Tiranë, 9 dhjetor 2025 – Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP, vendosi në mënyrë unanime të martën më 9 dhjetor të zgjedhë si drejtor të ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit, BKH, zëvendësdrejtorin aktual të kësaj strukture, Joni Keta, që do ta mbajë këtë pozicion në pesë vitet e ardhshme.
Megjithëse të 11 anëtarët e votuan Ketën për drejtor të ri të kësaj strukture hetimore pranë Prokurorisë së Posaçme, SPAK, në mbledhje pati diskutime lidhur me procesverbalin që duhet të lexohej e të bëhej publik. Anëtari prokuror, Vatë Staka kërkoi që për hir të transparencës të lexohej, nga “gërma e parë tek e fundit”, relacioni që Komisioni i Përzgjedhjes pranë SPAK-ut ia kishte dërguar këshillit.
“SPAK-u e ka sjellë dhe duhet ta lexojmë nga fillimi në fund”, deklaroi Staka.
Anëtari tjetër prokuror, Sokol Stojani u shpreh se duhej të kalonin në leximin e relacionit të përmbledhur, për të shpjeguar atë që ka ndodhur, ashtu si ka qenë traditë.
Mendimi i Stojanit u mbështet dhe nga anëtarja Ledina Riza dhe anëtari Olger Eminaj. Ky i fundit kërkoi që të vijohej me propozimin e Stojanit, duke sjellë në vëmendje se, në kuadër të transparencës, vendimi do të zbardhet dhe se gjithkush ka të drejtë të njihet me aktet.
Anëtarja Arta Mandro deklaroi se media nuk ka kufizim që media ta marri raportin e dërguar nga ana e Komisionit të Përzgjedhjes pranë SPAK, ndërsa shtoi se nuk mund të lexohej në këshill pasi nuk ishte hartuar prej tyre. Po ashtu, ata vërejtën se dhe në praktikat e porcedurat e mëparshme, ishte vepruar në këtë mënyrë, duke u lexuar raporti i përmbledhur i këeshillit.
Anëtari Erion Fejzulla konstatoi se në fakt, është vetëm një rast kur më parë KLP ka votuar për zgjedhjene drejtorit të BKH-së dhe nuk ka praktikë të unifikuar. Ai vërejti se Staka nuk kërkoi që të ndryshohej procedura e shqyrtimit të projekt-aktit, por që të lexohej materiali i dërguar nga Komisioni i Përzgjedhjes në SPAK.
Këshilli hodhi në votë propozimin e Stakës që u rrëzua me 9 votat e anëtarëve të Këshillit. Pro, veç Stakës votoi edhe anëtari Erion Fejzulla.
Në përfundim, të 11 anëtarët vutuan për zgjedhjen e Joni Ketës si drejtor të BKH-së.
Megjithëse në mbledhje u fol nga anëtarët e këshillit, se gjithë dokumentet do të vendosen në dispozicion të medias nëse kërkohen, pas kërkesave të vazhdueshme që BIRN i drejtori koordinatores për të drejtën e informimit dhe kryetares së KLP, relacioni i Komisionitt ë Përzgjedhjes nuk u vendos në dispozicion, me justifikimin se disa prej anëtarëve nuk ishin dakord, duke sygjeruar që të kërkohej në SPAK.
Komisioni i Përzgjedhjes pranë Prokurorisë së Posaçme, SPAK i përbërë nga drejtuesi i këtij institucioni, Altin Dumani dhe prokurorët Arben Kraja e Behar Dibra, vendosi më 26 nëntor që t’i përcjellë Këshillit të Lartë të Prokurorisë emrin e Joni Ketës si drejtuesin e ardhshëm të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Joni Keta u përzgjodh si fitues nga komisioni mes kandidatëve të tjerë që plotësuan kriteret, prokurori Andi Pogaçe dhe oficerëve të policisë, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj dhe Gledis Nano.
Bazuar në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, kandidati që rekomandohet nga Komisioni i Posaçëm emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Drejtori emërohet për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi një herë.
Keta zëvendësoi ish-drejtoren e BKH-së, Aida Hajnaj, mandati i të cilës u deklarua i përfunduar prej KLP-së më 9 shtator.