërmasore i vijnë në ndihmë qoftë edhe vetëm titujt: “Mësuesi që e frymëzoi të merrej me sport”, “Jeta sportive – jo mbas topit por drejt qiellit”, “Kampion kombëtar që në moshën 18 vjeçare”, “Ilia Mazniku fluturon lart – radhit Shqipërinë mes vendeve të kohës moderne”, apo “I pari shqiptar në histori që kërcen 2.00 m lartësi – Populli e voton sportisti më i mirë i vitit”. Dhe në vijim autori shkruan se : “Shqiptarët ishin bijtë e shqipes, por askush nuk kishte ‘fluturuar’ më lart se ai në histori. Rekordi i ri kombëtar 2.00 metra hapi një kapitull të ri në historinë e këtij sporti, ose mbylli një të vjetër. Të paktën, në këtë disiplinë, Shqipëria u ishte bashkuar vendeve me atletikë moderne…”. Fq.73-74).
Bëhet fjalë për harkun kohor 14-16 tetor 1965, kur Ilia Mazniku ishte përsëri në faqen e parë të gazetës sportive të kohës si rekordmen i fazës së parë të kupës së Republikës në atletikë.
Për të qenë sa më i besueshëm autori i referohet shtypit të kohës. “Kur në numrin e parë të vitit vijues, me 4 janar ‘Sporti Popullor’ botoi listën e ’10 sportistëve më të mirë të vitit’ fitues të ankestës, Ilia Mazniku, jo vetëm që ishte mes tyre, por kryesonte listën… ishte shpallur fituesi më i mirë i Shqipërisë për vitin 1965” (fq. 76).
Më pas ndër vite ai do të ishte krenari shqiptare në sportin e atletikës, duke mbetur gjithmonë shqiptar.
Thuajse i plotë jepet aktiviteti sportiv atlelik i Ilias në albumin që mbyll kapitullin e dytë të librit.

FIGURË POLIEDRIKE E MJEKSISË SHQIPTARE
Në kapitujt e dytë e të tretë të librit (“Studenti, mjeku, pedagogu specializanti” dhe “Ortopedi i ri – pjesë e fushatës mjekësore që transformoi Shqipërinë”) lexuesi ndër të tjera mëson për studentin e shkëlqyer që vinte nga bota e sportit, moto e të cilit ishte “stërvitje, shkollë, shtëpi e kurkund tjetër”. Këtu autori ka meritën e përshkrimit të këtij talenti që kishte ecur me hapa të sigurtë në mjekësi, duke studjuar hap pas hapi kururgjinë si art nga brezi në brez dhe veçannërisht historinë e ortopedisë shqiptare.
Fati e solli që të ishte në ekipin e formuar nga mjeku i shquar shqiptar, prof. dr. Panajot Boga, të cilin ortopedët e rinj (ndër ta më i zellshmi Ila Mazniku) e ndiqnin me admirim, ndërsa kryente operacionet e para për të ndrequr problemet muskulo-skeletale të fëmijëve.
Lidhur ngushtë me këtë pasion të lindur dhe të perfeksionuar me studime të thelluara e asistencë në operacione të ndërlikuara, autori na njeh me faktin se si: “Në librin kushtuar Bogës, Mazniku jep edhe detaje të tjera të së përditshmes në klinikën e rehabilitimit, madje me natyrën e tij të vlerësimit të të gjithë kolegëve”.
Ndërsa vetë Prof. dr. Panajot Boga, themelues i Shërbimit të ortopedisë e vlerësonte Ilia Maznikun si kolegun e formuar profesionalisht që i atribuoi aq shumë shoqërisë nga puna e tij, këmbëngulës, praktik dhe intiutiv në zgjidhjen e situatave të veçanta kirurgjikale, dashamirës e i palodhur, me humor dhe gjithnjë i siqnertë me shokët e bashkëpunëtorët. Ndërsa Dr. Harun Iljazi (ortoped, Spitali Universitar i Traumës) e vlerëson Prof. dr. Ilia Maznikun si figurë poliedrike që natyra i kishte falur shumë virtyte.

