Uashington, 10 mars 2026 – Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se sulmet e Shteteve të Bashkuara kundër Iranit do intensifikohen më shumë në ditët në vijim.
“Sot do të jetë përsëri dita jonë më intensive e sulmeve brenda Iranit”, tha Hegseth në një konferencë për shtyp në Pentagon, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Ai tha se presidenti Donald Trump do të vendosë se sa gjatë do të vazhdojë lufta kundër regjimit klerikal të Iranit.
“Ai është ai që vendos”, tha Hegseth.
“Nuk është detyra ime të them nëse ky është fillimi, mesi apo fundi”, shtoi ai.
SHBA-ja dhe Izraeli i nisën bombardimet kundër republikës islamike të Iranit më 28 shkurt. Gjenerali Dan Caine tha se ndër synimet e operacioneve amerikane e izraelite është edhe shkatërrimi i marinës së Iranit.
“Marina iraniane është goditur me artileri, avionë luftarakë, bombardues dhe raketa të lëshuara nga deti”, tha gjenerali Caine, në konferencën e përbashkët me sekretarin Hegseth.
Irani është zotuar se do t’i bllokojë të gjitha eksportet e naftës përmes Ngushticës s Hormuzit për aq kohë sa do të zgjasë lufta, ndërsa Trump ka thënë se Irani do të përballet “me vdekje, zjarr dhe tërbim” nëse Teherani ndërhyn në eksportet e naftës.
Gjenerali Caine tha se forcat amerikane po vazhdojnë “të kërkojnë dhe të godasin edhe anijet që po vendosin mina det dhe depot ku ruhen minat”, duke shtuar se Irani mund t’i përdorë minat për bllokimin e trafikut detar në rajon.
Ndërkaq, Hegseth e akuzoi Iranin se po vendos raketahedhës në zonat e banuara, për të evituar sulmet amerikane e izraelite.
“Irani po vendos raketahedhës në lagje civile, pranë shkollave dhe pranë spitaleve për t’i penguar sulmet tona. Kështu veprojnë ata”, tha ai.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka akuzuar Iranin për sulmet hakmarrëse ndaj vendeve të rajonit. Ai ka thënë se operacionet ushtarake amerikane me qëllim kufizimin e kapaciteteve të Iranit “janë duke përparuar sipas planeve”.
Sipas raportimeve, në shënjestër të raketave iraniane kanë qenë edhe objektiva në Turqi. NATO-ja ka thënë se në hapësirën ajrore turke e ka rrëzuar edhe një raketë balistike. Kjo është hera e dytë që Irani shënjestron në Turqi, prej fillimit të sulmeve ajrore të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit.
“NATO e ka rrëzuar sërish një raketë të nisur në Turqi. NATO-ja është e vendosur që t’i mbrojë aleatët ndaj secilit kërcënim”, ka thënë aleanca përmes një postimi në rrjetet.
Ministria e Mbrojtjes e Turqisë e ka konfirmuar incidentin. Ajo ka bërë të ditur se disa copa municionesh kanë rënë në një zonë të pabanuar në Gaziantep, në jug të Turqisë, afër kufirit me Sirinë.
(r.m.)