Prishtinë, 6 mars 2026 – Kryeministri Albin Kurti ka thënë se se dekreti i Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit është jokushtetues. Ai ka thënë se është Gjykata Kushtetuese ajo që duhet të thotë fjalën e saj, nëse duhet të ketë zgjedhje të reja apo jo.
“Dekreti për shpërndarjen nuk është kushtetues sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuara shprehimisht nga Kushtetuta”, ka thënë ai, në një konferencë për media.
Kurti ka thënë se procesi nuk ka mbërritur në rundin e tretë që do të çonte në zgjedhje automatikisht. Ai ka thënë se vetëm pas dështimit të rundit të tretë të votimit do të mund të shkohej në zgjedhje.
“Ky proces nuk arriti ta konsumojë as rundin e parë, pasi munguan të gjithë deputetët e partive opozitare dhe partia e cila vazhdon të dirigjohet nga Beogradi. Të gjithë e keni parë mbrëmë pamjen e seancës, kush ishte në qendër, kush nuk ishte në qendër. Nuk ishte sepse nuk erdhi. Asnjë deputet që mungoi nuk e ka njoftuar kryetaren për arsyen e mungesës, prandaj është lënda në Kushtetuese. Është detyrë e deputetëve ta kryejnë detyrën e tyre për çka i ka zgjedhur populli, të vijnë në vendin e tyre të punës dhe aty të marrin pjesë dhe të votojnë”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se Kuvendi ka edhe 60 ditë kohë për të zgjedhur presidentin dhe për të shmangur zgjedhjet dhe ka theksuar se për zgjedhjet mund të flitet vetëm pasi ta thotë fjalën e fundit Gjykata Kushtetuese.
“Ndodhemi në një situatë kur unë nuk besoj që mund të flasim për zgjedhje pa e thënë fjalën e fundit Kushtetuesja. Ata kanë një materie që duhet ta analizojnë”, ka theksuar ai.
Kurti e ka vilësuar si “kontruiktive qasjen e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, gjatë bisedimeve për çështjen e presidentit.
“Qasja e kryetarëve të opozitës është ndryshe prej asaj të vitit 2025. Atmosfera është konstruktive, diskutimet janë korrekte. I falënderoj për këtë qasje të re Hamzën dhe Abdixhikun”, është shprehur ai.
Kurti ka thënë se ai ka komunikim të mirë me Hamzën e Abdixhikun, pavarësisht prej mungesës së marrëveshjes.
“Tash edhe takohemi edhe bisedojmë. Edhe kur s’jemi takuar në tri ditët e fundit, kemi komunikuar me telefon. Nuk ekziston ndërmjetësues, flasim vetë. Atmosfera e mirë nuk garanton marrëveshje. Ata nuk ma thanë asnjë emër. Presidenti është emër i përveçëm”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se nuk e di se kujt i është referuar Presidentja Osmani kur ka deklaruar se vendin e çuan në zgjedhje, siç është shprehur ajo, “njerëz të papërgjegjshëm dhe me qëllime të rrezikshme”. Megjithatë, ai i ka quajtuar si “të papërgjegjshëm” deputetët që nuk kanë marrë pjesë në seancën e mbrëmshme të Kuvendit.
“Nëse zonja presidente s’ka folur me emra, nuk e di pse ju ka shkuar mendja tek unë. Nuk e di që jemi të përmendur, por nëse kishte të drejtë, përgjigjen duhet ta kërkoni te ajo që e ka thënë. Të papërgjegjshëm kanë qenë ata që nuk ishin mbrëmë në seancë”, ka thënë ai.
Presidentja Osmani e ka nënshkruar dekretin për shpërndarjen e Kuvendit. Ajo tha se afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri ka skaduar mbrëmë në mesnatë.
“Procedura për zgjedhjen e presidentit, edhepse mund të fillojë deri 60 ditë para afati të fundit, nuk mund të shtyhet më tej, por patjetër duhet të përfundojë jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Afati përfundimtar është i qartë. Ka qenë mbrëmë në mesnatë dhe presidenti nuk mund të zgjidhet pas këtij afati”, shpjegoi ajo.
Partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, ka njoftuar se dekretin e presidentes do ta dërgojë në Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë.
(r.m.)