KIRURG I TALENTUAR, STUDIUES, NJERI I SHKENCËS DHE MENDIMIT
Profili, intelektual, profesional dhe njërëzor i Prof. dr. Ilia Maznikut del më i plotë sidomos në kapitujt e katërt, të pestë e të gjashtë të librit me autor Ruben Avxhiun. Për të qenë sa më i besueshëm, përveçse përshkrimit objektiv të fakteve e ngjarjeve që plotësojnë këtë profil, ai sjell vlerësime të kolegëve për Maznikun. Kështu, në “përligjje” të titullit “Një Panajot i dytë’- Epitomë e guximit dhe iniciativës”, autori sjell vlerësimin e prof.dr.Tritan Shehut se: “Ilia ishte edhe një novator i vërtetë. Sigurisht kishte përqafuar shpirtin e novatorizmit që futi Panajot Boga në atë klinikë, se Boga ishte absolutisht njeri i jashtëzakonshëm. Por nga përvoja e punës me të, ishte e qartë se Ilia ishte një transmetues i shkëlqyer i këtij orientimi. Njeri i gjallë dhe shumë energjik, ishte si një Panajot i dytë në këtë kuptim,-thotë ai, – një njeri që donte të bënte gjëra të reja, donte të ecte përpara dhe i bënte me energji”. (fq.200).
Në këtë liber voluminoz të një rëndësie të veçantë gjejmë edhe vlerësimin e prof. dr. Arben Gjatës, i cili flet me zemërgjerësi dhe mall për kolegun e ndjerë, me të cilin janë bërë herët miq, me gjithë dallimin në breza. “Ka qenë një nga kirurgët më të mirë që kemi pasur në Shqipëri”, thotë ai me bindje për dr. Ilian. “Nga ana tjetër e kishte të zhvilluar shumë prirjen për të krijuar shoqëri e miqësi, mbase edhe ngaqë vinte nga bota e sportit”.
Këto veçanti të karakterit të tij, autori i evidenton këndshëm dhe bukur edhe në shkrimet “I thjeshtë dhe i kujdesshëm me të gjithë” dhe “Njeriu që gjithmonë ndizte atmosferën e festës”. (fq. 209).
Në shkrimet e kapitullit të pestë autori përshkruan detaje jetësore të prof. dr. Ilia Mazikut si studiues, njeri i shkencës dhe i mendimit. Këtu evidentohen përkushtimi ndaj kërkimit shkencor si dhe pasioni për gjuhët e huaja, falë të cilit në harkun kohor të 14 viteve (1977-1991) kishte arritur të jepte provimet pasuniversitare të gjuhëve frënge dhe angleze. “Lehtësisht komunikonte dhe lexonte në rusisht, në anglisht, në frëngjisht, në italisht dhe maqedonisht, – shkruan bashkëshortja Luljeta, – pastaj prej këtyre mund të kuptonte dhe të lexonte materiale edhe në disa gjuhë të tjera, duke i kthyer në një burim të përhershëm informacioni dhe ndihme në rrethin profesional”.
Po në këtë linjë, autori veçon edhe vlerësimin e prof.dr. Tefta Rota – kirurge urologe, ish – nëndrejtoreshë e spitalit “Frederik Shiroka”. Ajo shprehet se “Ilia, jo vetëm që kishte përkushtimin ndaj profesionit, por ishte edhe shumë i aftë. Dhe i aftë ishte sepse zotëronte gjuhë të huaja. Lexonte shumë dhe jepte kontribut maksimal në shërbim. Ishte i kudogjendur për çdo gjë. Me atë karakterin e vet shumë pozitiv, me bujarinë e vet që e shoqëronte, ishte njeri me shumë vlera. Kishte një pozitivitet në marrëdhëniet karshi njerëzve, me kolegët, me miqtë. Kështu ishte Mazniku, një përfaqësues i virtyteve më të mira të një brezi të mrekullueshëm”.
