Prishtinë, 5 mars 2026 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se sot në Kuvendin e Kosovës ka proceduaramendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes apo presidentit, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011.
“Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011”, ka shkruar Osmani në Facebook
Ajo u ka bërë thirrje partive politike që t’i miratojnë këto ndryshime.
“I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese.
Tash e tutje, le të flasë populli”, ka shkruar ajo.
Thirrja e Presidentes Osmanit vjen pasi partitë politike nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e president me konsensus politik.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar menëherë pasi i ka pranuar amendamentet e Presidentes Osmani. Ajo ka thënë se e mbështet amendamentimin e Kushtetutës që Presidenti i vendit të zgjidhet përmes votës së popullit, duke theksuar se kështu do të shmangeshin “ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre”.
“Sapo i pranova amendamentet kushtetuese nga Presidentja Vjosa Osmani Sadriu, të cilat parashohin që Presidenti/Presidentja të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre. I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e këtyre amendamenteve”, ka shkruar kryeparlamentarja Haxhiu.
Disa deputetë të Kuvendit të Kosovës janë shprehur menjëherë pro ndryshimeve kushtetuese që mundësojnë zgjedhjen e presidentit apo presidentes me vote direkte të qytetarëve. Por, partitë politike apo liderët e tyre nuk janë deklaruar ende lidhur me këtë çështje.
Ideja për zgjedhje të presidentit të Kosovës me vote popullore është përmendur shpesh, por çështja nuk është proceduar në Kuvend.
(r.m.)