Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Pyetje nga Lexuesi:
Jam nënshtetas amerikan. Herën e fundit, mamaja ime erdhi në SHBA si emigrante. USCIS-i nuk arriti t’ia dërgojë green card-ën në adresën e shtëpisë tonë. Mamasë iu desh të kthehej në atdhe, pasi kemi gjyshen të sëmurë. Vula në pasaportën e mamasë, që tregon se ajo është rezidente e përhershme, skadon së shpejti. Mamasë i duhet të qëndrojë jashtë SHBA-së përtej kohës kur skadon vula. Si do t’ia bëjë që të hipë në avion për të ardhur në SHBA pa green card?
BD
Morristown, NJ
Rezidentët e përhershëm të ligjshëm (LPR), përfshirë edhe ata me kusht, mund të aplikojnë për dokument udhëtimi i cili u lejon të hipin në avion ose në një mjet tjetër transporti, pa i hapur probleme linjës ajrore ose transportuesit. Formulari I-131A i USCIS-it i lejon një personi të aplikojë për dokument udhëtimi nëse ai/ajo:
Po kthehet nga një udhëtim i përkohshëm jashtë Shteteve të Bashkuara, me kohëzgjatje më pak se 1 vit, dhe karta e tij/saj e rezidentit të përhershëm (e njohur edhe si green card) ka humbur, është vjedhur ose shkatërruar;
Po kthehet nga një udhëtim i përkohshëm jashtë Shteteve të Bashkuara, me kohëzgjatje më pak se 2 vjet, dhe leja e tij/saj e rihyrjes (reentry permit) ka humbur, është vjedhur ose shkatërruar; ose
Po kthehet nga një udhëtim i përkohshëm jashtë Shteteve të Bashkuara dhe formulari i tij/i saj I-512 / I-512L / I-512T, Dokumenti i Lejes së Udhëtimit (Advance Parole) ose Dokumenti i Autorizimit të Udhëtimit, ose Formulari I-766, Dokumenti i lejes së punësimit (EAD) me leje udhëtimi që është ende i vlefshëm, ka humbur, është vjedhur, dëmtuar ose shkatërruar gjatë qëndrimit jashtë vendit.
USCIS-i do të llogarisë kohëzgjatjen e qëndrimit jashtë vendit të personit në fjalë nga momenti kur ai/ajo u largua nga Shtetet e Bashkuara deri në momentin kur pagoi tarifën për Formularin I-131A. Nëse personi është rezident i përhershëm i ligjshëm (LPR), ai/ajo duhet të ketë patur këtë status në momentin kur u largua nga Shtetet e Bashkuara dhe duhet të vazhdojë ta ketë në momentin kur kthehet në Shtetet e Bashkuara. Nëse një person ka hequr dorë nga statusi si LPR ose nëse USCIS-i ia ka ndërprerë këtë status, ai/ajo nuk duhet të aplikojë duke paraqitur Formularin I-131A.
Nëse personi është rezident i përhershëm i ligjshëm (LPR) dhe ka një green card të skaduar ose po udhëton me një fëmijë nën moshën 2 vjeç, atëherë do t’i luteshim të lexonte seksionin e Udhëzimeve të Veçanta (Special Instructions) në faqen e internetit si më poshtë, për të përcaktuar nëse personi duhet të paraqesë ose jo Formularin I-131A.
Tarifën online mund të paguani në https://www.uscis.gov/i-131a
Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com