Janë të shumtë bashkëkohësit e tij, miq e shokë, si: prof. dr. Fatos Olldashi, neurolog, shef i shërbimit të Neurokirurgjisë, SUT; prof. dr. Harun Iliazi, ortoped, Spitali Universitar i Traumës; prof.dr. Gjergji Çaushi, ortoped, Spitali Universitar i Traumës; Prof. dr. Artan Shyti, dekan i Fakultetit të Sporteve te “Marin Barleti”, Dr. Murat Kaçi, ortoped, Gjirokastër; Dr. Mustafa Bajraktari-anestizist, Spitali Universitar i Traumës; Dr. Dr. Bashkim Hatibi – ortoped, Durrës; dr. Gëzim Rugova – ortoped nga Kosova, Akademia e Sigurisë; Dr. Enkrieta Jaho – anestiziste, Spitali Universitar i Traumës; Vjollca Tabaku – kryeinfermiere në sallën e operacionit te spitali “Frederik Shiroka” e më pas te Trauma; Dr. Fatos Jaho –psikiatër, Shef i Shërbimit të Sëmundjeve të Brendëshme, SUT; prof. dr. Vilson Ruci – ortoped, shef i Shërbimit Universitar të Ortopedisë, etj, etj, që e vlerësojnë prof. dr. Ilia Maznikun si kirurg ortoped të talentuar, pedagog, autor librash dhe ‘Mjeshtër i Madh’, titull me të cilin është dekoruar nga Presdenti i Republikës (ndëkohë që në vite është dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri”, Urdhërin “Për shërbim të mirë popullit”, Çmimin “Frederik Shiroka”, etj).
Në këtë libër gjejmë gjithashtu edhe vlerësimin e akademik Fatos Daci – Mjeshtër i Madh, sipas të cilit: “Dr. Ilia ishte një burrë i shquar dibran dhe një mjek duarartë, një sportist kampion, një njeri me shumë vlera, një shkencëtar i vërtetë në fushën e kërkimeve mjekësore dhe autor i disa botimeve, jo vetëm për studentët, me shumë vlerësime publike”(fq.448).
Përveç dhjetra artikujve shkencorë të botuar në “Buletinin e Shkencave Mjekësore”, në revistat “Punime kirurgjikale”, “Revista Mjekësore”e “Shëndetësia Popullore”, referimeve e kumtesave të shumta (brenda e jashtë vendit), prof. dr. Ilia Mazniku ka botuar edhe 18 libra, disa prej të cilëve studjohen si lëndë në Universitetin e Mjekësisë.
PËRMENDORJA….

Dy vjet më parë, më 9 maj 2023, plot një vit pas vdekjes së Ilia Maznikut, familjarët, shokët dhe kolegët e tij (më shumë se 100 veta) u mblodhën edhe njëherë tjetër për ta kujtuar, si dhe për të qenë të pranishëm në zbulimin e një statuje të ngritur me qëllim përjetësimin e kujtimit të një njeriu të shquar, të vendosur në mënyrë të hijshme si pjesë e varrit të tij.
Autori Avxhiu shkruan se punimi ishte vepër e artistit të talentuar shqiptar, Vladimir Llakaj, një skulptor i cili ka studjuar në Akademinë e Arteve Figurative në Firence, qyteti ku u rrit dhe studioi edhe i famshmi Leonardo da Vinçi, vizatimet anatomike të të cilit i shpjegonte prof. dr. Ilia Mazniku në lëndën që jepte në Institutin e Lartë të Arteve.
“Luljeta Mazniku që porositi veprën, e ndoqi me interes dhe bashkëpunoi në realizimin e saj, duke sjellë në ndihmë përvojën akademike në fushën e estetikës, një temë me interes dikur për të dy bashkëshortët. Tani, një prej tyre do të përjetësohej në art…Në një fjalim të rastit ajo foli për kujtimin, jetën dhe veprën e bashkëshortit të saj, ndërsa disa nga të pranishmit derdhën përsëri lot, ashtu si një vit më parë. Shumë prej tyre bënë fotografi pranë përmendores dhe përshëndetën me radhë bashkëshorten dhe fëmijët e prof. dr. Ilia Maznikut”.(fq.468)
Në këtë libër përmendet dashuria e madhe dhe kujdesi i treguar nga Ilia Mazniku për mbesat e tij, por portreti do të ishte i paplotë pa e parë këtë raport me sytë e dy prej mbesave, Lea dhe Etel.
