Osmani është e bindur që dekreti është në përputhje me Kushtetutën

Prishtinë, 9 mars 2026 – Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka thënë se është e bindur që Gjykata Kushtetuese do të vendosë në përputhje me dekretin e saj për shpërndarjen e Kuvendit. Megjithatë, ajo nuk e ka përjashtuar plotësisht mundësinë që të ketë gabuar.

“Ne jemi të bindur se dekreti është në përputhje të plotë me Kushtetutën. Unë nuk jam pejgambere të mos bëj asnjëherë gabime. Prandaj ekziston Gjykata Kushtetuese, prandaj ka ekzistuar gjithnjë. Edhe për këtë kryeministër ka me dhjetëra herë kur është vendosur se e ka shkelur kushtetutën. Nuk është vendim i imi është vetëm formalizim që e ka krijuar Kuvendi i Kosovës, jo unë”, ka thënë Presidentja Osmani në një intervistë për TV Syri të Tiranës.

Por, ajo ka theksuar se nuk ka pasur ndonjë interes personal për ta nënshkruar dekretin.

“Nuk kam as interes personal. Më shumë do të më konvenonte afati 60 ditësh, sepse do të kisha pasur më shumë kohë t’i ftoja sërish partitë politike, duke filluar nga ajo më e madhja, Lëvizja Vetëvendosje. Unë veprova ashtu siç e kërkon kushtetuta”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka thënë se fillimisht ajo e ka pasur mbështetjen e Lëvizjes Vetëvendosje për rizgjedhjen e saj president edhe një mandat, por kjo mbështetje i është tërhequr kur ajo e ka marrë edhe mbështetjen e një pjese të opozitës.

“Pas zgjedhjeve fillimisht më është thënë: ‘Ne i kemi vetëm 57 vota, do të jetë problem me opozitën’. Dhe natyrisht që kemi biseduar hapur se duhet të punojmë bashkë me opozitën dhe këtë e kam bërë. E kam diskutuar individualisht me deputetë, sidomos nga LDK-ja dhe nga disa parti të tjera më të vogla. Kam diskutuar individualisht me partitë joshumicë dhe kemi ardhur në konkluzion se 80 vota do të bëheshin pa asnjë problem”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se kur është qartësuar se kishte shanse të mëdha të rizgjidhej, Lëvizja Vetëvendosje, Kurti personalisht, ka ndërruar mendje.

“… kur u qartësua që unë kam shanse të rizgjidhem, nga Lëvizja Vetëvendosje erdhi një vlerësim i ri dhe nga ai [Kurti] personalisht se nuk e mbështet kandidaturën time”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se zotimi i liderit të Lëvizjes Vetëvendosje se do ta mbështesë rizgjedhjen e saj ka qenë një nga dy arsyet që e kanë shtyrë të deklarojë publikisht interesin e saj për një mandat të dytë.

“Arsyeja e parë pse, në fund të vitit të kaluar, unë kam dalë publikisht dhe kam thënë se synoj që të rikandidohem ka qenë vullneti qytetar të cilët me mijëra e mijëra na kontaktonin në baza javore dhe arsyeja e dytë ishte zotimi i vetë kryeministrit Albin Kurti se do të më mbështeste në këtë kauzë”, është shprehur ajo.

Presidentja Osmani nuk ka dhënë përgjigje specifike në një pyetje për të ardhmen e saj politike. 

“Do të bëj atë që është në inertes të qytetarëve të Kosovës…Do ta shoh se cili do të jetë interesi më i madh i Kosovës në këto momente. Kjo do të determinohet edhe nga zhvillimet e tanishme”, ka thënë ajo.

Osmani nuk është përgjigjur shprehimisht në pyetjen nëse do të rikthehej në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Unë do ta kryej detyrën time me nder si presidente deri më 4 prill. Pas kësaj do ta bëj një vlerësim të ri konkret në interes të Kosovës dhe do ta marr vendimin për rrugën përpara”, ka thënë ajo.

(r.m.)