-Nga fjala e kryepeshkopit të Shqipërisë , Hirësi Joanit, mbajtur në këtë kishë.-
Nga Fuat Memelli
Të dielën që kaloi, kryeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumtuaria e Tij, Joani, vizitoi Kishën e Shën Gjergjit dhe drejtoi meshën hyjnore. Ai u prit nga peshkopi i kësaj kishe Hirësi Nikodhimi dhe klerikë të tjerë. Si rrallëherë në kishë kishin ardhur besimtarë që jetojnë në Boston dhe qytetet rreth tij.
Në mbarim të meshës, Hirësi Joani përshëndeti të pranishmit. Në fjalën e tij përkujtoi 118 vjetorin e dorëzimit prift të Fan Nolit. Ai vlerësoi këtë figurë e cila mbetet shëmbull i përkushtimit ndaj kishës, model i përkushtimit ndaj popullit duke ndërtuar ura mirëkuptimi e besimi.
“Kisha e Shën Gjergjit është djep i historisë së kishës sonë. Kjo kishë është historike” theksoi ai. Më pas vazhdoi se ne duhet të përpiqemi të jetojmë me mësimet e Jezu Krishtit, ndryshe do jemi larg nga vetvetja, sepse çdo njeri krijon një pseudovete.Duke njohur veten ne do jemi realisht të përkulur. Qëllimi është të pastrojmë zemrën ashtu siç pastron bujku arën nga gurrët, ferrat dhe barishtet. Uroj që kjo kishë të jetë një qendër shpirtërore jo vetëm për komunitetin tuaj por kushdo qoftë, shqiptar ose jo shqiptar, sepse në kishë të gjithë janë të barabartë.”
Peshkop Nikodhimi i cili si të thuash është “i zoti i shtëpisë” në këtë kishë, pasi i uroi mirëseardhjen Imzot Joanit, theksoi se ky bashkërendim i liturgjisë, le të jetë një model për të thelluar lidhjet midis Kishës Autoqefale të Shqipërisë dhe Kishës Orthodokse në Amerikë. Dhimitraq Demiri, kryetar i bordit të kësaj kishe, duke iu drejtuar Hirësi Joanit ndër të tjera theksoi se para një muaji, i thashë peshkop Nikodhimit që t’ju ftojë për të vizituar kishën tonë dhe ftesa u bë realitet.
Në mbarim të meshës shumë besimtarë takuan Hirësi Joanin dhe bënë fotografi për t’i patur si kujtim. Peshkop Nikodhimi shtroi një drekë për të pranishmit, ku besimtarë sollën kujtime kur Imzot Joani shërbente në këtë komunitet dhe dhe organizoi bibliotekën Noliane, ndërkohë që ishte student në Seminarin Teologjik “Kryqi i Nderuar”.