Dhe nëse Lea shkruan se: “Sa herë më shikon fëmija im në sy, je ti shembulli që dua të bëhem. Je ti dashuria që dua të fal. Njeriu që dua jem”, mjaftë impresionuese është edhe letra e Etel (vajza e vajzës së dr. Ilias, Kledias) që sot jeton dhe studion në një nga kolegjet më prestigjioze të Londrës, e cila ndër të tjera shkruan: “Më ka bërë të besoj, se mençuria, humori, forca, dinjiteti, respekti dhe, në fund të ditës, njerzillëku mund të ekzistojnë brenda një personi”.
Në këto dy letra hidhet dritë mbi ndikimin e jashtëzakonshëm që pati dr. Ilia te këto dy vajza të shkëlqyera, që suksesin në shkollë do ta kthejnë në sukses profesional.
Kushdo që lexon këtë libër do të impresionohet edhe me vlerësimin e djalit, Ervinit që e konsideron babain e tij (dr. Ilian) “Spartan deri në kockë dhe pikë”, ndërsa për vajzën Kledia, Dr. Ilia mbetet: “Unik dhe i pazëvendësueshëm në çdo uniformë që mbajti! Koha ia ruajti listën e panumërt të të gjitha sfidave që ai fitoi ndaj saj, dhe, në fund, ajo mundi ta sfidonte vetëm me pabesi”.
Dhe siç shkruan autori i kësaj vepre Ruben Avxhiu: “Ky libër, ndonëse kushtuar një mjeku të nderuar ortoped, është gjithashtu, një homazh për ikonat e themeluesit e mjekësisë shqiptare, mentorët e bashkëpunëtorët, madje edhe për disa prej nxënësve të tij”.
Është kjo pra, përmendorja që përjetëson njeriun që të jepte shpirtin për të të ndihmuar e për të të mbështetur.., njeriun me të vërtetë energjik, që ashtu si ishte kampion dhe rekordmen në atletikë qe edhe në ortopedi, gjithmonë në shërbim dhe për të mirën e të sëmurit.

MONOGRAFI QË PËRÇON TEK LEXUESI FRYMËZIM SHPIRTËROR
Për mënyrën se si e ka konceptuar, ideuar, shkruar dhe formën kompozicionale të veprës, Ruben Avxhiu krijon një model të ri të shkrimit të monografive kushtuar personaliteve të tilla të përmasave kombëtare, si prof. dr. Ilia Mazniku.
Duke e vështruar në tërësi këtë vepër të këtij autori mund të konkludojmë se ajo është bartëse e tipareve moderne të shkrimtarisë që hyn dinjitetshëm në forndin e letërsisë sonë dokumentare. Kjo për thjeshtësinë e komunikimit me lexuesin, mesazhet universale dhe shprehjen e hapur të ndjeshmërisë, si shtyllat e forta ku mbështetet monografia.
Libri “NJERIU I NJERËZVE – PROF. DR. ILIA MAZNIKU” përçon frymëzim shpirtëror për lexuesit e sotëm e të ardhshëm, për kohezionin në të cilin përcjell produktin formues dhe kontributin si mjek, sportist e mbi të gjitha si Njeri, të këtij personaliteti ndër më të shquarit e Sportit të Atletikës e të Mjeksisë Shqiptare.
Autori na njeh me faktin që si rrjedhojë e cilësive të veta të shquara profesionale, humane dhe sociale, Dr. Ilia ishte bërë një lloj magneti që kishte krijuar një rreth gjigand miqsh dhe një popullaritet mahnitës. Marrëdhëniet me njerëzit ai i konsideronte të shenjta; i donte dhe i çmonte shumë shokët e tij qofshin ata kolegë, shokë të rinisë, artistë, sportistë, si dhe pacientët, fshatarë, qytetarë, fëmijë, të rinj apo pleq.
Nisur nga profesioni dhe puna e tij si mjek, si dhe nga gatishmëria e pakursyer për të ndihmuar njerëzit në nevojë, Dr. Mazniku ishte adresa më e mirë për zgjidhjen e halleve të shumë njerëzve. Përveç halleve të natyrës shëndetësore, shpesh bëhej fjalë edhe për halle të natyrave tjera. Megjithatë Dr. Ilia kishte mirësinë dhe gatishmërinë që të angazhohej pa kursim në zgjidhjen e çdo halli të njerëzve në nevojë. Flet për këtë qoftë edhe vetë titulli i këtij libri “Njeriu i njerëzve – Prof. dr. Ilia Mazniku”.