(Duke marrë shkas nga vetëvrasja e Don Mateos, një meshtari të ri italian)
Nga Ruben Avxhiu

Prifti është një figurë e privilegjuar e komunitetit katolik por njeriu poshtë petkut fetar përballet me sfida të forta emocionale.
Prifti është gjithmonë në skenë. Jo si aktorët gjatë dy orëve të shfaqjes, apo edhe ata që lexojnë e ndihmojnë gjatë ritualit të meshës. Një prift është 24 orë, 365 ditë të javës, nën peshën e detyrës publike.
Ai duhet të heqë dorë jo vetëm nga ndërtimi i një familjeje por edhe nga raporte normale intime që janë kërkesë e pashmangshme fizike e njeriut, sidomos në moshë të re.
Sikur të mos mjaftonin sfidat që dikujt mund t’i duken banale, udhëheqësi shpirtëror i çdo komuniteti katolik përballet me sfidat morale dhe filozofike që rëndojnë mbi jetën dhe zgjedhjet e tij më shumë se te të tjerët. Ai është dikush që ka zgjedhur një punë të mbushur me detyrime morale në një kohë kur ajo çfarë është morale është gjithnjë e më shumë çështje debati. Ka zgjedhur të jetë një udhërrëfyes shpirtëror në një kohë që është thellësisht materialiste. Ka zgjedhur një pozitë që supozon komunikimin e thellë dhe të bazuar në imagjinatën e imazheve të historive biblike në një kohë kur komunikimi bëhet gjithnjë e më vëmendje-shkurtër, momental, bazuar në shokimin e çastit, kur forma është më e rëndësishme se përmbajtja, sipërfaqja se brendia.
Prifti ishte dikur një figurë me autoritet gati kudo të padiskutueshëm. Nuk është edhe aq e habitshme që pushteti i madh vjen edhe me abuzimin, edhe me korrupsionin dhe arrogancën. Sot është një kohë tjetër. Sot, në shumë mjedise shoqërore prifti rrezikon të jetë një figurë e përqeshur, anësore, e paragjykuar, madje edhe tragjike. Prifti i sotëm është më shumë i thyeshëm dhe i prekshëm. Për ironi të fatit, shpesh pikërisht këtij njeriu tragjik të kohës sonë i kërkohet llogari apo i kërkohet të shpjegohet në mos të paguhet për abuzimet, apo mungesën e ndjeshmërisë së një një brezi tjetër.
Ndonëse në vitet e fundit ka një ringjallje të interesit për sferën shpirtërore, priftërinjtë shpesh ngjajnë si një relike e të kaluarës. Por prifti mbetet një njeri i epokës sonë dhe si i tillë ka më pak mundësi të krijojë një botë të tij të izoluar nga ndikimet negative dhe dëshpëruese me të cilat bombardohemi çdo ditë nëpërmjet internetit.
Dyshimi i natyrshëm njerëzor ndaj vetë ekzistencës së Zotit, kontrasti i idealit të shërbimit fetar me banalitetin e jetës së përditshme e plot sfida të tjera bëhen edhe më të rënda për t’u përballur sot në kohën kur jetojmë.
Të gjitha këto më lart vlejnë edhe për klerikë të feve të ndryshme sepse shumë prej këtyre dukurive sociale nuk janë vetëm pjesë e jetës së komuniteteve katolike. Mund të thuhet madje se këto sfida vënë në provë sot të gjithë njerëzit idealistë, që besojnë në parime e virtyte që ngrihen më lart sesa materializmi, ultilitarizmi, imazhi publik, pushteti politik etj.
Për më tepër ka studime që vënë re se brezi i ri është akoma edhe më shumë psikologjikisht i brishtë që e bën vëmendjen te shëndeti mendor veçanërisht më të rëndësishëm. Sidomos ato në shoqëri ku ka qenë tradicionalisht një tabu. Të gjithë kanë nevojë për më shumë zemërgjerësi dhe mirëkuptim. Përtej fasadës së vetësigurisë dhe lumturisë që shpaloset në mediat sociale dhe bisedat e përditshme fshihen shpirtra të trembur e të munduar nga dyshimi dhe pasiguria.
I tillë është njeriu. Ka forcën të kalojë detin tej për tej me not, e përsëri të mbytet me një pikë ujë.